Carpenter: SHBA do të bisedojë me palët për votimin në Kosovë dhe në Serbi

Vjenë, 20 janar 2022 – Ambasadori i misionit të SHBA-së në OSBE, Michael Carpenter, paralajmëroi biseda me Qeverinë e Kosovës dhe atë të Serbisë për të siguruar se qytetarët e këtyre dy shteteve të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

Këto komente ambasadori Carpenter i bëri në një deklaratë rreth referendumit për ndryshimet kushtetuese që u zhvillua në Serbi më 16 janar.

“Presim që të diskutojmë me partnerët tanë – si me Qeverinë e Kosovës, ashtu edhe me Qeverinë e Serbisë – se çfarë aranzhime dhe rregullime mund të bëhen për t’u siguruar që qytetarët, të cilët përkatësisht banojnë në Kosovë dhe në Serbi të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhjet e vendit të tyre dhe, duke vepruar kështu, të jenë në gjendje të përcaktojnë të ardhmen e tyre evropiane”, tha Carpenter.

Duke iu referuar vendimit të institucioneve të Kosovës që të mos lejojnë mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovës, Carpenter tha se Kosova ka vepruar si shtet sovran edhe pse, siç u shpreh ai, SHBA-ja ka shpresuar se Qeveria në Prishtinë do të vepronte si në të kaluarën.

“Ne kishim shpresuar se Qeveria e Kosovës do të vazhdonte praktikën e kahershme të lejimit të OSBE-së për të mbledhur fletëvotimin e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë, por ajo zgjodhi të mos e bënte këtë”, tha Carpenter.

Më 16 janar, autoritetet e Kosovës nuk lejuan mbajtjen e referendumit të Serbisë për ndryshimet kushtetuese për gjyqësorin.

Kjo nxiti reagime të shumta të zyrtarëve të Beogradit dhe të Listës Serbe, parti kjo e cila përfaqëson komunitetin serb në institucionet e Kosovës. Shtetet e QUINT-it kërkuan nga institucionet e Kosovës që ta lejonin një gjë të tillë porse Qeveria tha se një gjë e tillë binte ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Më 15 janar, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë, përmes së cilës shprehu kundërshtimin që në Kosovë të mbahen votimet për referendumin e shtetit të Serbisë për ndryshime kushtetuese.

Më 3 prill në Serbi pritet të zhvillohen zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare. Institucionet e Kosovës kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë mbajtjen e tyre brenda territorit të Kosovës.

Zgjedhjet e Serbisë janë zhvilluar në territorin e Kosovës në të kaluarën.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat Serbia i organizoi në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë, u mbajtën më 21 qershor, 2020.

(REL)

Comment

*