Bugajski: Serbia po e përdor çështjen e Asociacionit për ta penguar dialogun

Prishtinë, 17 nëntor 2021 – Analistë të huaj dhe vendorë vlerësojnë se Beogradi po e përdor çështjen e Asociacionit të komunave serbe për ta penguar dialogun e për ta parandaluar ndonjë zgjidhje përfundimtare.

Sipas njohësit amerikan të Ballkanit, Janusz Bugajski, Qeveria e Kosovës nuk duhet të pranojë marrëveshje që destabilozojnë vendin.

“Mendoj se Asociacioni i komunave serbe ishte ide e keqe që nga fillimi. Mendoj se Qeveria e Kosovës është detyruar të nënshkruajë diçka për të cilën nuk ka ditur se cilat mund të jenë pasojat dhe është përgjegjësi e qeverisë aktuale të parandalojë zbatimin e çfarëdolloj marrëveshjeje që do ta destabilizonte vendin dhe do të destabilizonte edhe rajonin”, ka thënë Bugajski për RTK-në.

Ai ka tërhequr vërejtjen se Asociacioni do ta krijonte edhe një Republikë Serbe në rajon.

“Nëse bashkësia ndërkombëtare duhet të kishte mësuar diçka është se nuk e duam edhe një Republikë Serbe në Ballkan, sepse kjo bëhet pastaj një burim konflikti, diskutimi dhe ndërhyrje ndërkombëtare nga Rusia”, është shprehur Bugajski.

Ai ka thënë se Kosova duhet të vazhdojë të marrë pjesë në takime në secilin nivel për të demonstruar vullnetin e saj për marrëveshje, por ka theksuar se temat që diskutohen duhet të jenë brenda kontekstit të njohjes reciproke.

(r.m.)

Comment

*