Borrell, Varhelyi: Në Evropë s’ka vend për mohim të gjenocidit

“Teksa shënojmë 26-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, është detyra jonë e përbashkët që ta kujtojmë atë përgjithmonë”, thanë në një deklaratë të përbashkët shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe komisionari për zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi.

“Në Evropë nuk ka vend për të mohuar gjenocidin, revizionizmin dhe për të madhëruar kriminelët e luftës. Këto janë në kundërshtim me vlerat më themelore evropiane. Përpjekjet për të rishkruar historinë janë të papranueshme”, thanë ata.

Në Bosnje dhe Hercegovinë shënohet sot 26-vjetori i masakrës, e cila është cilësuar si më e rënda në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka konstatuar në vitin 2007 se këto vrasje kanë përbërë gjenocid.

“Gjykatat ndërkombëtare, gjykatat e brendshme në Bosnje dhe Hercegovinë dhe vendet fqinje duhet të vazhdojnë të ofrojnë drejtësi për të gjitha viktimat e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit, si dhe për familjarët e tyre. Paqja mund të ndërtohet vetëm mbi drejtësinë”, thanë Borrell dhe Varhelyi.

“Nuk mund të ketë mosndëshkueshmëri – gjenocidi është gjenocid, qoftë i kryer në Srebrenicë apo gjetkë”, thanë ata.

Dy zyrtarët po ashtu thanë se Evropa nuk e ka harruar përgjegjësinë e saj për dështim në parandalimin e gjenocidit në Srebrenicë.

Zona ku ka ndodhur masakra e Srebrenicës 26 vjet më parë, ruhej nga paqeruajtësit holandezë të Kombeve të Bashkuara. (rel)

Comment

*