Bukuria e një mëngjesi amerikan…

Albana M Lifschin

Albana M Lifschin

Më është bërë zakon që nga ora 6.20 am deri ne 7:00, të bëj shëtitjen e mëngjesit përreth lagjes sime. Kjo do të thotë që dal nga shtëpia ku banoj ,në Ave T, dhe kthehem pas në Fillmore Ave, e me ecje të shpejtë kaloj Ave O, dhe pastaj P, deri sa arrij tek avenuja N.
Dikur habitesha me emërtimet e rrugëve dhe avenuve. Por në këtë Amerikë të madhe , gjëja më e lehtë është orientimi me rrugët. Askush nuk humbet. Mjafton t’i thuash tjetrit, që ndodhesh në kryqëzim të kësaj avenuje me atë rrugë, dhe vijnë e të gjejnë lehtësisht. (Sa të vështira janë bërë ca adresa në Tiranë,’pallati i ri, pas … në të djathtë të .. ,përballë me..”)
Është një ecje e shpejtë që zgjat 20 minuta dhe po aq kthimi. Eci në rrugë të pastra, në qetësinë dhe freskinë e mëngjesit duke vështruar po ato shtëpi, shumica me dritare të tipit bay windows që i kam parë qindra herë e përsëri i pëlqej shumë. Para dyerve karriget apo stolat rrijnë gjithnjë aty, jashtë, ditën dhe natën, dimër e verë. Shtëpitë ngjajnë shumë me njera tjetrën , të gjitha dykatëshe, por edhe dallojnë pasi dikush ka bërë diçka më shumë se fqinji,apo diçka më ndryshe se ai. Ka krijuar një ‘lëndinë’ të vogël me bar e lule, apo e ka shtruar me guriçka, apo ka ndërtuar një bazen dhe e ka rrethuar me një pëllëmbë mur. Një tjetër pranë derës, në një mbajtëse të fiksuar diku nën strehë, ka vendosur vazo me lule kacavjerrëse. Tek një shtëpi tjetër të tërheqin vëmendjen wind chimes, që bëjnë zhurmë kur fryn erë. Disa vila mbajnë flamurin amerikan para portës , krenarine e tyre.
Kujdesi me të cilin qytetarët e trajtojnë shtëpinë për mua është dashuri dhe vlerësim për jetën.
Ora kalon 6:30am. Qetësia ende e plotë dhe ti – zot i saj. Pranë çdo shtëpie, buzë trotuarit,qëndrojnë të parkuara makinat. Më kujtohet para 20vjetësh, kur erdha në NY, makinat e parkuara në rrugë,buzë trotuarit e jo mbi trotuar, më dukeshin të çudiçme! ‘Tonat’ ishin të gjitha mbi trotuar, pasi rruga duhej të ishte e lirë..Shumë njerëz kanë garazhe, por jo të gjithë i përdorin. Preferojnë parkimin përpara dyerve. Garazhet, shpesh janë plot me sende të vjetra të shtëpisë, por shpesh me vlera nostalgjike. Njerëzit organizojnë ‘garage sale’. Dmth garazhi kthehet në dyqan për një ditë, ku i shesin. Natyrisht shumë orendi shtëpijake, mobilje, lihen jashtë, në trotuare për t’i marrë makina e plehrave. Kështu bashkë më plehrat shkojnë edhe kolltuqe, rafte librash, komodina, sete pjatash kuzhine, llampadarë, televizorë, se tashmë është koha për t’i zëvendësuar me të reja. Kam rrëfyer diku se si gjatë një shërbimi në Austri, një shok i ekipit tonë të xhirimit u bë me televizor. Ishte lumturi e madhe. Qe fundi I viteve ’80.
Në kthim, tek vila e parë, një grua po pastron para derës.
-Good morning ,- më përshëndet ajo.
-Good morning-ia kthej unë, dhe kujtohem që në tërë atë rrugë ndodhem vetëm unë dhe ajo. Njerëzit që banojnë të një lagje e përshëndesin njëri tjetrit. Ky fenomen është karakteristik më shumë për qytetet jashtë Nju Jorkut. Njujorkezët zakonisht i mbajnë për ‘rude”(të panjerëzishëm). Qytetet e vogla kanë më shumë ngrohtësi njerezore. Dhe lagjet këtu rrotull nesh ngjajnë me ato.
Ndihem mirë me shëtitjen time të mëngjezit, kraharori më mbushet me frymë dhe me një ndjenjë optimizmi për të filluar së mbari ditën e re. Në një bisedë më një të njohur në një qytet të vogël e të blertë në atdhe, kur e pyeta se ‘përse nuk e shijonin gjelbërimin e qytetit për të shëtitur, m’u përgjigj: “Këtu tek ne shëtisin vetëm pensionistët . Ne hala s’kemi mbërritë në atë moshë’, dhe vuri buzën në gaz. Qe e vërtetë. Mjerisht. Dikur i kishim të përcaktuara qartë kujfijtë e moshës, apo të jetës. Ju kujtohet ajo shprehja: pension, tension , kamjon? Kam frikë se ka mbetur ende aktuale.
Jam e lumtur, që këtu ku banoj unë të gjithë ndihen të rinj. Askush nuk flet për moshën, sepse njeriu plaket atëherë kur ndihet i tillë. Dhe kjo mund të ndodhë edhe në të ritë e tij. Benxhamin Frenklini thosh: ‘Disa vdesin 25 vjeç, por varrosen 75’
Jam e lumtur që këtu njerëzit vazhdojnë të punojnë deri 70 vjeç, edhe më shumë po të duan, e nuk i detyron njeri të dalin në pension.
Dielli ka filluar të ngjitet lart dhe nuk e vështron dot “në sy’. Eshtë verbonjës. Paralajmërim për një ditë të nxehtë. Hyj në shtëpi ku më pret aroma e kafes dhe mendimi për mbarësinë e një ditë të re.
(alifschin/Bruklin, NY, 27qershor 2013)