Bosnja shënoi 26-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, të kryer nga forcat serbe

Sarajevë, 11korrik 2021 – Në Bosnje e Hercegovinë sot u shënua 26-vjetori i masakrës së Srebrenicës.

Eshtrat e 19 viktimave të këtij gjenocidi u varrosën

Mijëra njerëz u mblodhën në Qendrën Përkujtimore Potoçari për të përkujtuar viktimat e masakrës së kryer në Srebrenicë në vitin 1995 dhe për të varrosur eshtrat e 19 viktimave kë kësaj masakre që janë gjetur e identifikuar kohët e fundit. 

Anëtari i Presidencës tri-palëshe të Bosnjës, Shefik Xhaferoviq, i bëri thirrje përfaqësuesit të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje, Valentin Inzko, që të parandalojë mohimin e gjenocidit në Bosnje, duke miratuar ligjin mbi ndalimin e mohimit.

Xhaferoviq u bëri thirrje edhe atyre që dinë se ku janë varret masive, që të raportojnë, “në mënyrë që viktimat, por edhe familjet e tyre të gjejnë paqen”.

Ai tha se rivendosja e besimit është plotësisht e mundur, nëse të gjithë përballen me të vërtetën.

“Na takon neve që të punojmë për të ndërtuar një shtet, në të cilin askush nuk do të jetë më i pambrojtur”, tha Xhaferoviq.

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe hynë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara.

Shumica e viktimave të masakrës u ndoqën dhe u ekzekutuan ndërsa po përpiqeshin të iknin në një pyll aty pranë, pasi Srebrenica u pushtua nga forcat serbe të Bosnjës në 11 korrik 1995, në ditët e fundit të luftës së viteve 1992 – 1995 në Bosnjë e Hercegovinë.

Trupat e tyre u hodhën në varre masive të hapura me nxitim dhe më pas u gërmuan me buldozerë dhe u shpërndanë në vende të tjera për të fshehur provat e krimit.

Vrasjet u kryen për disa ditë, por procesi i gjetjes, identifikimit dhe varrimit të eshtrave të tyre vazhdojnë ende.

Në Qendrën Përkujtimore Potoçari, deri më tani, janë të varrosura mbi 6.650 viktima, në mesin e të cilëve mbi 430 ishin të mitur.

Në lokacione të tjera, sipas dëshirës së familjarëve, janë të varrosura mbi 230 viktima, ndërsa kërkimet vazhdojnë ende për rreth 1.000 të zhdukur.

Masakra e Srebrenicës është vlerësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e njohu si gjenocid.

Deri më tani, 47 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burgim për masakrën në Srebrenicë.

Ish-udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, dhe ish-udhëheqësi ushtarak i serbëve në Bosnje, Ratko Mlladiq,janë dënuar me burgim të përjetshëm.

Në vitin 2010, Parlamenti i Serbisë e ka miratuar një rezolutë, përmes së cilëska kërkuar falje për masakrën e Srebrenicës. Në rezolutë thuhej se Serbia është dashur të bëjë më shumë për të parandaluar tragjedinë.

Në Parlamentin e Serbisë janë paraqitur edhe dy rezoluta të tjera lidhur memasakrën e Srebrenicës, por ato nuk janë futur ende në procedurë për miratim, Në njërën kërkohet që kjo masakër të dënohet si krim, kurse në tjetrën si gjenocid.

Parlamenti Evropian e ka shpallur 11 Korrikun Ditë të Përkujtimit të Gjenocidit në Bashkimin Evropian dhe u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të veprojnë ngjashëm.

Kuvendet e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut kanë miratuar rezoluta për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë. Vetëm Shqipëria nuk e ka miratuar një rezolutë të tillë.

(r.m.)

Comment

*