Casimir Pulaski: Një emigrant që dha jetën për Shtetet e Bashkuara

Nga Avokati Kieran Both

Dita e Kazimir Pulanskit (Casimir Pulaski Day) festohet çdo vit të hënën e parë të marsit. Këtë vit ishte në 6 mars. Ajo shënon ditëlindjen e Casimir Pulaski-t, një oficer i kalorësisë së Luftës Revolucionare, i njohur për rolin e tij në ushtrinë amerikane gjatë Revolucionit Amerikan. Ushtari polak sakrifikoi jetën e tij duke luftuar për një vend ku kishte jetuar vetëm për pak vite. Dita e Casimir Pulaski-t është një rreze shprese për emigrantët.

Ndonëse Pulaski nuk kishte lindur në Amerikë, përkushtimi i tij ndaj vendit ishte shembullor. Dhe nderimet që Pulaski vazhdon të marrë, edhe pse ishte emigrant, janë një motivim për emigrantët e tjerë që banojnë në SHBA pa dokumente e shtetësi.

Ndonëse Dita e Casimir Pulaski-t nuk është festë kombëtare, ajo festohet në Illinois me pasion të madh çdo vit. Në fakt, kjo ditë është e përfshirë në programet e shkollave, në mënyrë që fëmijët të mësojnë më shumë për këtë hero dhe rolin që ai luajti në Luftën Revolucionare Amerikane në shekullin e 18-të.

Casimir Pulaski ishte një fisnik polak që u bë gjeneral brigade në Ushtrinë Kontinentale gjatë Luftës Revolucionare Amerikane. Një nga komandantët e parë të kalorësisë së Shteteve të Bashkuara, Pulaski solli organizimin dhe stërvitjen e duhur në kontinentale, duke merituar titujt “Babai i Kalorësisë Amerikane” dhe “Ushtari i Lirisë”.

Pulaski lindi në Poloni në 1745. Babai i tij, Jozef Pulaski, ishte një nga themeluesit e Konfederatës së Barit, një organizatë katolike e vendosur për të shpëtuar Poloninë nga ndikimi në rritje i Rusisë. Jozefi e rriti djalin e tij si nacionalist të vendosur dhe kur iu bashkua babait në luftë kundër rusëve, Kazimiri u shqua për aftësitë e tij komanduese dhe kalorsiake, duke krijuar famë si mbrojtës i lirisë.

Në 1771, Pulaski u përfshi në një komplot të keqorganizuar për të rrëmbyer mbretin polak dhe u akuzua pa të drejtë se kishte dashur ta vriste. Një vit më vonë forcat polake anti-ruse ishin shpërbërë dhe Pulaski u detyrua të ikte nga Polonia. Ai kaloi katër vitet e ardhshme në Evropë dhe Turqi, duke u përpjekur pa sukses për të mbledhur forcat për ta ndihmuar të çlironte Poloninë, duke hyrë në borxhe të mëdha personale. Borxhi i tij u bë aq i rëndë sa përfundimisht e mbyllën në burgun e debitorëve.

Pasi arriti të lirohej me ndihmën e miqve, Pulaski pati fatin të takonte ambasadorët amerikanë në Francë, Benjamin Franklin dhe Silas Deane, në 1776. Duke njohur vlerën e përvojës ushtarake të Pulaskit, ata e ftuan që të luftonte për lirinë përtej Atlantikut me amerikanët. Të dy shkruan në emër të Pulaskit, madje Franklin e përshkroi Pulaskin tek George Washington si “një oficer i famshëm në të gjithë Evropën për guximin dhe sjelljen e tij në mbrojtjen e lirive të vendit të tij”.

Pulaski u nis menjëherë për në Shtetet e Bashkuara, atdheun e tij të ri, me shpresën se do të bëhej oficer. Bazuar në reputacionin dhe rekomandimet e Pulaskit, Washingtoni donte që Pulaski të merrte komandën e kalorësisë, por u vonua nga refuzimi i Kongresit për t’i dhënë Pulaskit gradën e nevojshme. Pulaski vendosi t’i bashkohej Washingtonit dhe Ushtrisë Kontinentale gjithësesi për të kërkuar një mundësi për të provuar veten.

Kjo mundësi erdhi në Betejën e Brandywine më 11 shtator 1777. Dukej se amerikanët mund të mposhteshin dhe Washingtoni të kapej, por Pulaski – që ishte pa gradë – i kërkoi Washingtonit t’i jepte komandën e përkohshme të një pjese të kalorësisë. Washingtoni pranoi dhe Pulaski udhëhoqi me mjeshtëri një kundërsulm, duke ndihmuar në vonimin e mjaftueshëm të britanikëve duke i dhënë kohë Ushtrisë Kontinentale të tërhiqej dhe të riorganizohej.

Menjëherë pas Brandywine, dëshirat e Pulaskit u plotësuan kur ai u gradua gjeneral brigade dhe iu dha “komanda kryesore e dragonjve të lehtë amerikanë”. Pulaski ishte një gjeneral i talentuar – dhe më shumë se i aftë për të trajnuar në mënyrë efektive kalorës – por pati vështirësi me komandën e tij të parë amerikane. Paaftësia për të folur anglisht dhe pikëpamjet kontradiktore në lidhje me rëndësinë e kalorësisë në ushtri përfundimisht çuan në dorëheqjen e tij nga posti.

Pa e humbur besimin, Pulaski, me miratimin e Washingtonit dhe Kongresit, ngriti një regjiment të ri kalorësie, së bashku me disa regjimente këmbësorie, të cilat u quajtën Legjioni i Pulaskit. Pulaski zgjodhi shumë nga oficerët e tij dhe ishte në gjendje të stërviste legjionin e tij siç e shihte të arsyeshme. Ata u bënë me shpejtësi një forcë e rrezikshme ndërsa Pulaski shfrytëzoi përvojën e tij, duke krijuar disa kalorësitë e para efektive të Amerikës. Pas muajsh trajnimi dhe luftimesh në teatrin verior, Washingtoni dërgoi Legjionin e Pulaskit në dy Karolinat për të ndihmuar frontin jugor që ishte në vështirësi.

I vendosur në Charleston, South Carolina, Pulaski u bë një nga komandantët kryesorë në Jug. Pas mbërritjes së tij në maj 1779, Pulaski dhe koloneli John Laurens ia ndryshuan mendjen udhëheqësit të tmerruar të qytetit që ishte në prag të dorëzimit. Megjithëse legjioni i Pulaskit pësoi humbje të mëdha në njerëz gjatë luftës, ai mbeti vendimtar për ushtrinë në Jug.

Angazhimi i fundit i Pulaskit ishte gjatë Betejës së Dytë të Savanës më 9 tetor 1779. Të njoftuar për planet amerikane nga një spiun, britanikët u përgatitën për sulmin. Ndërsa situata u kthye shpejt kundër amerikanëve, Pulaski udhëhoqi një sulm kundër pozicionit britanik, duke shpresuar të krijonte një pykë midis trupave britanike për të rifituar avantazhin. Ai u plagos gjatë sulmit dhe, megjithëse trupat e e morën trupin e tij gjatë tërheqjes, ai vdiq disa ditë më vonë. Vendndodhja, data dhe koha e saktë e vdekjes së tij mbeten të paqarta.

Charleston mbajti një funeral publik për nder të arritjeve të Pulaskit dhe Savannah që atëherë ka ngritur një monument për ta nderuar. 11 tetori – një nga ditët e mundshme të vdekjes së tij – është caktuar Dita e Përkujtimit të Gjeneralit Pulaski në Shtetet e Bashkuara. Pulaski njihet gjerësisht për vendosjen e rregullit në kalorësinë amerikane, duke përdorur metoda moderne stërvitore dhe duke vendosur domosdoshmërinë e një kalorësie të pavarur, e cila mbeti thelbësore për ushtrinë amerikane edhe në shekullin e njëzetë.

Gëzuar Ditën e Pulaskit miqve tanë në Çikago!

(Avokati Kieran Both u përgjigjet pyetjeve në shqip dhe anglisht për çështjen tuaj të emigracionit. Mund t’i shkruani në: [email protected])

(Fotografia lart nga Eric C. Gutierrez)