BURRI ME KARAKTER TË FORTË

Tregim nga Luan Çipi 

             Maliq Riza Hajron, ta shihje edhe në moshë të madhe, të linte mbresë: me atë trupin e gjatë e të drejtë si lis; me sytë gri; flokët e bardhë, që i mbulonte me një borsalinë po gri; me atë hundën karakteristike, të madhe dhe me hark, si të shqiponjës. Gjithnjë i pastër dhe  veshur mirë dhe me një bastun të gdhendur, që e mbante përherë në dorë, si ta kishte shok. Gjithë jetën e tij punoi në sektorin komunal të Bashkisë Gjirokastër, qysh me kryetar Bajo Topullin, ku vendosi, ndoshta, ndonjë rekord gines, se kjo puna e tij atje zgjati, gati pa ndërprerje, deri në vitin 1970, kur unë e solla familjarisht në Vlorë, me kërkesën dhe dëshirën e tij.  Qëndrimi në Gjirokastrën e dashur, me atë zanald aq të thepisur, në kushtet kur ai kishte nevojë patjetër të lëvizte, u bë i vështirë për të. Kërkonte me këmbëngulje: “Hajdeni, më merrni, më hiqni nga qafa e Pashallarës, se më shkurtoi jetën”. Pas kësaj, në Vlorë jetoi edhe gati 20 vjet të tjera, me atë rregullin e tij të ngurtë, pa u shqetësuar seriozisht asnjëherë. Në Gjirokastër xha Maliqi, siç i thërrisnin të gjithë, u mor me ndërtim ujësjellësish dhe kanalizimesh dhe i njihte ato, si asnjë tjetër, aq sa, nga Vlora, e thërrisnin shpesh, për të zgjidhur probleme të vështira komunale të Gjirokastrës.

Maliq Hajrua kishte marrë pjesë gjallërisht në tri luftëra: në vitin 1920 në Luftën e Vlorës, më 1924 në Revolucionin e Qershorit me Fan Nolin dhe më 1943 në Luftën Nacionalçlirimtare si këshilltar i qarkut.

          Xha Maliqi ishte shumë i thjeshtë, i ndershëm dhe i rregullt e i përpiktë me njerëzit.  Nuk mburrej  kurrë dhe për çka tregonte, thoshte vetëm të vërtetën. Fliste vetëm rreth atyre te vërtetave që dinte  e që i kishte parë e dëgjuar vetë. Luftën e Vlorës e kujtonte shpesh, ngaqë e kishte përjetuar në moshë të re, fare pranë. Për pjesëmarrjen në atë luftë heroike xha Maliqi, i dekoruar, edhe diç kishte shkruar. Këtë të vërtetë e dinin shumë njerëz. E dinte, midis të tjerëve, edhe gjirokastriti Veiz Gjebero, luftëtar partizan, komunist i vjetër, i cili në kohën që merr jetë ky tregim, ishte në një pozicion shtetëror të rëndësishëm, si zëvendësministër.

          Veiz Gjeberua, ca kohë Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Vlorë, me këmbëngulje prej shumë vitesh e kërkonte në Vlorë xha Maliqin dhe m’u desh mua që të organizoja një takim me të në hotel “Adriatik”. Veizi kishte dëgjuar nga babai dhe vjehrri i tij, se edhe ata kishin qenë pjesëmarrës të Luftës së njëzetës në Vlorë, po, meqë ata nuk jetonin më, ai as që i dinte bëmat e tyre.

 Veizi pati besim se xha Maliqi, aq i freskët në kujtesë, siç kishte lexuar dhe i kishin thënë, do t’ia plotësonte zbrazëtitë e Njëzetës. Pas kësaj njerëzit e tij të dashur patjetër që do të futeshin si pjesëtarë aktivë të historisë së lavdishme të Kombit tonë. Oh, sa do t’i bëhej qejfi gjithë farefisit dhe sidomos gruas së tij të dashur!

          Meqë isha i pranishëm dhe e freskova nga ditari im, mbajtur në ato çaste, e mbaj nëpërmend si sot zhvillimin e bisedës:

          Nisi  të flasë Veiz Gjebero:

          – Xha Maliq! Jam shumë i gëzuar që të takoj dhe më bëhet qejfi se të shoh shumë mirë me shëndet. Më kishte marrë malli shumë. Të  fala të posaçme ke dhe nga ime shoqe.

          – Edhe unë gëzohem shumë, aq më tepër se ti je djali i mikut tim dhe vërtet i ngjan e ndaj më nxjerr mallin e babait tënd. Kujtoj, me këtë rast, me nderim edhe vjehrrin tënd, një nga miqtë e mi më të hershëm. Qoftë i paharruar kujtimi i tyre!

          Pasi u kapërcye kjo hyrje mirësjelljeje, Veiz Gjeberua, me padurim, i ra shkurt:

– Xha Maliq! Nuk dua të të ha kohë, ndaj po futem drejt e në temë. Pres të mësoj nga goja jote për veprimtarinë, luftërat dhe trimëritë e treguara nga gjirokastritët, e veçanërisht të njerëzve të mi të dashur, në luftën legjendare të Vlorës më 1920. Na takon neve, të rinjve, bijve të Gjirokastrës heroike, që kemi dalë nga zjarri i luftës partizane dhe kemi pozita të rëndësishme dhe mundësi më të mëdha propagandimi, të shkruajmë e të pasqyrojmë përpjekjet e tyre të shquara dhe t’u japim vendin, që u takon në historinë e Shqipërisë.

-Lëre më mirë atë kohë të shkuar, gjysmëshekullore. Lëre atë në humbëtirën e vet dhe hajde ta tokim njëherë…!

– Jo, jo! E di që je fjalëpakë dhe modest, por unë e dua sot të vërtetën historike. Kërkoj të më thuash për rolin tonë, mo, të gjirokastritëve, se nuk durohen dot të tjerët, këta vlonjatët sidomos, që i bien gjoksit me grusht dhe duan t’i marrin të gjitha vlerat historike për vete.

Xha Maliqi u zu ngushtë. Nuk e ndryshonte dot, me një thirrje të djalit të mikut të vjetër natyrën e vet. Ç’është e vërteta, s’e kishte fare të lehtë edhe t’ia prishte gjithë këtë entuziazëm që kishte shoku Veiz, i cili për një përgjigje të dobishme edhe mund ta ndihmonte më pas xha Maliqin hallexhi, që banonte në Vlorë në një shtëpi të vjetër, gjysmë të shkatërruar, me qira private. Veizi, me një fjalë goje, mund ta strehonte xha Maliqin në një shtëpi shtetërore, fundja kaq ai e meritonte si veteran lufte.

  – E do të vërtetën?

  – E dua, me domosdo!

  – E po, nxirre penën dhe kartën e shkruaj.                                                                                            

 Xha Maliqi, pasi gjerbi një gllënjkë nga gota me arançatë, i munduar, duke u futur në thellësinë e shekullit, nisi të tregojë ndodhitë e përjetuara gati gjashtëdhjetë vjet më parë:

– Më kujtohet si tani. Isha 20 vjeç. Në pranverën e vitit 1920 u veshëm si ushtarët e parë vullnetarë të ushtrisë shqiptare, me uniforma të prera apostafat. Bënim talim në kalanë e Gjirokastrës, ku kishte qëndrimin batalioni ynë. Pas ca kohe, morëm urdhër: kush kishte vullnet mund të nisej në luftë kundër zaptuesve italianë, që kishin zënë Vlorën deri në Tepelenë. Dolëm vullnetarë njëzet djem gjirokastritë.

 Në Tepelenë ishte një garnizon ushtarak italian i dislokuar brenda në kala. Bashkëpunuam me çetën e trimit dhe luftëtarit të shquar, plakut Selam Musai, e rrethuam paq garnizonin dhe i dhamë ultimatum. Pritëm, derisa pamë flamurin e bardhë të dorëzimit pa kushte. Ata na u dorëzuan neve, që ishim me uniformë ushtarake dhe po ne u caktuam për t’i shoqëruar deri në Vajzë të Vlorës, ku kishin grumbulluar dhe robër të tjerë italianë. Ata i ruante dhe i administronte komanda e zonës, me trimin vlonjat Rexhep Sulejmani në krye.

        Ne, ushtarët vullnetarë nga Gjirokastra, ashtu siç ishim të veshur me uniformë e armatime, u caktuam për të ruajtur depot e municionit të Kotës, që Komiteti i Shpëtimit Kombëtar, i kishte marrë në dorëzim nga një nënoficer italian kalabrez, marshall Xhovani, me origjinë arbëreshe. Ky arbëresh bëri një punë të madhe për Luftën e Vlorës, aq sa, siç mendoj unë, ky duhet të futet në histori, se na siguroi shumë xhephane. Prandaj dhe italianët atë e dënuan me vdekje. E kërkuan dhe e gjetën, këtu në Shqipëri dhe e ekzekutuan, në një kurth që i ngritën, 15 vjet më vonë.

          Unë, vazhdon xha Maliqi, i humbur në kujtimet e vjetra, duke qenë se u vendosa në udhëkryq, ku ishte depoja, isha i mirinformuar për gjendjen e frontit në vazhdimësi, si për zhvillimin e luftimeve dhe për forcat lëvizëse, se jo vetëm e shihja dhe e ndiqja vetë, po edhe dëgjoja hollësira nga ata që vinin nga balli i luftimeve e merrnin municione. Kuptohej se me ecurinë dhe sukseset në luftë varej dhe jeta jonë.

          Atje, posa nisën operacionet luftarake, mësova me krenari se dhe nga Gjirokastra jonë e dashur, si dhe nga disa qytete të tjera të vendit tonë, erdhën ndihma, banda muzikore, përforcime, armatime, ushqime, ilaçe e ç’i duhej një lufte të vërtetë. Atje u takova, me respekt e me mall, edhe me babain dhe vjehrrin tënd Bamen, që e kisha shok, si dhe me Hasan Xhikun dhe me trimat e tjerë gjirokastritë, të gjithë burra dyfeku, siç ishin luftëtarët e çetës së Gjirokastrës. Komiteti i Luftës së Vlorës, me të marrë vesh ardhjen e vullnetarëve civilë nga Gjirokastra, të organizuar në çetë, trima të sprovuar e zotër të dyfekut, ashtu siç kishin qenë në luftë me grekun, për Pavarësinë e Shqipërisë, i nderoi ata si asnjë tjetër, duke i vënë në vendin më kyç e më të rëndësishëm për fatin e krejt betejës, në transhenë e parë të Frontit të Kaninës. Kanina ishte një pikë strategjike, që nga ana e Komandës Shqiptare qe paracaktuar si etapa e parë e sulmit vendimtar për çlirimin e Vlorës. Po të merrej Kalaja e Kaninës, ku italianët kishin përqendruar forca dhe artileri të fuqishme dhe që komandohej nga gjeneralë të përgatitur, çështja e fatit të luftës ishte  zgjidhur njëherë e mirë.  Po, ç’ndodhi? Italianët, që kishin oficerë të aftë, nuk pritën sulmin e shqiptarëve, por e panë të udhës që, në befasi, me shumë forca dhe me ndihmën e projektorëve të fuqishëm, ata të parët sulmuan natën. Dhe gjirokastritët e transhesë së parë, që i njihnin mirë luftërat dhe pasojat vdekjeprurëse të tyre, e vlerësuan se ishin të pabarabartë dhe se do të asgjësoheshin të tërë, ndaj u tërhoqën nga transheja e parë dhe u thanë dhe të tjerëve të bënin të njëjtën gjë: të tërhiqeshin duke luftuar. Ndofta, menduan në fillim se do të vendoseshin te transheja e dytë apo tek e treta, se fronti nga ushtarakët tanë ishte i organizuar me tri radhë, në tri transhe. Por ata, që e ndien fare mirë rrezikun e madh, si më me përvojë që ishin, nuk e panë të udhës rezistencën e pabarabartë dhe çanë e ikën e pas dy ditësh u gjendën në Gjirokastër, atje ku s’i kapte dot as plumbi dhe as gjylja e topit. Vlonjatët e transhesë së parë nuk pranuan të tërhiqeshin pa urdhrin e komandës së tyre dhe atje u ndeshën deri me bajoneta e me thika, derisa u vranë të gjithë, si heronjtë e Thermopilit…

          Këtu xha Maliqi, pasi fshiu lotët me shami, vazhdoi:

O biri im! Në Luftën heroike të Njëzetës në Vlorë, që është faktori kryesor që ne patëm Shqipëri, në këtë epope të lavdishme ndihmoi e gjithë Shqipëria, por keqas u therorizuan lebërit e Vlorës. Këtë unë e pashë me sytë e mi. Këta lebër kaq të mirë, kaq trima e kaq të zgjuar thanë më vonë se nuk ndodhi ndonjë hata, ngaqë shokët e tyre gjirokastritë u befasuan nga sulmi i papritur, i paparashikuar dhe i pabarabartë i italianëve. Kjo mund t’i ndodhte kujtdo. Tmerri i luftës, përkohësisht, edhe ndodh që të merrë mendjen e të zhburrëron.

            Pas fitores dhe hedhjes së italianëve në det, kur erdhi çasti i lumtur që fitimtarët do të parakalonin në rrugët e Vlorës së çliruar, vlonjatët e mirë, nëpërmjet Komitetit të Shpëtimit  Kombëtar, në shenjë nderimi e solidariteti mbarëkombëtar, i ftuan për të parakaluar edhe këta gjirokastritë. Unë prapë i pashë edhe vjehrrin, edhe babain tënd, o Veiz i dashur. Ata parakalonin së bashku dhe njësoj me fitimtarët vlonjatë me qylafë në kokë.

           Këtu e mbaroi tregimin, duhet thënë, shumë i pikëlluar dhe i shqetësuar, deri në përlotje, veterani gjirokastrit Maliq Riza Hajro.

        – Shoku Veiz e mblodhi grusht të zhubrosur letrën me ato pak shënimet e para dhe u largua, i dëshpëruar, shumë i zhgënjyer, pa na përshëndetur.

           Kështu, xha Maliqi e humbi edhe një shans, që iu krijua për të marrë një shtëpi shtetërore me qira…duke mbetur deri në fund të jetës së tij të gjatë, gati njëqind vjeçare, një burrë me karakter të fortë dhe  një atdhetar i  shquar dhe mbrojtës i së vërtetës i denjë edhe si nip i atdhetarit të shquar të Rilindjes Kombëtare, gjirokastrit Shemsho Hajro.

Ai lindi në Gjirokastër ne vitin 1900 dhe e mbylli jetën në Vlorë, në vitin 1987.

 

(Nga Libri  “PËR TË QARË DHE PËR TË QESHUR”)