Britania sanksionon dy politikanët kryesorë të serbëve të Bosnës

Londër, 11 prill 2022 – Britania e Madhe ka sanksionuar politikanët serbë të Bosnjës, Millorad Dodik dhe Zhelka Cvijanoviq, për shkak të përpjekjeve të tyre për të minuar legjitimitetin e Bosnje-Hercegovinës.

Dodik është anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës, kurse Cvijanoviq është presidente e entitetit Republika Serpska.

Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss ka akuzuar dy zyrtarët se janë trimëruar nga agresioni i presidentit rus, Vladimir Putin në Ukrainë.

“Të dy politikanët janë duke minuar me qëllim paqen e fituar me vështirësi në Bosnje-Hercegovinë”, ka thënë Truss.

“Të inkurajuar nga Putini, sjellja e tyre e pamatur kërcënon stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor”.

Sanksionet ndaj dy politikanëve kryesorë të serbëve të Bosnës e Hercegovinës përfshijnë ngrirjen e aseteve të tyre dhe ndalesën e udhëtimitnë Mbretërinë e Bashkuar.

Milorad Dodik, pas njoftimit për vendosjen e sanksioneve ndaj tij, ka thënë se do t’i ndërpresë marrëdhëniet me Mbretërinë e Bashkuar. Ai ka thënë se nuk brengoset për sanksionet, duke theksuar se nuk ka asnjë pronë në Britani dhe se nuk ka qenë atje qe 10 vjet.

Sanksione ndaj Dodikut ka vendosur edhe Departamenti amerikan i Shtetit, më 5 janar të këtij viti.

(Sipas REL)