Bota e pret me festa dhe fishekzjarre Vitin e Ri të parë pa kufizime që kur filloi pandemia

Uashington, 31 dhjetor 2022 – Vendet anembanë botës po e presin me festa dhe fishekzjarre Vitin e Ri të parë pa kufizime për COVID-19 që kur filloi pandemia.

Zelanda e Re dhe Australia ishin të parat që pritën vitin 2023.

Më shumë se një milion vetë u mblodhën në portin e Sidnit, një nga qytetet e para të mëdha që pret Vitin e Ri, për të ndjekur një shfaqje spektakolare me fishekzjarre.

Bllokimet në fund të vitit 2020 dhe një rritje e rasteve të Omicron në fund të 2021 kishin çuar në kufizime të turmës dhe reduktim të festimeve. Megjithatë, kufizimet janë hequr këtë vit pasi Australia, si shumë vende në mbarë botën, rihapi kufijtë dhe hoqi kufizimet e distancimit social.

Shumica e vendeve kanë hequr përgjithësisht kufizimet për vizitorët dhe testimet e detyrueshme.

Parisi do të organizojë fishekzjarret e para të Vitit të Ri që nga viti 2019. Një shfaqje 10-minutëshe fishekzjarrësh do të nisë në mesnatë, para 500,000 njerëzve që pritet të mblidhen në rrugën e famshme Champs-Elysees për ta parë atë.

COVID-19 vazhdon të shkaktojë vdekje dhe shqetësim, veçanërisht në Kinë, e cila po lufton një rritje mbarëkombëtare të infeksioneve pas lehtësimit të masave kundër epidemisë . Shumë kinezë thonë se rritja e rasteve ka shkatërruar shanset për një humor festiv.

(Zëri i Amerikës)