Bota bën thirrje për ndërprerjen e konfliktit izraelito-palestinez

Uashington / Bruksel /Londër / Nju Jork, 11 maj 2021 – Konflikti izraelito-palestinez ka shkaktuar brengosje në mbarë botën. Shetet më me ndikim në botë dhe organizatat ndërkombëtare po bëjnë përpjekje për ndërprerjen e konfliktit dhe vendosjen e paqes në rajon.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar u kanë bërë thirrje Izraelit dhe palestinezëve që të ulin tensionet sa më shpejt që është e mundur.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka thënë se Hamasi duhet t’i ndalë sulmet me raketa “menjëherë”, duke shtuar se të gjitha palët duhet të ulin tensionet.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka bërë të njëjtat thirrje, duke thënë se presidenti amerikan, Joe Biden, është i shqetësuar seriozisht për dhunën.

Shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se rritja e shkallës së dhunës në Bregun Perëndimor, në Gaza dhe në Jerusalemin Lindor “duhet të ndalet menjëherë”.

Sekretari i Jashtëm britanik, Dominici Raab, përmes një postimi në Tëitter, ka thënë se sulme me raketat “duhen të ndalen”. Ai ka bërë thirrje për ndaljen e sulmeve ndaj objektivave ku dëmtohet popullsia civile.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka mbajtur një takim urgjent të hënën ku ka diskutuar për situatën e krijuar, mirëpo pas takimit nuk është lëshuar asnjë deklaratë.

Një diplomat i ka thënë agjencisë së lajmeve Associated Press se Kombet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari, të cilat shpesh ndërmjetësojnë në mes Izraelit dhe Hamasit, janë duke tentuar të ndalin luftimet.

(r.m.)