Ceremoni ushtarake për Angela Merkelin “Lamtumirë, Kancelare!”

Berlin, 3 dhjetor 2021 – Kancelarja gjermane, Angela Merkel, është përshëndetur me një ceremoni tradicionale të ushtrisë, të enjten mbrëma, një javë para largimit të saj.

Parakalimi ushtarak në nder të zonjës Merkelit u bë në hapësirat e Ministrisë së Mbrojtjes.

Zonja Merkeli i kishte kërkuar tri këngë për këtë ceremoni. Kënga e parë ishte “I madhi Zot, ty të qofshim falë”. Kjo këngë është përzgjedhur nga zonja Merkel, e cila është bijë e një predikuesi protestant.

Kënga e dytë e luajtur nga ansambli i ushtrisë ishte “Për mua trëndafila të kuq rënçin si shiu” nga Hildegard Knef.

Por, kënga e tretë i habiti të gjithë. Ishte kjo kënga “Ti e ke harruar filmin me ngjyra” e këngëtares së zhanrit punk, Nina Hagen, e publikuar në vitin 1974. Në këtë këngë këngëtarja vajton se i dashuri i saj nuk kishte shkrepur fotografi me ngjyra gjatë pushimit të tyre në plazh.

Ashtu sikurse Angela Merkel, këngëtarja Hagen ishte rritur në Gjermaninë Lindore. Në vitin 1976 ajo ishte përplasur me Partinë Komuniste dhe kishte kaluar  në Gjermaninë Perëndimore.

Në fjalimin e saj, zonja Merkeli tha se aseti kryesor në politikë është besimi.

“Duke qëndruar këtu, përballë jush, sot ndiej përulësi dhe mirënjohje, mbi të gjitha. Përulësi përpara detyrës që më lejuat ta ushtroj për kaq shumë kohë. Mirënjohje për besimin që më dhatë. Gjithmonë kam qenë e vetëdijshme se besimi është aseti më i vlefshëm në politikë. Është gjithçka tjetër përveçse e vetëkuptueshme dhe për këtë ju falënderoj nga zemra”, ka thënë ajo.

Zonja Merkel e ka cilësuar si më sfiduesen periudhën si kancelare.

“Këta 16 vjet si kancelare kanë qenë plot ngjarje dhe, shpesh, vite sfiduese. Më kanë sfiduar politikisht dhe personalisht. Por, në të njëjtën kohë, edhe më kanë përmbushur”, ka shtuar ajo.

This image has an empty alt attribute; its file name is Angela-Merkel_ne-ceremonine-lamtumirese-te-ushtrise-gjermane-1.jpg

Angela Merkel do të qëndrojë në detyrë deri më 6 dhjetor, kur kancelar i ri i Gjermanisë pritet të votohet Olaf Scholz.

(r.m.) 

Comment

*