Celibashi nuk e regjistron për zgjedhjet vendore PD-në me kryetar Lulzim Bashën

Tiranë, 14 mars 2023 – Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi vendoi sot të mos pranojë regjistrimin e Partisë Demokratike me kryetar zotin Lulzim Basha, si pjesëmarrëse në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Sipas zotit Celibashi, kërkesa për t’u regjistruar nuk ka bazë ligjore e nuk duhet të pranohet, duke sjellë në vëmendje çështjen e ngritur prej tij dhe në seancën e parë të datës 9 mars, lidhur me deklaratën solemne që çdo parti paraqet mes dokumentacionit të kërkuar për rregjistrim. Deklarata nga ana e Partisë Demokratike është e firmosur nga zoti Enkelejd Alibeaj, si person i autorizuar nga zoti Basha, tre ditë përpara dorëheqjes së tij në mars të vitit të kaluar.

Zoti Basha rezulton ende si kryetar i PD-së në rregjistrin e partive politike në Gjykatën e Tiranës. Dhe për këtë arsye, sipas zotit Celibashi, duhet që të jetë ai që ta nënshkruajë, duke nënvizuar se ky është një përcaktim ligjor që nuk mund të delegohet.

Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike Indrit Sefa e kundërshtoi vendimin e marrë sot nga zoti Celibashi, duke folur për një akt politik. Vendimi i Komisionerit shtetëror, është megjithatë i apelueshëm. Ndaj tij, Partia Demokratike njoftoi se do të bëjë ankim në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve, ndërsa fjala e fundit, në çdo rast, i takon Kolegjit zgjedhor.

Edhe zoti Gazmend Bardhi, që po ashtu ka autorizimin e zotit Basha reagi ashpër ndaj vendimit të zotit Celibashi i cili sips tij “shkeli rëndë ligjin, për qëllime politike”, shkroi ai në një postim në Twitter, i pasuar nga një i dytë ku e akuzon Komisionerin shtetëror se është kthyer në “zëdhënës të interesave politike” dhe se është “një njeri I shantazhueshëm që nuk ka lidhje me ligjin dhe me zgjedhjet”.

Ndërsa zoti Alibeaj e quajti vendimin “të ndikuar politikisht”.

“Vendimi i paralajmëruar i Komisionerit të Zgjedhjeve është qartas i ndikuar politikisht nga aktorët politikë të interesuar që PD të mos regjistrohet në procesin e zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sikundër e deklaroi dhe publikisht, zoti Celibashi e ka të pamundur të ndajë opinionet dhe tifozerinë personale nga faktet juridike. Për pasojë, vendimi i tij e zgjat pa fund dhe pa arsye të qenësishme regjistrimin e PD”, shkroi ai në Facebook.

(Zëri i Amerikës)