Bushati: Shqipëri-Kosovë mund të kenë hapësirë të përbashkët radiotelevizive

Intervistë e kryetares së Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit, Endira Bushati dhënë gazetës “Illyria” në SHBA

 

Bisedoi: Denion Ndrenika

 -Zonja Bushati, faleminderit që pranuat të bisedoni me gazetën “Illyria” të komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara. Pyetja e parë lidhet me mundësinë e realizimit të projekt-idesë së kryeministrit Sali Berisha për krijimin e një hapësire të përbashkët radiotelevizive ndërmjet Shqipërisë dhe të Kosovës. E shihni të mundshme, fillimisht në parim këtë?

-Endira Bushati: “Kjo projekt-ide shoh që ka ngjallur mjaft debat qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, një debat, që më së shumti është midis gazetarëve dhe politikanëve.

Parë nga këndvështrimi i ligjor, kjo projekt-ide është mëse e realizueshme. Siç mund të jeni në dijeni, ligji aktual është i vitit 1998. Dhe, me këtë ligj është i mundshëm licencimi apo më saktë dhënia e lejes për një subjekt radioteleviziv me përsëritësa brenda territorit të Republikës së Shqipërisë”.

 

-Meqënëse dolët menjëherë te çështja ligjore, pra te kuadri ligjor i sotëm. Ju sapo thatë që është i mundshëm me përsëritësa. Mirëpo, çfarë duhet të bëjnë, thënë më shkoqur, radiot dhe televizionet që ta marrin në mos licencën, lejen (për vendosjen e përsëritësve), për të filluar transmetimin në territoret e ndërsjellë?

-Endira Bushati: “Së pari, kalova direkt në parashikimin ligjor, për të mbyllur çdo lloj debati apo retorike lidhur me këtë çështje. Një subjekt radioteleviziv për të mundësuar transmetimin në territorin e Republikës së Shqipërisë nëpërmjet përsëritësave, mjafton që të paraqesë interesin pranë Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit. Pastaj, Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit studion mundësinë teknike për të realizuar këtë, më konkretisht hapësirat frekuencore për transmetimin në rrugë tokësore. Mandej, për këtë bëhet një procedurë administrative në dhënien e vendimit administrativ dhe është thjesht çështje teknike vendosja e një transmetuesi në pikat e transmetimit për zonën që kërkohet të mbulohet.

Është një praktikë që ne, pra Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit e ka bërë ndër vite. Ju jeni dëshmitarë të gjithë që sot në territorin e Republikës së Shqipërisë shihet televizioni francez “TV5” (“tv senk mond”-leximi frëngjisht). Përpara disa javësh ne licencuam radion “China International” (“CRI”, pra radion kineze) dhe kemi edhe disa radio të tjera që transmetojnë në territorin tonë në këtë mënyrë, pra me përsëritësa”.

 

-Meqë jemi hartimin e një ligji të ri, duke iu referuar normativave ndërkombëtare për të pasur brenda qershorit të vitit 2015, kalimin në sistemin dixhital, pra në sistemin e transmetimeve numerike (sot është transmetimi në sistemin analog), a ka të parashikuar ligji i ri, ose sëpaku pas kësaj projekt-ideje të zotit Berisha, të përfshijë pikërisht këtë mundësi të transmetimeve të ndërsjella? Gjithnjë, duke i bërë po themi “një pritë” dyshimeve që mund të kenë ndërkombëtarët, sëpaku në aspektin ligjor.

-Endira Bushati: “Kur fola pak më lart për mundësinë qoftë ligjore, qoftë teknike për të transmetuar në Shqipëri, konkretisht të subjektit Radios dhe Televizionit Publik të Kosovës (RTK), iu referova një kohe të limituar, ose më saktë një lejeje provizore që duhet të mbarojë deri në qershor 2015, kur është detyrimi i Shqipërisë në kuadër të marrëveshjeve ndërkombëtare për kalimin nga transmetimet analoge në transmetimet numerike apo siç quhen ndryshe transmetimet dixhitale.

Ka një projektligj që po diskutohet në Komisonin për Media të Kuvendit të Shqipërisë. Sigurisht, që ky projektligj krijon hapësira më të mëdha për transmetimet e kanaleve televizive jo vetëm të Kosovës apo të Maqedonisë, apo në përgjithësi të hapësirës mbarëshqiptare, por edhe të subjekteve të tjera që duan të kenë një program ose siç quhen ndryshe në termat e ligjit “operatorë të shërbimit mediatik”.

A parashikohet që kjo çështje, pra konkretisht e televizioneve të Kosovës të transmetohet këtu në sistemin dixhital?

Sigurisht që, ligji nuk shprehet në mënyrë specifike për këtë, por parashikon rrjejet që do të licencohen dhe në varësi të hapësirave dhe të procedurave ligjore, çdo lloj televizioni, qoftë i Kosovës, qoftë i hapësirës mbarëshqiptare, mund të mbështetet në një nga këto rrjete, kundrejt sigurisht detyrimeve ligjore të parashikuara, qoftë në ligj qoftë në akte të tjera nënligjore që do të dalin në bazë dhe për zbatim të këtij ligji”.

 

-Zonja Bushati, pasi më përmendët kapacitetet teknike, pra që janë të mundshme, pavarësisht kohës. Atëherë, po pyes se sa mund të shkojë dhënia e lejes, pra që nga paraqitja e kërkesës deri në fillimin e operimit apo transmetimit?

-Endira Bushati: “Kjo është thjesht çështje vullneti dhe mundësish nga televizioni kosovar. Nëse kërkesa paraqitet po themi sot, mund të garantoj se brenda 4-5 javësh kjo procedurë administrative përfundon. Pastaj, mund të ketë ndonjë element për t’u zbatuar, që është transmetuesi i vendosur po themi në Malin e Dajtit (në periferinë lindore të Tiranës) për të mbuluar zonën Tiranë-Durrës apo ndonjë pikë tjetër transmetimi për ta zgjeruar këtë zonë transmetimi”.

 

-Mund të kemi një licencë kombëtare për operim në të dy këto territore? A mendoni se mund të kemi një trupë të përbashkët? Bëj fjalë ndërmjet KKRT dhe entit përkatës në Kosovë për të marrë licenca të plota, pra jo thjesht nëpërmjet përsëritësve? Në fakt, përveçse pyetjes së thjeshtë se ku është interesi i përbashkët si dhe qëllimi për të bashkuar shqiptarët, mundësitë financiare duket që nuk janë shumë të mira për subjektet radiotelevizivë. A ka më shumë lehtësi në sistemin e sotëm analog me përsëritës apo në sistemin e transmetimeve numerike?

-Endira Bushati: “Sistemi numerik, siç dihet, ka një avantazh shumë të madh. Përveçse liron brezin e frekuencave për përdorimin (e frekuencave që lirohen) e telefonisë celulare apo për shërbimet e tjera të telekomunikacionit, ka edhe avantazhin që në një frekuencë mund të transmetohen deri në 16 kanale, gjithnjë nëse marrim parasysh standard “definition”. Por, nëse kalojmë në standardet e tjera si “high definition” apo “full high definition”, atëherë ky numër i kanaleve zbret në varësi të teknologjisë së përdorur.

Pra, shërbimi numerik sigurisht që do të ofrojë më shumë mundësi që programet shqiptare të subjekteve të licencuara brenda territorit të Republikës së Shqipërisë të transmetohen edhe në Kosovë dhe anasjelltas. Kjo nënkupton që dy entet tona rregullatore, pra Këshilli Kombëtar i Radio Televizionit në Shqipëri dhe KPM-ja në Kosovë, të bashkëpunojnë në kuadër të një projekti për licencimin e programeve televizive mbarëshqiptare në rrjetet përkatëse në territoret përkatëse”.

 

-Në tërësi një përmbledhje zonja Bushati. Çfarë duhet të ketë, çfarë kapacitetesh, një media radiotelevizive që të fillojë punë, pra përveç kuadrit ligjit?

-Endira Bushati: “Në rastin kur subjekti radioteleviziv po licencohet për transmetim me përsëritësa, kapacitetet do të jenë thjesht teknike. Në rastin konkret, pas shfaqjes së interesit të Radio Televizionit Publik të Kosovës (RTK), për të transmetuar në rrugë tokësore me përsëritësa në Shqipëri, ka nevojë për një transmetues dhe ndoshta disa antena. Por, për këtë janë teknikët që duhet të japin një përgjigje më të mirë.

Sigurisht që, kanë mbështetjen e plotë të Radio Televizionit Publik Shqiptar që kjo të mundësohet në rrugët sa më pak të kushtueshme për Radio Televizonin e Kosovës. Në këtë rast nuk ka nevojë as për ndonjë zyrë, as për gazetarë, përveç korrespondentëve që Radio Televizioni i Kosovës mund të ketë në Shqipëri dhe programi që transmetohet në Kosovë, do të transmetohet edhe në Republikën e Shqipërisë.

Në momentin e kalimit në sistemin e transmetimit numerik (dixhital), i gjithë sistemi pëson një revolucuion. Atëherë, çështja teknike kalon të themi në plan të dytë, sepse do të kemi licenca më vehte për rrjetet dhe licencë më vehte për ata që quhen “operatorë të shërbimit mediatik”. Mbase është pak teknike për publikun, por “rrjetet” janë elementët teknikë, ndërsa “licenca” për operatorin e shërbimit mediatik ka të bëjë me programin që transmeton një subjekl.

Ne këtu në Shqipëri jemi familjarë, sepse kemi platforma numerike ekzistuese siç mund të jenë “Digitalb”-i dhe “Tring”-u dhe sigurisht një numër të madh televizionesh, subjektesh televizive kabllore. Dhe, në momentin kur ne të kalojmë në sistemin numerik, atëherë çdo subjekt i interesuar mund të prodhojë një kanal televiziv tematik; lajmesh, për fëmijë, sport, historik, gjeorgrafik në varësi të interesave të tij për të qenë prezent në treg dhe në atë rast diskutimi është ndryshe, Mbase një subjekt kosovar që dëshiron të licencohet për një kanal të tillë televiziv në Shqipëri mund të ketë nevojë për një infrastrukturë tjetër, qoftë në burime njerëzore, qoftë në kapacitete teknike”.