Borrell: Pres që liderët e Kosovës dhe Serbisë të gjejnë zgjidhje edhe për targat

Bruksel, 27 gusht 2022 – Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, ka shprehur kënaqësinë për gjetjen e zgjidhjes për lëvizjen e lirë mes Kosovës e Serbisë.

Borrell, përmes një video-regjistrimi të publikuar në Twitter, pas arritjes së marrëveshjes, të cilën e ka cilësuar si “zgjidhje evropiane” i ka falënderuar liderët politikë të Kosovës e të Serbisë, Albin Kurtin dhe Aleksandar Vuçiqin.

“Jam i lumtur të njoftoj, se pas takimit të Brukselit dhe pas angazhimeve në Prishtinë e Beograd ditët e fundit kemi marrëveshje të lëvizjes së lirë mes presidentit, Aleksandër Vuçiq e kryeministrit Albin Kurti. Në dialogun e ndihmuar nga BE-ja, Serbia është pajtuar të heqë dokumentet hyrje/dalje për ata me ID të Kosovës e Kosova të mos prezantojë dokumente hyrje/dale për ata me ID të Serbisë. Serbët e Kosovës dhe të gjithë qytetarët do të jenë në gjendje të lëvizin lirshëm duke përdorur ID-të e tyre. BE-ja ka marrë garanci nga kryeministri Kurti për këtë. Jam shumë i lumtur që kemi gjetur zgjidhje evropiane, që ndihmon udhëtimin mes Kosovës e Serbisë. Është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës e Serbisë. Dua të falënderojë dy liderët që e bënë këtë. E veçanërisht presidentin Vuçiq që ka treguar përgjegjësi e lidership sot”, ka thënë Borrell.

Por, ai ka shtuar se problemet në lëvizjen e lirë mes dy vendeve nuk janë shmangur, pasi për të bërë këtë duhet të gjendet zgjidhje edhe për targat e automjeteve.

“Por, kjo punë me lirinë e lëvizjes s’ka mbaruar. Ka disa probleme ende. Pres që dy liderët të tregojnë pragamtizëm e konstruktivitet, për të zgjidhur problemin me targa. Kam thënë shumë herë, në kohën e luftës në Ukrainë, me sfidat me të cilat po përballet BE-ja, ne në Evropë nuk kemi nevojë për probleme shtesë, nuk kemi nevojë për tensione. Duhet të gjenden zgjidhje, zgjidhje për Ballkanin Perëndimor. Ka disa probleme që kanë mbetur, duhet të vazhdojmë të punojmë për të zgjidhur ato. Sot është ditë shumë e mirë”, ka përfunduar Borrell.

(r.m.)