Çdo i treti emigrant që e kalon La Manshin është shqiptar

Londër, 25 nëntor 2022 – Një nga tre emigrantë që kalojnë ilegalisht La Manshin është shqiptar. Numri i azilkërkuesve që përfitojnë mbështetje financiare nga paratë e taksapaguesve britanikë mbërriti 100.000, për herë të parë, shkruajnë mediat angleze.

Këtë dëshmojnë të dhënat e “Home Office”, sipas të cilave ky është numri i të ardhurve që po merrnin ndihmë nga qeveria në fund të shtatorit, nga më pak se 69.000, që ishte kjo shifër një vit më parë. Shumica përfitojnë akomodim falas dhe një pagesë jetese prej 40,85 £ në javë për çdo person në familjen e tyre, përveç rastit kur  marrin ushqime të ofruara nga tatimpaguesi, thuhet në njërin prej artikujve.

Shqiptarët përbënin 35%, ose pak më shumë se një të tretën e njerëzve që kanë kaluar kanalin e La Manshit me varka të vogla e gomone në nëntë muajt e parë të vitit, tregojnë shifrat e reja të autoriteteve britanike. Ata përbëjnë gjithashtu gjysmën e të personave të pikasur në këtë rrugë në periudhën korrik-shtator, një rritje e mprehtë krahasuar me vitet e mëparshme, ku 3% e të ardhurve në vitin 2021 janë me kombësi shqiptare dhe vetëm 1% në 2020.

Informacionet e “Home Office” tregojnë se ka pasur mbi 33.000 mbërritje me varka të vogla në Mbretërinë e Bashkuar nga janari deri në shtator të këtij viti. Përgjatë kësaj periudhe, llogaritet që në këtë vend të kenë hyrë më shumë se 11 mijë e 200 shqiptarë. Afganët janë të dytët në listë për nga numri i  hyrjeve në Britani me gomone, me 15% të rasteve.

(Top Channel)