Britania e Madhe mirëpret sanksionet ndaj grupit të Veselinoviqit

Prishtinë, 9 dhjetor 2021 – Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott thotë se përkrah vendimin e Thesarit amerikan për të vendosur sanksione ndaj individëve që kanë lidhje me grupin e Zvonko Veselinoviqit në veri të vendit.

Ai më anë të një shkrimi në Facebook, është shprehur se ky veprim është me interes për të gjithë komunitetet në Kosovë.

“Mirëpres vendimin e Shteteve të Bashkuara për të vendosur sanksione kundër individëve të përfshirë në krim të organizuar dhe korrupsion. Kjo është në interes të të gjitha komuniteteve në Kosovë”, ka shkruar Abbott.

Ai shton se shkëputja e lidhjeve të krimit të organizuar dhe individëve të korruptuar është thelbësore.

“Shkëputja e lidhjes mes krimit të organizuar dhe individëve të korruptuar është thelbësore, nëse duam të krijojmë mundësinë për politikanët dhe zyrtarët që punojnë në interes të të gjithë atyre që përfaqësojnë, dhe jo vetëm për vetën e tyre”, ka përfunduar ai.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kontrollit për Pasuritë e Huaja të Departamentit të Thesarit, përveç Veselinoviq janë edhe i vëllai Zharko Veselinoviq, pastaj Zhelko Bojiq, Milan Mihajloviq, Sinisha Nedeljkoviq, Radovan Radiq, Milan Radisavleviq, Milojko Radisavleviq, Milan Radojçiq, Marko Rosiq, Radule Steviq, Milivoje Vuloviq.

Departamenti amerikan i Thesarit thotë se ky grup ka qenë i përfshirë në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis dy vendeve.

(Telegrafi)

Comment

*