“Carnegie Hall” Fillon Sezonin 2021-2022

Julika Prifti

Më 6 tetor, 2021, qyteti i Nju Jorkut sikur u kthye në jetën para coranavirusit me një nga mbrëmjet rituale të muzikes që i japin emrin “qytetit që nuk fle kurrë”. Mijëra qytetarë të veshur si për festë, rrinin në radhët e gjata për të hyrë në shfaqjen e parë me spektatorë të Carnegie Hall. Punonjësit e shumtë me uniforma ku lexohej lehtësisht sigla e Carnegie Hall, kontrollonin kartën e vaksinimin dhe kartën e identitetit të spektatorëve për të përshpejtuar hyrjen. Pas kontrollit ata u vinin në dorë byzylykun përkatës, nje kordonin të kuq që të lejonte hyrjen në sallën e koncertit. Tapeti i kuq, shtruar përpara dyerve kryesore të ndërtesës, të ngjallte një gëzim fëminor e të linte të merrje fryme lirisht, sikur codiv- 19 kishte humbur raundin e parë dhe tani mund ta imagjinoje fitoren mbi të ose të paktën për disa orë do hyje në botën e musikës klasike dhe nuk do dëgjoje për të.

Koncerti – Gala u hap nga orkestra simfonike e Filadelfisë nën drejtimin e Yannick Nezet-Sequin (frances- kanadez) Kur në skenë Clive Gillinson, drejtori ekzekutiv dhe arstistik, e hapi fjalën e rastit me shprehjen “Mirse erdhët përsëri!” salla shpërtheu në brohoritje të ndjera euforike që vazhduan gjatë si kundërpeshë e heshtjes prej 572 ditëve të sallës koncertale të shkaktuar nga pandemia. Carnegie Hall, kjo hapërisë e mirënjohur koncertesh në Amerikë e në botë hapi sezonin e saj me një program special, me disa pjesë të preferuara nga publiku. Në program përfshiheshin Overtura e “Candit-e” nga Berstein-i, Simfonia e 5 e Beethoven, Piano Concerto no. 2 në F Major, Op 102 të Shostakovich, si dhe dy pjesë të reja.”Seven O’Clock Shout” (Thirrja e Orës Shtatë) nga Valerie Coleman dhe Jeder Baum spricht (Çdo pemë flet) nga Imam Habibi. 

Koncerti filloi në orën 7 të mbrëmjes dhe u luajt pa interval. Pjesa e Varelie Colenman-Seven O’Clock Shout (“Thirrja e Orës Shtatë”) u luajt e para. Kjo pjesë e frymëzuar nga Decameroni i Boccaccio, shkrimtar italian i shekullit të 14, me përshkrime të frikshme dhe tmerret e sjella nga murtaja, kufomat e dergjura në rrugë, qytetarë që largohen të tmerruar nga vendet e tyre të banimit për të jetuar e për të gjetur shpëtimin në natyrë i përshtatet kohës dhe disa përjetimeve të pandemisë. Valerie Coleman përshkruan forcat isoluese që rëndojnë mbi njerëzimin dhe nevoja e dëshira për t’u gjendur pranë e për të ndihmuar njëri-tjetrin. Duke ndjekur shembullin e mëparshëm nga Italia dhe Spanja, kur epidemia përfshiu brigjet përtej oqeanit Atlantik, qytetarët duartrokisnin apo trokëllinin në orën 7 të mbrëmjes në shenjë mirënjohje për punonjësit e shëndetësisë, industrisë ushqimore, transportit, higjenës sanitare etj., që kryenin detyrën dhe u shërbenin të tjerëve me një akt vetëmohimi. Pjesa të jep shpresë se natyra transformon e shëron veten gjatë kësaj kohe të vetizolimit e ne do t’ia dalim mbanë. Gati 5 minuta e gjatë, e porositur në shkurt të vitit 2020, ajo u luajt për herë të parë në qershorin e po këtij viti në një program digjital. Premiera me spektatorë u luajt në një program special për të falënderuar punonjësit e linjës së parë të frontit, në qershor të vitit 2021. “Seven O’Clock Shout” është kthyer tashmë në hymnin jozyrtar të orkestrës së Filadelfisë.

Publiku e ndjeu dhe e pëlqeu shumë aq sa e duartrokiti për minuta të tëra orkestrën, dirigjentin dhe kompozitoren që ishte ulur në sallën e mbushur plot. Ajo i drejtoi shumë të puthura orkestrës dhe publikut e dukej vërtet e emocionuar nga ky sukses e pritje e ngrohtë nga publiku i Carnegie Hall.

Pas saj u luajt Piano Concerto No. 2 in F Major, Op. 102 i Dmitri Shostakovich me pianisten e shquar Yuja Wang. Kjo pjesë u kompozua në 1957 jo për të treguar mjeshtërinë e tij si pianist, por për arritjet e djalit të tij, Maxim. Si babai, edhe ai ishte një pianist i talentuar. Pjesa u luajt për herë të parë në 10 Maj të 1957, në ditëlindjen e 19 të Maximit, si dhuratë për mbarimin e konservatorit të Moskës. Kjo ishte pjesa e fundit që Shostakovich kompozoi për mësim pedagogjik të fëmijëve të tij.

David Rabinocich, biografi i Shostakovich-it, ka shkruar “Koncerti e tregon kompozitorin sikur i është kthyer rinia e tij. Evolucion i madh që e ka ndjekur Shostakovich-in në këto dy dekada ka lënë gjurmën e tij në këtë koncert”.

Pianistja e guximshme Yuja Wang ishte soliste e përkryer për këtë kompozim. Interpretimi i saj sublim lirik dhe mjeshtëria artistike entusiazmoi orkestrën dhe publikun që e brohoriti dhe e bëri të rikthehej në skenë disa herë.

Programi vazhdoi me overturën gazmore nga ”Candide” (Kanditi) të Leonard Bernstein-it për të cilën një nga biografët e Bernstein thotë se “Nuk ka kompozitor të shekullit të 20-të që të ketë kaq gjerësi.” Vepra është bazuar në përshtatjen e librit të Volterit nga Lillian Helman-it. Historia tregon adventurat e Canditit, një djalë i ri që udhëton në botë për të gjetur konfirmimin e mësimeve të turorit të tij Panglos, sipas të cilit çdo gjë ndodh për më mirë. Ai kthehet me konkluzion se tutori i tij e kishte gabim. Me kthimin në shtëpi, Canditi ndërton një jetë bazuar në ndershmëri dhe pritje resultatesh të arsyeshme.

Dirigjenti nxori në pah kompleksitetin e kompozimit me shumë shtresa të Bersteinit duke e bërë publikun e Carnegie Hall të duartrokiste me entuziazëm.

Pas mbarimit të kësaj pjese dirigjenti mori mikrofonin e u foli spektatorëve. Në radhë të parë ai i falenderoje për ardhjen dhe dashurinë që kanë treguar gjithnjë për orkestrën simfonike të Filadelfisë e për ndjenjën e mrekullueshme për të dhënë shfaqje në këtë sallë të mirënjohur. Ai i tha auditorit se përçarja që solli pandemia tronditi kuptimin tonë kolektiv të nocionit “ku jemi ” dhe ” ku po shkojmë”.

Më pas ai shpjegoi bashkimin e përzgjedhjes së dy pjesëve të fundit të programit; Iman Habibi-t “Jeder Baum spricht” dhe Simfonise së 5 të Bethovenit. Habibi e shkroi pjesën e tij si një dialog me veprën e Bethovenit. Ajo u porosit për festimin e 250-të vjetorit të lindjes së kompozitorit të madh. Por premiera e saj në 12 mars, 2020 u dha në Filadelfi në një sallë pa spektatorë për shkak të mbylljeve të shkaktuara nga pandemia. Titulli i saj është marrë nga një shënim i Beethoven-it gjatë një shëtitjeje në një park në afërsitë e Vienës “I plotfuqishmi është në pyll! Unë jam i bekuar, jam i gëzuar në pyll! Çdo pemë flet nëpërmjet teje! Soloni, biografi i Bethovenit vë re se ai nuk përdor shprehjen e zakonshme “Ti flet nëpërmjet pemëve,” por e kthen në “Çdo pemë flet nëpërmjet teje.”

Habibi imagjinon sesi Bethoven, një njeri i dashuruar pas natyrës i përgjigjet çështjes së krisës së klimës sot. Në kompozimin prej 5 minutash të Habibit (i lindur ne Iran me nënshtetësi e banim në Kanada prej vitesh) ndihen zhgënjime dhe pjesë qetësie. Kjo pjesë u ndoq pa asnjë pushim nga Simfonia e Pestë në C Minor, Op. 67 e Bethovenit.

Dirigjenti arriti të nxirrte zëra lirike të brendshëm që rrallë dëgjohen kaq dukshëm – do të thoshte kritiku i artit Anthony Tommasini. Ishte e pamundur të mos të të vinte në mendje se Bethoveni po i përgjigjej Habibit e Habibi Bethovenit.

Auditori i Carnegie Hall duartrokiti me pasion orkestrën simfonike të Filadelfisë dhe dirigjentin e talentuar Yannick Nezet-Sequin, të cilit iu dhurua edhe një buqetë e madhe me lule.

Orkestra e Filadelfisë do të kthehet edhe shumë herë të tjera në Carnegie Hall për të paraqitur pjesë nga Bethoveni, të cilat i  kishte përgatitur me rastin e 250-të vjetorit të lindjes se tij. Zhvendosja prej më shumë se një viti, prezantimit të tyre veçse e shton entuziazmin dhe kërshërinë e admiruesve të muzikës klasike.

mef
mef