Bundestagu miraton rezolutë për Bosnjën e Hercegovinën, dënon veprimet e liderëve serbë

Berlin, 8 korrik 2022 – Të premten, më 8 qershor, Parlamenti gjerman (Bundestag) miratoi një rezolutë për Bosnjë e Hercegovinën (BeH), në të cilën theksohet se “veprimet e Milorad Dodikut dhe Dragan Çoviqit janë të dizajnuara për të shkatërruar Bosnjë e Hercegovinën, si një shtet dhe shtëpi e popullatës së shumëllojshme”.

“Kjo është e papranueshme dhe kërkon rezistencë të vendosur dhe të fortë nga Bashkimi Evropian, shtetet e tij anëtare dhe komuniteti ndërkombëtar”, thuhet në rezolutë, e cila kërkon vendosjen e sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër atyre që minojnë Bosnjë e Hercegovinën.

U theksua se “veprimet e politikanëve nacionalistë”, të Dodikut, i cili është anëtar i presidencës shtetërore dhe lider i Lidhjes së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD) në pushtet, si dhe Çoviq, presidenti i Bashkësisë Demokratike Kroate të Bosnjë e Hercegovinës (HDZ), janë “kërcënim për paqen në Evropën Juglindore”.

Ndër të tjera, përfaqësuesit gjermanë i bëjnë thirrje qeverisë federale që “të thërrasë me vendosmëri lidershipin politik të Bosnjë e Hercegovinës që të eliminojë përshkallëzimin dhe të ulë tensionet e brendshme”.

Në rezolutë theksohet se “ndarjet etnike ende i japin formë jetës së përditshme, dominojnë politikën dhe bllokojnë përparimin dhe proceset e reformave” dhe se “retorika nacionaliste dhe nxitëse janë sërish pjesë e diskursit politik”.

“Gjithashtu, qeveria duhet të vazhdojë të angazhohet fuqishëm që sanksionet e BE-së të orientohen kah personat, institucionet dhe kompanitë që minojnë sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues dhe subjektivitetin juridik ndërkombëtar të Bosnjë e Hercegovinës”, thuhet në rezolutë.

Në rezolutë thuhet se, përveç kësaj, marrë parasysh se procesi i anëtarësimit në BE është në vazhdim e sipër, ndaj liderëve të Serbisë, por edhe Kroacisë, e cila është anëtare e BE-së, duhet të kërkohet që të distancohen nga forcat separatiste etnike në Bosnjë e Hercegovinë.

Përfaqësuesit i kërkojnë qeverisë federale gjermane që të ofrojë më shumë mbështetje për Bosnjë e Hercegovinën, marrë parasysh tensionet në rritje dhe përpjekjet separatiste në këtë vend.

“Elita politike nacionaliste në vend, nga partitë serbe, kroate dhe boshnjake, shfrytëzon dhe përforcon dallimet e pretenduara etnike, për pasurimin e tyre dhe ruajtjen e pushtetit të tyre”, thuhet në rezolutë.

Theksohet se reformat janë bllokuar prej dekadash për të ruajtur një mjedis të favorshëm për korrupsion.

Në rezolutën e Bundestagut gjerman, përkujtohet se “parlamenti i entitetit të Republikës Sërpska ka ndërmarrë hapa konkretë ligjorë në muajt e fundit për të ndarë më tej rajonin nga shteti si tërësi”.

Më 20 prill, ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, u dërgoi letra kryetarit dhe anëtarit të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq dhe Zhelko Komshiq, në të cilat ajo theksoi se Bosnjë e Hercegovina është “lart në agjendën politike të Berlinit”.

Ajo theksoi se Gjermania do të vazhdojë të avokojë për procesin e reformave dhe tejkalimin e krizës politike në Bosnjë e Hercegovinë.

Udhëheqësi i serbëve, Dodik, që është edhe anëtar i Presidencës trepalëshe të Bosnjës, ka disa muaj që ka intensifikuar përpjekjet për ndarjen e Republikës Sërpska nga pjesa tjetër e territorit. Që nga vjeshta, ky entitet ka bllokuar shumicën e institucioneve shtetërore të Bosnjës. Mbi 200 ligje dhe akte ligjore janë pezulluar.

Entiteti do, po ashtu, që të krijojë ushtrinë e tij dhe të pushojë së njohuri juridiksionin e gjyqësorit kombëtar dhe të autoritetit tatimor.

SHBA-ja, në muajin janar, e ka sanksionuar Dodikun, pasi e ka akuzuar për kërcënim të satibilitetit të rajonit.

(REL)