CDC: Të rinjtë po e shkaktojnë përhapjen e koronavirusit

Uashington, 5 prill 2021 – Udhëheqësja e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara, Rochelle Walensky ka thënë se të rinjtë janë duke nxitur rritjen e numrit të të infektuarve me koronavirus, dhe se rritja e shkallës së vaksinimit të personave në moshë është duke parandaluar raportimin e rasteve të rënda me këtë virus.

Walensky ka thënë të hënën se “numri i rasteve po rritet në nivel kombëtar, dhe se po shohim se kjo gjë po ndodh te të rinjtë”.

Ajo ka përmendur edhe përhapjen e varianteve të koronavirusit, por edhe sportet dhe aktivitetet tjera në ambiente të jashtme, si faktorë shtesë që po ndikojnë në rritje të shkallës së infektimit.

Megjithatë Walensky ka përmendur një aspekt pozitiv në mesin e grupeve më të ndjeshme, duke thënë se numri i viktimave më në moshë ka rënë në nivelet më ulëta prej vjeshtës së kaluar.

Më shumë se 75 për qind e personave mbi 65 vjeç kanë pranuar të paktën një dozë të vaksinës kundër koronavirusit në SHBA, dhe 55 për qind e tyre janë vaksinuar plotësisht.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, prej shpërthimit të pandemisë së koronavirusit, në SHBA janë regjistruar mbi 30 milionë persona të infektuar.

Prej tyre mbi 555.000 persona kanë vdekur.

(REL)