Britania: Njësitë ruse po kthehen në Rusi e Bjellorusi për furnizim dhe riorganizim

Londër, 30 mars 2022 – Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar tha se përqendrimi i Rusisë në operacione luftarake në rajonin e Donjeckut dhe Luhanskut është “një pranim i heshtur” se ajo po ka vështirësi që të mbajë më shumë se një front.

Sipas kësaj ministrie, njësitë ruse kanë pësuar humbje të mëdha dhe janë të detyruara të kthehen në Rusi dhe në Bjellorusi për t’u rifurnizuar dhe për t’u riorganizuar. Po sipas saj, kjo dëshmon “për logjistikën tashmë të mbingarkuar të Rusisë”.

Ministria britanike e Mbrojtjes tha gjithashtu se forcat ruse, me gjasë, do të kompensojnë aftësinë e reduktuar të manovrimit tokësor përmes sulmeve masive të artilerisë dhe sulmeve me raketa.

Rusia tha të martën,  më 29 mars, se do të zvogëlojë aktivitetet ushtarake përreth Kievit dhe Çernihivit. Më herët kishte thënë se operacionet e saj ushtarake do t’i përqendrojë në rajonet lindore ukrainase.

Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara janë shprehur skeptike për zotimin e Rusisë për tërheqjen e trupave.

(r.m.)

Comment

*