Bumçi: Serbia e trimëruar, sepse Rama i jep kapital politik Vuçiçit

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Aldo Bumçi, është shprehur se ajo që po ndodh në Veri të Kosovës, për shkak të vendosjes së reciprocitet, është shqetësuese dhe shumë e rrezikshme.

Në një intervistë për Ora Neës, ai shprehet se Kosova ka zbatuar vetëm marrëveshjen, ndërkohë Serbia sipas tij është trimëruar që po kërcënon vendet fqinje.

Për Bumçin një nga arsyet që Serbia ka marrë këtë ‘fuqi’ është roli që luan Kryeministri Edi Rama.

Ky i fundit sipas tij i ka dhënë kapital politik, presidentit serb Aleksandër Vuçiç

 Aldo Bumçi: Ajo që po ndodh është shumë shqetësuese dhe e rrezikshme. Kemi një Serbi që ka ndërruar 180 gradë, e trimëruar që kërcënon të gjitha vendet fqinje. Ne e pamë se çfarë bëri në Mal të Zi me Kishën ortodokse. Qëllimi ishte për të bërë provokim. Tani kemi situatën në Kosovë. Kemi zbatimin e marrëveshjes së shkruar Kosovë- Serbi. Qeveria Kurti ka zbatuar vetëm marrëveshjen. Kjo solli një reagim të paimagjinueshëm. Pse kjo Serbi sot është kaq e trimëruar? Një nga arsyet është roli i Edi Ramës. 

Edi Rama ka devijuar nga çdo politikë e jashtme. Rama i jep kapital politik Vuçiç, pasi me të bashkëpunon për “Ballkanin e Hapur”. Rama në krah të Merkel goditi Albin Kurtin. Para dy vitesh në krah të Vuçiç goditi Haradinajn. Ky njeri po zhvlerëson Kosovën. Duke treguar Kosovën me gisht, pasi nuk do të bashkëpunojë me “Ballkanin e Hapur” është Vuçiç njeriu i paqes. Rama ka mbështetur Vuçiç, Serbinë, ka izoluar Kosovën në këtë nismë. Rama i ka program qeveritar marrëveshjen me Vuçiç dhe Zaev. Sot kemi një Serbi që ka arritur në të njëjtat pozita me kohën e Millosheviçit.   

Intervistoi Arnold Kariqi, përgatiti për online Anila Kolgjini.