Çamëria është çështje historike, jo çështje pronash të çamëve

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Shoqëria “Çamëria” reagojnë ndaj programit qeverisës të partisë kryesore opozitare në Greqi, “Syriza”

 

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet në koalicionin në pushtet në Shqipëri kundërshtoi programin qeveritar të partisë kryesore opozitare në Greqi, “Syriza” mbi mohimin e çështjes së Çamërisë si çështje pronash të çamëve dhe jo çështje të historisë së dhimbshme të dëbimit dhe genocidit ndaj tyre, si grupi më i madh etnik në Greqi deri pas pas Luftës së Dytë Botërore. PDIU, mori shkas nga botimi i programit të partisë të së majtës në Greqi, për të cilën çështja çame mbetet çështje pronash si dhe të marrëdhënieve të saj me Shqipërinë. Në një deklaratë, PDIU vëren se në lidhje me çështjen çame “Syriza” thotë se nuk duhet të pranohen dhe të konsiderohen si absurde pretendimet pronësore të këtij komuniteti që, sipas tyre, paskësh “bashkëpunuar me pushtuesit” dhe “u largua vetë nga Greqia në fund të Luftës së Dytë Botërore”. Po ashtu kjo parti në programin qeverisës, në lidhje me Shqipërinë, ka pozicione më ekstremiste se partitë qeverisëse në linjë me ekstremizmin antiperëndimor grek, “duke na afirmuar përbërësen antiperëndimore të shoqërisë greke, qoftë djathtas me “Agimin e Artë”, qoftë majtas me “Syriza”.
PDIU thotë se si parti kombëtariste, që përfaqëson denjësisht dhe komunitetin çam në Shqipëri, e vlerëson “Syriza”-n seriozisht si alternativën kryesore qeverisëse në Greqi. Por, mbi këtë gjykim PDIU kërkon që saktësojë se me përfshirjen në programin e saj të çështjes çame, “Syriza” si parti e skenës politike greke, “afirmon me forcë se çështja çame ekziston”. “Por, -thuhet në deklaratën e PDIU-së, – sigurisht çështja çame nuk ekziston siç e kuptokërk “Syriza” si “çështje pronash”, por si “çështje drejtësie europiane”, siç paraqitet në rezolutën e dorëzuar nga PDIU në parlamentin shqiptar”.
“PDIU dhe shoqëria “Çamëria” dënojnë me forcë deklaratat antihistorike të “Syriza” sipas të cilës shqiptarët e Çamërisë qenkëshin bashkëpunëtorë të nazizmit. Kjo është një dyfytyrësi e kësaj partie që pretendon se origjina e saj është nga EAM (Fronti Antifashist Grek). Pikërisht në këtë front, që “Syriza” po deklaron se paskësh origjinën, kanë marrë pjesë edhe mijra shqiptarë të Çamërisë, themelues dhe të inkuadruar në Batalionin IV “Ali Demi”. Këtë fakt historik “Syriza” e di shumë mirë, sikurse di që mijëra shqiptarë të tjerë të Çamërisë themeluan dhe u inkuadruan në Batalionin “Çamëria” të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare”
PDIU kthen kujtesën historike të bashkëpunimit të shqiptarëve çamë kundër pushtuesve fashistë dhe nazistë, duke përmendur se
me mbështetjen e nazistëve të EDES-it që u turrën mbi një popullsi të pafajshme si shqiptarët e Çamërisë, “Syriza” e barazon veten me
“Agimin e Artë”, teksa të dyja kanë për heronj Napoleon Zervën dhe bashkëtradhëtarët e tij”: “Të jesh kundër fëmijve, grave dhe pleqve të vrarë në genocid e të dëbuar nga vatrat e tyre amtare dhe të jesh kundër luftëtarëve antifashist, nuk të jep asnjë identitet kombëtar, përveçse të bën të jesh kundërshtar i ethët i të drejtave themelore të Njeriut”.
PDIu vëren gjithashtu se presidenti i Greqisë, Karolos Papulias e ka pohuar në fillim të viteve 90, si ish-ministër i Jashtëm se “kjo çështje (çështja çame), për zgjidhjen e saj kërkon të kalojë njëfarë kohe, sa të qetësohen plagët e krijuara”. “Është për keqardhje, -thuhet në deklaratën e PDIU-së, referuar kryetarit të “Syriza”-s Aleksis Cipras “një prapambetje kaq e madhe e dikujt që as e ka njohur personalisht Luftën e Dytë dhe as ka lexuar historianët e duhur për ta kuptuar atë”.
“Megjithëse qeveritë greke bënë gjithçka që popullsia çame të hidhej në prehrin e fashizmit, duke internuar që pa filluar lufta mijëra burra në ishujt grekë, popullsia çame ishte faktor i rëndësishëm në dështimin e pushtimit grek nga Italia. Kjo është pohuar nga komunikimet e ambasadorit amerikan të kohës, apo dhe vetë deklarimet e udhëheqësve italianë të kohës si Konti Çiano të cilët u zhgënjyen nga mungesa e bashkëpunimit të popullsisë çame me ta. Me pushtuesit bashkëpunoi vetë Zerva, figura gjakatare e milicive të djathta greke, i cili pastaj bëri trimin me gratë, pleqtë dhe fëmijët e pambrojtur të popullsisë çame”-thuhet në deklaratë.
Megjithatë, “Syriza” dhe zoti Cipras, sipas PDIU-së, harrojnë që nuk ka fajësi kolektive, por individuale dhe se me konceptet që shpreh në program “ky lider del më radikal dhe sa junta e kolonelëve të djathtë, apo qeveritë e majta, që i ftuan të riatdhesoheshin në fillim të viteve 70, dhe 80, të gjithë protagonistët e luftës civile greke, luftëtarë antifashistë, apo pro pushtuesit që u larguan nga Greqia në vitet 44-49, me përjashtim të shqiptarëve të Çamërisë”.
“Këto deklarata të “Syriza” që në fakt janë propaganda zyrtare greke prej vitit 1948, kur vendosën që brenda ditës të ndryshonin historinë, kanë një qëllim të vetëm, të krijojnë përshtypje të gabuara në institucionet ndërkombëtare. Është e qartë tashmë që shteti grek dhe partitë politike greke e dinë se çështja çame është një hap përpara zgjidhjes dhe prandaj kanë vendosur të gjitha mekanizmat e tyre në një luftë balte, që në fakt mendojnë se është shpresa e tyre e fundit. Por, dielli nuk mbulohet dot me shosh dhe e drejta e patjetërsueshme e shqiptarëve të Çamërisë nuk mund të mbulohet nga mashtrime të ulëta të partive politike greke apo të të porositurve të tyre në Tiranë”-vijon deklarata.

Comment

*