Cannes: Palma e Artë për La vie d’Adele

Me dorëzimin e „Palmës së Artë“ dhe me çmime të tjera përfundoi në Cannes Festivali i 66-të i Filmit. Si filmi më i mirë u zgjodh një film me temë dashurie, si vitin e kaluar.

Palmën e Artë, çmimin kryesor i Festivalit të Filmit të Cannes e merr këtë vit filmi francez „La vie d’Adele“, i Abdellatif Kechiche. Këtë e bëri të ditur juria në përfundim të Festivalit të 66-të të Filmit në qytetin e Francës së Jugut. Filmi përshkruan dashurinë midis dy grave lesbike.

Si aktorja më e mirë u zgjodh aktorja franceze, Bérénice Bejo. 36 vjeçaren e vlerësuan për rolin e saj si nënë e familjes në dramën „Le Passé“, të regjizorit iranian, Asghar Farhadi.

Si aktorin më të mirë mashkull, juria zgjodhi aktorin nga SHBA, Bruce Dern. Veterani 76 vjeçar i Hollivudit e mori çmimin për rolin e tij në filmin „Nebraska“. Për Dernin, i cili nuk pati mundësi të shkonte në Cannes, çmimin e mori në dorëzim regjizori i filmit, Alexander Payne.

Me çmimin e madh të jurisë u nderua “Inside Llewyn Davis”, i vëllezërve Ethan Coen dhe Joel Coen. Çmimin i jurisë e mori “Like Father, Like Son”, një film i regjisorit Kore-Eda Hirokazu (Japoni).

Çmimin për skenarin më të mirë e mori Jia Zhangke për “A Touch Of Sin”, atë për regjinë më të mirë, Amat Escalante (Meksikë) për filmin “Heli”. Palma e Artë për filmin më të mirë të shkurtër u dha për filmin „Safe“ nga Koreja e Jugut.