Bushati: Politikë e re, aktive dhe me zgjidhje për shqiptarët në rajon dhe integrimin e Shqipërisë

Intervistë e Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, z. Ditmir Bushati dhënë gazetës “Illyria” të Komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara dhe Radio Televizionit të Kosovës, përkatësisht radiove “Kosova 1” dhe “Kosova 2”

Bisedoi: Denion Ndrenika

-Zoti Ministër, faleminderit fillimisht për kohën që gjetët dhe po e ndani me lexuesit e gazetës “Illyria” dhe me dëgjuesit e të dy radiove të Radio Televizionin e Kosovës.
 
-Ditmir Bushati:
“Është gjithmonë kënaqësi për mua që më jepet mundësia për të folur për një audiencë kaq të gjerë dhe kaq patriotike”.
 
-Ndoshta pak si “jashtë programit”, bisedën po e nisim natyrisht me çështjen e shkatërrimit të armatimit kimik të Sirisë. Në këtë 101 vjetor të pavarësisë, a mendoni se Shqipëria doli me një pamje të mirë nga kjo problematikë?
 
-Ditmir Bushati:
“Shqipëria u kontaktua nga aleatët startegjikë siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të parë mundësinë se si dhe ku mund të kontribuonim në këtë çështje, e cila është çështje e karakterit ndërkombëtar, pra nuk është një çështje thjesht amerikane, europiane apo shqiptare. Natyrisht, ne vlerësuam kapacitetet tona, aftësinë tonë për të qenë pjesë e këtij procesi.

Kuptohet që Shqipëria shprehu qartësisht vullnetin politik për të qenë pjesë e  këtij procesi. Por, nga ana tjetër vullneti politik gjithmonë duhet vlerësuar në raport me aftësitë dhe kapacitetet që ka një vend. Aq më tepër kjo, kur një pjesë e mirë e vendeve aleatë që bëjnë pjesë në familjen e NATO-s duket që po tërhiqeshin nga ky proces një e nga një për mungesë kapacitetesh.

Për t’iu përgjigjur pyetjes Tuaj, do të thoja që vendimtare në këtë rast ka qenë qëndrimi i qartë i opinionit publik dhe mungesa e kapaciteteve tona për të qenë pjesë e këtij procesi”.
 
-Pavarësisht se këndvështrimet janë të ndryshme dhe teknikisht bisedimet kanë argumentet e tyre për të gjitha palët e përfshira, nëse i vendosim në një peshore, a kishte më shumë përfitime Shqipëria, apo do të ishte më e cenuar, në raport me me partnerët ndërkombëtarë, përfshi këtu edhe besueshmërinë që lidhet tanimë e tutje padyshim me Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe me të gjithë partnerët?
 
-Ditmir Bushati:
“Kur flasim për këtë vendimmarrje, besoj se qeveria shqiptare i mirëpeshoi të gjitha këto konsiderata që ju përmendët. Besoj se partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që i ka rrënjët e thella, nuk ka dhe nuk mund të vihet në pikëpyetje nga fakti që Shqipëria e kishte të pamundur që të ishte pjesë e këtij procesi”.
 
-Ju zoti ministër, ktheheni nga Gjermania, në një fushatë apo në hapat e fundit përpara mbledhjes së Këshillit Europian ku pritet me besuesueshëmri të lartë marrja e statusit “kandidat” pëër Shqipërinë. Nëse ne deshtojmë edhe këtë herë, pavarësisht se cili  mund të jetë përgjegjësi kryesor apo edhe rrethanat, çfarë do të bëjë qeveria, ku do të duhet të punojë që kjo të ndryshojë?
 
-Ditmir Bushati:
“E para, unë besoj që ne duhet të mendojmë për një skenar që është skenari realist, Dhe, skenari realist ka të bëjë me nevojën për reforma të mëtejshme të Shqipërisë pavarësisht nëse e merr apo nuk e merr në dhjetor statusin e vendit “kandidat”, në rast se fillon në një të ardhme të afërt procesi i bisedimeve për anëtarësim apo nuk fillon. Pse e them këtë?

E them këtë sepse këto janë reforma të rëndësishme për procesin e shtetndërtimit dhe procesin e transformimit demokratik. Mund t’u them që në fazën që jemi aktualisht, pra rreth 4 javë përpara vendimmarrjes së Bashkimit Europian, ka një realizëm në mënyrën se si trajtohet statusi i vendit “kandidat” përsa i përket Shqipërisë. Komisioni Europian ka bërë një rekomandim shumë të qartë dhe bazuar edhe mbi mbështetjen që i ka bërë Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian në dhjetor të 2012-ës dhe tashmë janë vendet anëtare që do të duhet të marrin një vendim politik në lidhje me atë që çfarë ka propozuar Komisioni Europian.

Thënë kjo, që nuk do të thotë që Shqipëria nuk ka detyra për të bërë. E thashë edhe më parë. Ritmi i reformave duhet të vazhdojë të konsolidohet, cilësia e reformave duhet të përmirësohet. Kryesisht e kam fjalën për reformat që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës, sepse Komisioni Europian për herë të parë ka bërë një ndarje le të themi të qartë të detyrave dhe të etapave midis kritereve që duhen përmbushur për të plotësuar statusin e vendit “kandidat”, pra për të marrë statusin e vendit “kandidat” dhe për këtë Komisioni Europian ka shprehur rekomandimin e qartë dhe kritereve që janë të papërmbushura dhe që duhet të përmbushen për të filluar bisedimet për anëtarësim.

Por, në të dyja rastet duhet të pranojmë që Komisioni Europian është në rolin e rekomanduesit. Janë vendet anëtare që do të vendosin. Janë vendet anëtare që do të kuptohet, do të kenë një qëndrim politik në lidhje me Shqipërinë përsa i përket dhjetorit të këtij viti”.
 
 
-Padyshim që mes vendeve anëtarë ka dyshuese. Ato kanë disa arsye. A mund të dimë nëse në këto arsye të tyre për dyshime ndaj dhënies Shqipërisë të statusit “kandidat” mund përfshihen edhe vërejtje që ka opozita për mënyrën e sjelljes së qeverisë? Domosdo që opozita mbetet gjithmonë në parapritë, sikurse keni qenë edhe Ju për vërejtje ndaj qeverive gjatë 8 vjetëve.
 
-Ditmir Bushati:
“E para, nuk flasim për vende të cilat janë dyshuese, por për vende që përgjithësisht kanë një qëndrim më të përmbajtur ndaj politikës së zgjerimit. Dihet që në dekadën e fundit Bashkimi Europian është pothuajse është dyfishuar. Në këtë proces pavarësisht historisë së madhe të suksesit dhe të transformimit, të zgjerimit të kufijve që ka pësuar Bashkimi Europian, kuptohet që ka edhe shtete që mendojnë se ky proces duhet të ketë ritme të tjera dhe se duhet sofistikuar edhe më tej niveli i mbikqyrjes për reforma ndaj vendit që synon të anëtarësohet në Bashkimin Europian.

Deri në këtë moment që flasim, përgjithësisht nga kontaktet që kam pasur si nga ministrat e Jashtëm që kanë vizituar Shqipërinë dhe që nuk kanë qenë pak në kohët e fundit, ashtu edhe nga vizitat e mia jashtë vendit në kuadër dypalësh apo shumëpalësh, nuk më është vënë në tryezën e bisedimeve, apo nuk më është përcjellë asnjë prej shqetësimeve që ngre opozita.

Më është bërë e ditur që vendet janë duke e studiuar me seriozitetin përkatës rekomandimin e Komisionit Europian, i cili kuptohet që parashoqërohet nga raporti, ku janë të gjitha gjetjet në lidhje me Shqipërinë. Dhe, ka vende të tjera që publikisht janë shprehur që në këtë fazë “pro”, por ka edhe vende të tjera që janë ende në proces shqyrtimi të gjetjeve të Komisionit Europian. Mirëpo, për momentin, nuk na është vënë në tryezën e bisedimeve asnjë çështje, e cila do të na pengonte statusin “kandidat” për Shqipërinë. Pra, çështje e brendshme flas”.
 
-Greqia e merr Presidencën e Bashkimit Europian nga 1 janari deri në 30 qershor të 2014-ës. Mandej, vazhdon Italia. Natyrisht, edhe në këndvështrimin historik këto janë dy vende që kanë pasur problematika ndaj Shqipërisë, përkatësisht Greqia kryesisht, ndërsa Italia është parë më afër. A mendoni se shtyrja e mundshme nga Greqia, do ta rikapë hapin në periudhën e Presidencës së Italisë? A ka një dyshim Shqipëria për këtë, që Greqia mund të bëhet pengesë?
 
-Ditmir Bushati:
“Jo, nuk ka dyshim dhe nuk ka përse të ketë dyshim për një gjë të tillë.
Greqia është një fqinj, partner strategjik në politikën tonë të jashtme, është një vend, i cili ka një mbështetje të qartë përsa i përket politikës së zgjerimit. Mund të kujtoj këtu që disa prej fryteve që kemi korrur gjatë kësaj periudhe, janë fryte që, le të themi i përkasin mbështetjes politike që Greqia i ka dhënë këtij procesi në Samitin e Selanikut të vitit 2003. E kam fjalën për procesin e liberalizimit të vizave, për kalimin e vendeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit, për instrumente të ndryshëm financiarë. Të gjitha këto janë ide që u trupëzuan falë Presidencës greke në Samitin e Selanikut të 2003-it.

Përkundrazi, shoh një mundësi për 2014-ën për të intensifikuar axhendën e të gjithë rajonit dhe jo thjesht të Shqipërisë, sepse viti 2014 do të jetë edhe “Viti i Mesdheut”, përsa kohë që Greqia dhe Italia do të mbajnë Presidencën e Bashkimit Europian. Nga ana tjetër është e udhës të theksohet, që roli i presidencave që pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës nuk është më ai i dikurshmi, por është një rol paksa më i retushuar. Por, kur flasim për avancimin e Shqipërisë në këtë proces, duhet të kemi parasysh edhe rolin që ka Shqipëria në Mesdhe, Nismën Joniano-Adriatike, Presidencën e së cilës e ka aktualisht.

Jemi besimplotë që gjatë presidencave greke dhe italiane, Shqipëria do të përparojë edhe në këtë drejtim, sepse janë disa nisma të rëndësishme që do të shoqërohen le të themi, me disa pasoja pozitive përsa i përket zhvillimit ekonomik dhe social, kryesisht flas për fushën e turizmit”.
 
-Zoti Bushati, në mbamendje jeni thuajse Ministri i vetëm që keni folur hapur për çështjen e çamëve. Ju thoni që Greqinë e kemi partnere strategjike. Por, a mund të jetë partner strategjik një shtet që ka pretendime territoriale ndaj Shqipërisë, duke u kujtuar që kërkon Epirin e Veriut apo Vorio Epirin siç i thonë grekët dhe kur krahina kryesore e Shqipërisë së Jugut, Çamëria, ende nuk ka një status siç e përmendtte sëpaku në vitet ‘40 në letërkëmbime ish-kryeministri Jani Metaksa me Rajhun e Tretë (Gjermania Naziste) për t’i rikthyer një autoritet mbi Çamërinë? Qëndron kjo pikëpamje?
 
-Ditmir Bushati:
“Besoj se nuk ka pretendime territoriale në raportet dypalëshe Shqipëri-Greqi.
Dhe, është mirë që të ndajmë qëndrimin e qartë dhe të paekuivok të zyrtarëve grekë dhe shqiptarë, ato që konsiderohen ndryshe si “qëndrime zyrtare” dhe qëndrimet që vijnë nga qarqe periferike dhe që duan të mbajnë gjallë ndjenjën e konfliktit. Greqia është një partner strategjik. Është një partner strategjik jo sepse është le të themi moderne që të thuhet që “Shqipëria ka këtë, këtë dhe atë” partner në rajon dhe në këtë rast të përmendim edhe Greqinë.

Është një partner strategjik në rast se do të shohim nivelin e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtarë
Është një partner strategjik në rast se do t’i referohemi faktit që një projekt i rëndësishëm siç është kalimi i gazsjellësit “TAP” (“Trans Adriatik Pajplajn”) imponon një raport të ri ndërmjet Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë.

Është i rëndësishëm përsa i përket gjërave që ne ndajmë me Greqinë, vijës kufitare qoftë kjo tokësore apo detare. Është i rëndësishëm përsa i përket rrezes së influencës së veprimit që Shqipëria dhëe Greqia kanë në rajonin e Mesdheut.

Është i rëndësishëm përsa i përket edhe elementëve të tjerë të përbashkët që kanë të dy kombet tona.
Nga ana tjetër, fakti që jemi partnerë strategjikë, në një partneritet strategjik, nuk do të thotë se një pjesë e çështjeve të së shkuarës, siç është edhe rasti i asaj që njihet si “Çështja Çame”, apo çështje që kanë lindur sëfundmi (kur them “sëfundmi” kuptoj në 10-15 vjetët e fundit), nuk janë adresuar ende siç duhet në përputhje me parimet e së drejtës dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Një nga, besoj edhe risitë edhe të bisedave që kemi pasur edhe me homologun grek (Vangjel (Evangjelos) Venizellos) apo më pas edhe me Presidentin e Republikës së Greqisë (Karolos Papulias) gjatë vizitës së tij në Tiranë, ka qenë pikërisht vendosmëria e autoriteteve shqiptare për të parashtruar këtë çështje dhe për të synuar zgjidhjen e këtyre çështjeve nën dritën e pikërisht këtyre parimeve që përmenda. Pra, të parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe jo në mënyrë të njëanshme, jo bazuar në retorikë, por bazuar në realitetin ekzistues.

Kjo, sepse të dy vendet janë vende anëtare të NATO-s dhe dy vende që kanë  një përkatësi të qartë euroatlantike që punojnë për fqinjësinë e mirë, është e papranueshme që bie fjala “Ligji i Luftës” të vazhdojë të ekzistojë si relike në legjislacionin grek!? Domethënë, përkundrejt një vendi siç është Shqipëria fqinjë dhe që të dy jemi anëtarë të NATO-s dhe që synojmë familjen europiane.

Pra, ka një sërë çështjesh, të cilat ne si palë shqiptare jemi të hapur dhe të vendosur për t’u ulur dhe për t’i diskutuar në të gjitha nivelet. Kuptohet, që fillimisht do të ishte në nivelin teknik, për t’i dhënë më pas edhe vellon politike një procesi që do të ndërtohej mbi këto shina. Por, nga ana tjetër kjo nuk duhet të na pengojë për të ecur përpara me projekte dhe në fusha të interesit të ndërsjellë”.
 
-Zoti ministër, a përshihet këtu në këtë përgjigje, edhe marrëveshja për përcaktimin e kufirit detar? Dhe, mbi të gjitha nëse ka një grup të ri pune, deri ku ka ecur? Mbi cilat harta po punohet? A po përdoren hartat e marrëveshjes së shkuar që u rrëzua në Gjykatën Kushtetuese apo do të ketë hartografi tjetër?
 
-Ditmir Bushati:
“Besoj se kjo është një pyetje që nuk ka nevojë për një përgjigje të gjatë. Gjykata Kushtetuese ka folur qartë. Ne jemi një vend ku sundimi i së drejtës është i një rëndësie parësore si çdo vend tjetër demokratik dhe që synon të jetë pjesë e familjes europiane. Ne e kemi studiuar me shumë kujdes vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kemi bërë një konsultim brenda institucionit, por edhe me ekspertë jashtë institucionit. Kemi identifikuar piketat dhe një listë detyrash që do të duhet të kihen parasysh shumë qartë në të ardhmen, sepse nuk mund të përsëriten dhe sepse është Gjykata Kushtetuese, e cila ka folur jashtëzakonisht qartë në këtë drejtim. Kushdo që do të jetë në këtë institucion, kushdo që do të ulet në krye të punëve të shtetit, e ka për detyrë që të ndjekë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese”.
 
-Në këtë nisje të pjesës së dytë të intervistës sëbashku… Mbledhja e përbashkët me qeverinë e Kosovës është shtyrë për shmangien e disa ndikimeve të mundshme mbi fushatën zgjedhore vendore në Kosovë. Unë do të doja t’u pyesja, meqënëse kjo do të bëhet praktikë edhe për strategjinë e përbashkët të të dy vendeve, ç’kuptim ka një Traktat Miqësie dhe Bashkëpunimi me Kosovën, kur ne jemi i njejti komb në dy shtete? A ka kuptim Traktati i Miqësisë i parathënë?
 
-Ditmir Bushati:
“Bëhet fjalë për një dokument ku do të përcaktohen fushat kryesore të bashkëpunimit tonë shumëpalësh. Është një praktikë ndërkombëtare, pavarësisht nëse e quajmë “Traktat”, “Deklaratë” apo “Marrëveshje”. Nuk ka rëndësi emri, por ka rëndësi thelbi, pra se çfarë do të përmbajë ky dokument.
Është një praktikë, e cila në dijeninë time është instaluar për herë të parë në Europë nga francezët dhe gjermanët pas Luftës së Dytë Botërore. Sot për sot po të shohim një pjesë e mirë e vendeve të rajonit e kanë bazuar mbi këtë dokument të përcaktuar fushat e bashkëpunimit gjithashtu edhe mbledhjet e përbashkëta të qeverisë. Po u them për shembull, që Greqia dhe Turqia pavarësisht se kanë shumë çështje ende të pazgjidhura mes njera-tjetrës, e para; kanë partneritet strategjik me njera-tjetrën, për shkak të elementëve që kryesisht kanë të bëjnë me fqinjësinë.

E dyta; këtë partneritet strategjik e kanë të trajtuar në një dokument që quhet “Deklarata”, apo “Marrëveshje” apo “Traktat”, sepse kjo është në përptuthje me rregullimet kushtetuese të secilit vend.
E treta; kanë instaluar praktikën e mbledhjeve të përbashkëta të qeverisë me një rend periodik.

Përsa i përket angazhimit tonë me Kosovën. Do të hartohet një dokument i tillë, i cili është në fazën përfundimtare. Është një dokument, i cili ka karakteristikat e dokumentave që sapo përmenda, por i përshtatur në realitetin që i shkon më së miri Shqipërisë dhe Kosovës. Besoj që mbledhja e parë e përbashkët do të kryhet brenda muajit dhjetor ku do të përcaktohen edhe detyra konkrete se si mund të kalojë kjo marrëdhënie nga faza aktuale në një fazë edhe më të avancuar”.

 
-A jeni Ju i kënaqur, a është e kënaqur Shqipëria me zhvillimet në Kosovë, përfshi këtu edhe zgjedhjet e fundit vendore?
 
-Ditmir Bushati:
Zgjedhjet e fundit vendore treguan që Kosova ka bërë hapa përpara drejt konsolidimit të një shoqërie demokratike. Disa incidente në veri të Kosovës nuk e njollosën le të themi, të përgjithshmen pozitive përsa i përket procesit zgjedhor. Në rast se shohim nivelin e pjesëmarrjes edhe të komunitetit serb në veri, krahasuar me zgjedhjet e tjera, kjo falë punës shumë të mirë të autoriteteve kosovare dhe nxitjes që iu bë pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje, pra është shumë më e lartë.

Është një tregues që Kosova po avancon me hapa të shpejtë drejt respektimit të pakicave dhe duke krijuar në këtë mënyrë edhe një dinamikë të re në rajon për vendet të tjera për të ndjekur shembullin e saj. Ne si qeveri, natyrisht që na intereson zhvillimi demokratik dhe transformimi i Kosovës, ankorimi i saj në rrjedhat euroatlantike.

Janë dy ngjarje shumë të rëndësishme në gjykimin tonë: Fillimi i bisedimeve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe procesi i liberalizimit të vizave, të cilat ne dëshirojmë dhe shpresojmë që do të përfundojnë sa më shpejt, do t’i japin Kosovës një kredibilitet të ri në raport me vendet e tjera të rajonit dhe përgjithësisht në raport me Bashkimin Europian. Po kështu po punojmë, po sintonizojmë qëndrimet përsa i përket njohjeve të reja që presim nga shtete të ndryshme.

Fokusi natyrisht mbetet puna me 5 vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe me vendet e “BRICK”-ut (Kina, Rusia, India, Brazili dhe Afrika e Jugut. shën.i gazetarit), të cilat kanë natyrshëm një peshë specifike në vendimmarrjen europiane të parat, dhe në vendimmarrjen ndërkombëtare të dytat”.
 
-Nëse mund ta themi, cili prej këtyre vendeve të “5”-es së Bashkimit Europian mund të “thyhet” për ta njohur më së pari?
 
-Ditmir Bushati:
“Ndoshta nuk do të ishte jetike që të përmendnim vende të ndryshme, sepse çështja e njohjes së një shteti ka një tërësi faktorësh që merren në konsideratë; faktorë lokalë, faktorë rajonalë, faktorë bilateralë, faktorë gjeopolitikë… Por, ka vende që kanë dhënë sinjale të qarta të themi, siç është rasti i Rumanisë, ku qeveria rumune duket se ka qëndrim jo të njejtë me atë të presidentit (Trajan) Basesku për çështjen e njohjes së Kosovës. Ka vende të tjera siç është rasti i Greqisë, të cilët edhe pse nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet, kanë zyra përfaqësimi aty apo kanë njohur dokumentat e udhëtimit të shtetasve kosovarë. Në këtë kuptim, besoj se edhe brenda “5”-es ka vende që po ecin drejt këtij procesi”.

 
-Zoti Bushati, unë kam një pyetje për dy territore historike etnike të Shqipërisë, tashmë në dy shtete të ndryshëm. Përkatësisht, mbi Shqipërinë Lindore, pra shtetin e sotëm maqedonas, territore të humbura pas Luftës Ballkanike, ku shqiptarët atje kanë ende problematika serioze, jo thjesht për Marrëveshjen e Ohrit, por edhe për jetën e përditshme, për shkak të rrethanave historike, mungesës së shkollimit në vazhdimësi. Po ashtu edhe për shqiptarët në Malin e Zi, ku me komunën e Tuzit kemi pasur një problematikë serioze të përfshirjes në komunën e Podgoricës. Çfarë bën Shqipëria konkretisht dhe çfarë kushtëzon nëse mund të shprehemi kështu, që këto dy territore të banuara etnikisht nga shqiptarët të mos jenë në të njejtat rrethana siç kanë qenë gjatë 100 vjetëve të fundit?

 
-Ditmir Bushati:
“T’i marrim me radhë. Në rast se ka një vend, i cili është qartësisht i interesuar për integritetin territorial dhe perspektivën e qartë euroatlantike të Maqedonisë, ky vend është Shqipëria. Në rast se ka një vend që është i interesuar maksimalisht që Maqedonia të mos rrëshqasë drejt krijimit të dy shoqërive paralele, le të themi shoqërisë sllavo-maqedonase dhe shoqërisë shqiptare, ky vend është sërish Shqipëria.

Në lidhje me Maqedoninë. Ne besojmë që Marrëveshja e Ohrit dhe zbatimi i përpiktë i Marrëveshjes së Ohrit është ilaçi i vetëm dhe më i mirë që do të garatonte harmoninë, bashkëjetesën paqësore dhe integrim të qartë në strukturat euroatlantike të Maqedonisë.

Ne kemi kontakte të drejtpërdrejta dhe të vazhdueshme me autoritetet përfaqësuese shqiptare në Maqedoni sikundër kontakte të karakterit zyrtar apo qeveritar me Maqedoninë. Dhe, ne e kemi shprehur shumë qartë qëndrimin tonë dhe pikëpamjen tonë për këtë proces. Sikundër, kemi nxitur faktorin politik shqiptar në Maqedoni për të pasur një qëndrim sa më koherent, sa më të unifikuar, sepse sa më koherent dhe sa më i unifikuar të jetë qëndrimi i faktorëve politikë shqiptarë, aq më të mëdha janë mundësitë për të respektuar dhe zbatuar jo thjesht Marrëveshjen e Ohrit, por të drejtat legjitime të shqiptarëve në Maqedoni.

Në lidhje me Malin e Zi. Mund të thuhet pa mëdyshje se marrëdhëniet shqiptaro-malazeze janë marrëdhënie model, që duhet të ndiqen edhe nga vende të tjera të rajonit. Kjo nuk do të thotë se çdo gjë apo se nuk ka asnjë çështje për t’u trajtuar në bisedimet shqiptaro-malazeze. Ju përmendët rastin e Tuzit. Ne kemi mbështetur pikëpamjet që duhet të njihet statusi i komunës, sepse konfiguracioni aktual i përfaqësimit politik në Malin e Zi nuk reflekton në mënyrë proporcionale komunitetet e ndryshme që jetojnë në Malin e Zi. Besojmë se komuniteti shiqptar në Malin e Zi do të vazhdojë të jetë faktor stabiliteti në këtë Republikë sikundrë ishte faktorit përcaktues për mëvehtësinë e Malit të Zi.

Edhe përsa i përket Malit të Zi, jemi në kontakte të vazhdueshme me faktorin shqiptar atje. Nxisim një qëndrim sa më koherent dhe sa më të unifikuar kur vjen puna për çështje që kanë të bëjnë me mbrojtjen e lirive të të drejtave legjitime të popullsisë shqiptare në Malin e Zi. Dhe, nga ana tjetër niveli i bashkëpunimit politik dhe ekonomik me këtë Republikë do të thoja që është një model për t’u marrë shembull edhe nga vende të tjera”.
 
-Zoti Bushati, kryeministri Edi Rama dhe Ju shkoni për vizitë të pritshme në Serbi. Padyshim që aspekti ekonomik është i rëndësishëm në zhvillimet e reja ballkanike. Mirëpo, a është Serbia një vend tërësisht për t’u respektuar krahasuar me atë që do të duhet të bënte për shqiptarët në Luginën e Preshevës? Është çështja e diplomave të studentëve, është çështja e abetareve të konfiskuara javët e fundit… Është gjithashtu një status për shqiptarët që thuajse nuk ndihen fare të Vranjës, të Toplicës, për shqiptarët e dëbuar njëherë e një kohë nga Beogradi. Pra, janë komunitete që kanë nevojë për një ndjeshmëri, aq më tepër që deri tani kanë qenë të harruar. Çfarë do të kërkoni në Serbi dhe a do të shkoni në Prehsevë?
 
-Ditmir Bushati:
“Së pari, më lejoni të them që çështja e shqiptarëve të Preshveës është prioritet i politikës tonë të jashtme në rajon. Natyrisht jemi të shqetësuar për atë që ndodh aktualisht në Preshevë dhe për faktin që ajo pjesë e Luginës, e cila nga pikëpamja gjeografike është në një pozicion strategjik, shihet qartë që është përjashtuar nga pjesëmarrja në zhvillimet ekonomike dhe sociale në vend, pavarësisht përfaqësimit politik që ka në Kuvendin serb.

Rezolutat e institucioneve ndërkombëtare për situatën në Preshveë flasin qartë. Edhe me autoritetet përfaqësuese të Preshevës jemi në kontakt. E njejta gjë mund të thuhet si përsa i përket Maqedonisë dhe Malit të Zi edhe për Luginën e Preshevës, ku bie fjala për të pasur një qëndrim sa më koherent, sa më unik të faktorit shqiptar; për të kaluar sa më shumë që të jetë e mundur divergjencat që ekzistojnë mes tyre. Sepse, një faktor politik shqiptar koherent dhe unik është gjithmonë një mundësi për të krijuar një frymë pozitive presioni mbi autoritetet shtetërore për respektimin e lirive dhe të drejtave themelore.
Serbia nga ana tjetër është një vend që ka një peshë specifike në Ballkan.

Është koha që çështjet, të cilat janë ende të pazgjidhshme të vihen në tryezën e bisedimeve në mënyrë që të marrin trajtesën e duhur një e nga një. E kam thënë edhe në raste të tjera dhe po e them edhe këtu: Një lloj bashkëpunimi dhe një lloj ripajtimi mes kombit shqiptar dhe kombit serb është i domosdoshëm për avancimin e rajonit në rrjedhat euroatlantike. Është i domosdoshëm gjithashtu që procesi i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi të pasohet jo thjesht nga zbatimi i saktë dhe i duhur i marrëveshjes ekzistuese, nga procesi i ripajtimit mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë kontekst vizita jonë e pritshme apo vizita e pritshme e kryeministrit në Serbi do të jetë në funksion të përçimit pikërisht të këtyre mesazheve”.

 
-Komuniteti shqiptaro-amerikan, diaspora në tërësi është thuajse qartësisht e papërfaqësuar në institucionet vendimmarrëse të Shqipërisë. Meqënëse Ju jeni takuar me përfaqësuesit e OSBE/ODIHR-it dhe keni folur për reformën e ardhshme zgjedhore, a e shihni të mundshme që komuniteti shqiptaro-amerikan, diaspora në tërësi të përfaqësohet me deputetë? Cilat janë përparësitë që u jep qeveria e Shqipërisë, kryesisht komunitetit shqiptaro-amerikan?
 
-Ditmir Bushati:
“Më bëre disa pyetje, por e para po i përgjigjem çështjes nëse shqiptarët kudo që jetojnë do të kenë mundësi për të votuar. Ne natyrisht kemi qenë pro kësaj gjëje që në opozitë dhe do të përpiqemi që të jetësojmë këtë të drejtë sot që jemi në krye të punëve të vendit. Nga ana tjetër kjo është një çështje besimi, që ka të bëjë me reformën zgjedhore, ka të bëjë me dy palë. Pra, nuk është thjesht dëshira e qeverisë për të përfshirë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, sepse duhet krijuar besimi.

Në rast se pala tjetër që është opozita nuk e ka besimin tek institucionet që mund ta menaxhojnë këtë proces për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, natyrisht që zbatimi i kësaj gjëje do të bëhej i vështirë. Ne duhet të kemi besim sa më të qartë në procesin zgjedhor në mënyrë që të avancojmë edhe me përfshirjen e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit në këtë proces. Së dyti, jemi dhe e konsiderojmë diasporën shqiptare një aset të diplomacisë publike.

Jemi duke eksploruar disa forma të bashkëpunimit, siç është rasti i Nju Jorkut, ku njerin prej njerëzve më të shquar të diasporës shqiptare e kemi ngarkuar që të jetë Konsull Nderi në Nju Jork, për të punuar sëbashku me të në projekte të ndryshme që kanë të bëjnë le të themi jo thjesht me identifikimin e diasporës shqiptare, por edhe në mbajtjen sëbashku në disa prej çështjeve që janë shumë të rëndësishme për të.

E kam fjalën këtu për gjuhën, për kulturën, për ndërtimin e disa mekanizmave që do ta mbanin shumë afër me Shqipërinë diasporën shqiptare.

Sikundër, jemi duke punuar po në këtë drejtim për të tërhequr me investime në Shqipëri gjithë ata njerëz të diasporës, të cilët falë talentit të tyre, falë energjive të tyre kanë bërë sukses në vendet ku jetojnë dhe mund të dëshirojnë që eksperiencën që kanë të vijnë dhe ta sjellin edhe në Shqipëri”.

 

 
-Zoti ministër, ishte kënaqësi biseda me Ju!
 
-Ditmir Bushati:
“Faleminderit; Ju”!