Brukseli rrëfen përralla dhe legjenda shqiptare…

Qëllimi i ‘’Përrallave dhe legjendave shqiptare’’ është ta promovojnë dhe mbrojnë pasurinë e kulturës shqiptare, që në botë vazhdon të jetë ende pak e njohur.

Këto ditë legjenda dhe përralla shqiptare po qarkullojnë në rrjetet sociale. Një ide e mrekullueshme, e një groupi artistësh belgo – shqiptarë, bashkuar rreth shoqatës, Vox Aquilae të Brukselit, themeluar nga Fran Kukaj dhe Sonila Tuci.

Projekti është realizuar në formë videoje nga regjisori, Zenel Laçi, mbështetur në veprat e autorit Safet Kryemadhi : « Legjenda, fabula dhe përralla shqiptare » si dhe « Përralla dhe legjenda nga vendi i shqiponjave » botuar nga shtëpia botuese franceze « Ovadia ».

Qëllimi i për këta artistë është, dëshira, ta promovojnë dhe mbrojnë thesarin pasurisë kulturore kombtare, që në botë vazhdon të jetë ende pak e njohur.

Pandemia ka mbyllur edhe institucionet kulturore . Që të vazhdoj të krijoj, Zenel Laci, së bashku me disa artistë, mori përsipër iniciativën për të realizuar një seri videosh, me përralla dhe legjenda tona.

Videot mund t’i gjeni në rrjetet sociale. Ato rrëfehen mrekullisht në frëngjisht dhe në shqip nga aktorja, Anila Dervishi, shoqëruar me tingujt e gitaristit, Afrim Jahja dhe ilustruar me gravurat e koleksionistit, Fran Kukaj. Të gjitha të përkthyera në anglisht nga gazetarja Kate Holman. Çdo video hapet me një kaba të bukur të grupit Albrapsodi Trio, montazhuar nga videastja, Angélique Ricci.

Legjendat dhe përrallat, janë përzgjedhur nga dy antologjitë e cekura më lartë, të autorit, Safet Kryemadhi i cili shprehet :

« Faik Konica fliste për “harmoninë e errët dhe të fuqishme” të legjendave shqiptare. Ashtu sikurse këngët epike, ato tregojnë kujtesën, shpirtin dhe imagjinatën e popullit. Për shembull, tregimet që përshkruajnë Besën janë ndër më të mirat e trashëgimisë epike shqiptare. Legjendat formojnë shtresat gjeologjike më të vjetra në histori. Që i paraprinjë kujtesës klasike. Të shtoj se nga ana e tij, Skënderbeu është njëkohësisht një hero historik dhe një personazh legjendar. Ai mishëron Shqipërinë. Legjenda pra, është gjithashtu ajo që i reziston kohërave prozaike. Botimi i legjendave shqiptare lejon që publiku frankofon e më gjerë ta zbulojë Shqipërinë në mënyrë të këndshme. »

Disa nga legjendat dhe përrallat e ralizuara në video janë: Legjenda e Rozafes,  Konstandini dhe Doruntina, Manisa, Vajza që kërkonte burr, Zhdukja etj, rrënjosur në kujtesë qysh nga fëmijëria kur nënat tona fillonin : « Na ishte njëherë… »

Botë fantastike, misterioze, me personazhe mahnitëse, zana, oda, kulçedra, dragoj, përralla të urta, argëtuese, për të vegjël e për të mëdhenj, ku gërshetohen  mitet, dashuria dhe tragjedia…

 Lidhur me projektin në fjalë regjisori Zenel Laçi thotë: 

« Që në moshë të re, gjithmonë më ka pëlqyer të lexoj dhe të dëgjoj përralla. Ato, kanë zhytur fëmijërinë time, dhe ndërtuar imagjinatën për vendin amë, i cili ishte i ndaluar për ne. Shkaku, i arratisjes së prindërve të mi në Belgjikë në vitet – 60. Kështu që, unë u rrita i prerë nga rrënjët e mia. Prandaj lexoja gjithçka që mund të gjeja në frëngjisht për Shqipërinë.

Me kohë dhe me hapjen demokratike të vendit, kuptova për fat të keq, që evropianët, përcjellin ende sot, klishe dhe paraghykime për Shqiperine, në mungesë të njohurive përkatëse. Për këtë arsye, mora përsipër ta prezantoj përmes videosh, thesarin kulturor, siç janë përrallat dhe legjendat.»

Dëshira e jonë është, që projekti, të mund të vazhoj të ekzistojë, të shikohet dhe të shpërndahet nga një numër sa më i madh shikuesish.»

Për këtë arsye, Vox Aquilae ju fton t’i vizitoni videot me përralla dhe legjenda nga Shqipëria.

Videot mund t’i gjeni në:

– Youtube Channel : Vox Aquilae Bruxelles
– Instagram : @vox.aquilae
– Facebook Page : facebook.com/voxaquilae.bruxelles

– Twitter : @VoxAquilae

 Kontakt:
– Email: voxaquilae.bxl@gmail.com

E. Gashi

Malësorja

Comment

*