Çdo krizë në Shqipëri është me pasoja për Kosovën

Mehmet PRISHTINA

Shqipëria dhe Kosova nuk mund të ndërtojnë raporte të shëndosha në mes veti nëse krizat e tyre të brendshme e kalojnë kontekstin lokal dhe bëhen pengesë e zhvillimeve rajonale. Në këtë drejtim, të humbur dalin të gjithë shqiptarët, kurse liderët politikë duhet ta kenë të qartë se me shqiptarë të humbur nuk mund të fitojnë kurrfarë kauze politike

 

Dje në Tiranë (8 janar) pamë një përpjekje të dështuar të opozitës shqiptare për të dëshmuar veten se meriton të jetë një alternativë e vërtetë politike në Shqipëri. Lajmet që shoqëroheshin me thyerje xhamash dhe me shtëllunga tymi nga gazi lotsjellës lirisht mund të kishin një diçiturë të përbashkët mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe në Kazakistan. Por, ajo që i bënte të ndryshme këto lajme ishte, megjithatë, thelbi i problemit: në Kazakistan kishim pakënaqësi turmash përballë forcave të egra të regjimit, ndërsa në Tiranë kishim përballë njëri-tjetrit dy aktorët e së njëjtës medalje të politikës opozitare shqiptare.

Sali Berisha dhe Lulzim Basha, sado që po mundohen të paraqiten si rivalë politikë, në essence, janë produkt i një mendësie të njëjtë që krijoi letargji opozitare tash e gati një dekadë. Prandaj edhe aksioni i djeshëm në oborrin e selisë së Partisë Demokratike në Tiranë s’është asgjë tjetër pos pamundësi e shfaqjes së një fytyre të re në lidershipin e PD-së, i cili nuk do të kishte kurrfarë lidhjeje as me Berishën, e as me Bashën. Në momentin, kur PD shkëputet nga vagonët e vjetruar të Berishës dhe të Bashës, drejtimi opozitar merr një dinamikë tjetër, kurse gjasat për ndyshim të pushteteve në një të ardhme jo të largët mund të jenë shumë reale.

Oborri i selisë së PD-së dje u shndërrua në arenë gladiatorësh të uritur për pushtetin brenda partisë, por jo për garën e pushtetit ndaj Edi Ramës. Sikur krejt këto ngjarje të kishin impakt publik vetëm brenda qarqeve opozitar të PD-së do të ishte gjysma e së keqes, por nuk doli të jetë ashtu. Sepse, sërish në politikën shqiptare dikush po bëhet Kalë Troje për të minuar imazhin e Shqipërisë në sytë e botës dhe janë dy ngjarje të rëndësishme që na shtyejnë të mendojmë kështu.

E para, Shqipëria këto ditë e mori karrigen e anëtarit të jopërhershëm në KS të Kombeve të Bashkuara, një lajm ky që do të duhej të festohej në çdo shtëpi shqiptari, mirëpo festa u mbush me tym e gaz nga ata që e duan më shumë karrigen e partisë se sa atë të KS të OKB-së.

E dyta, në Shqipëri po ngrihet një shtab i forcave operacionale speciale të ushtrisë së SHBA-ve, mirëpo sërish ky lajm mbeti i ngulfatur nga ambicja e sëmurë e liderthëve të PD-së për të demonstruar epërsi brenda oborrit të tyre opozitar.

Se ngjarjet e djeshme në Tiranë nuk kanë vetëm impakt lokal, mjafton të hedhim një sy në rajon dhe të shohim se ku ndodhemi ne si shqiptarë në këtë rubikon paqartësish gjeopolitike. Kosova ende ndodhet në konflikt të pambyllur me Serbinë, ndërkohë që Beogradi përmes agjenturave të veta dhe për llogari të vet mundohet maksiamlisht ta shfrytëzojë tollovinë dhe konfuzitetin e shqiptarëve. Në këtë drejtim ne jemi disa hapa prapa serbëve, sepse ata edhe kur kanë mospajtime të brendshme politike, nuk e humbasin kondicionin e luftës së vazhdueshme suberzive kundër shqiptarëve. Serbët edhe kur janë të përçarë në mes veti, janë antishqiparët më të mëdhenjë, ndërkohë që ne edhe të bashkuar nuk arrijmë të ndërtojmë një koncenzus minimal në strategjinë politike kundrejt Serbisë. Ne edhe si dy shtete – Shqipëri,Kosovë nuk arrijmë të kemi një qëndrim unik sa i përket idesë së Ballkanit të Hapur, ku Serbia ashiqare del të jetë faktori kryesor i lojërave politike ballkanike. Për rrjedhojë, ne shqiptarët nuk kemi të drejtë kur gjithmonë i fajësojmë të tjetët për gjendjen tonë dhe kështu si duket paska qenë gjatë gjithë historisë sonë.

Sidoqoftë, çdo lëkundje tektonike në skenën politike në Tiranë, reflektohet në Kosovë. Kështu ishte në të kaluarën, kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Por, çuditërisht ne shumë pak mësojmë nga gabimet tona, edhe atëherë kur i kemi të freskëta disa ngjarje që hedhin hije të keqe në raportet Shqipëri- Kosovë. Mjafton të përmendim shpalljen e Deklaratës kushtetuese në Kosovë, më 2 korrik 1999, mu në të njëjëtn ditë kur në Tiranë vërshuan turma njerëzish në drejtim të ambasadave të huaja për të kërkuar strehim. Ende deri më sot nuk është sqaruar nëse ishte koincidencë e thjeshtë që këto dy ngjarje ndodhën në të njejtën ditë, apo ndoshta një regjisor i padukshëm ishte munduar të inskenojë defokusimin e vëmendjes publike në mënyrë që ngjarjet e Kosovës të binin nën hijen  e atyre të Shqipërisë (!).

Nga ajo që mund të shihet, rezulton që kriza e tanishme në Partinë Demokratike të Shqipërisë nuk guxon të shtrihet në një rrafsh më të gjerë dhe më së paku të dëmtojë edhe më tej imazhin e shqiptarëve si komb në sytë e aleatëve tanë, sidomos të SHBA-ve. Skenat e djeshme të dhunshme nuk janë një mesazh i mirë për një shtet që synon të integrohet në BE, prandaj nuk duhet të habitemi nëse edhe sivjet Shqipëria nuk merr datë për fillimin e negociatave me Brukselin. Çdo vonesë e Shqipërisë në politikat euro-integrues, është një minus për Kosovën, sidomos në kohën kur ajo ndodhet në një fazë tepër delikate të procesit  negocues me Serbinë.

Shqipëria dhe Kosova nuk mund të ndërtojnë raporte të shëndosha në mes veti nëse krizat e tyre të brendshme kalojnë kontekstin lokal dhe bëhen pengesë e zhvillimeve rajonale. Në këtë drejtim, të humbur dalin të gjithë shqiptarët, kurse liderët politik duhet ta kenë të qartë se me shqiptarë të humbur nuk mund të fitojnë kurrfarë kauze politike

Prishtinë, 9 janar 2022