Çështja shqiptare është e paplotë pa Kosovën

Mehmet PRISHTINA

Kosova, sipas qëndrimeve të deritanishme të udhëheqësve të saj, ndodhet në linjë me politikat evropiane të integrimit. Nëse qeveria aktuale e saj arrin t’i amortizojë efektet e keqmenaxhimit me institucionet e kaluara dhe të largojë nga radhët e veta llaskucat e pushtetit, atëherë mund ta përmirësojë imazhin e saj në arenën ndërkombëtare dhe të bëhet një partner serioz dhe i besueshëm. Pikërisht kjo i duhet Kosovës tash, sepse një vend gëzon reputacion ndërkombëtar vetëm atëherë kur arrin të konsolidohet së brendshmi.

 

Ballkani Perëdimor ndodhet pjesërisht me një këmbë në Evropë, pjesërisht në hartat e vjetra të gjeopolitikës sllave. Kosova dhe Shqipëria ende nuk po munden të gjejnë një rrugë të vetme për të imponuar një qëndrim dhe një vizion mbi të ardhmen e përbashkët. Tirana dhe Prishtina nuk po flasin me një zë, ndërsa Edi Rama dhe Albin Kurti kanë qëndrime diametralisht të kundërta mbi disa iniciativa rajonale.

Rama e favorizon Ballkanin e Hapur, kurse Kurti Procesin e Berlinit. Ky i fundit, në Forumin Strategjik të Bledit, i shpalosi pikëpamjet e tij mbi të ardhmen e rajonit, duke veçuar sundimin i ligjit ndaj oligarkëve, demokratizimin kundrejt autokratëve, përballjen me të kaluarën kundër kriminelëve të luftës dhe reciprocitetin e të drejtave të pakicave karshi hegjemonisë nacionale.Sipas tij, këto katër elemente  mund t’i shërbejnë procesit të njohjes, komunikimit dhe ofrimit midis njerëzve në një rajon që ende i vuan pasojat e së kaluarës problematike.

Por, krejt ndryshe mendon Edi Rama. Ai është i lidhur me projektin Ballkani i Hapur, duke favorizuar agjenda të paqarta dhe krejt të disfavorshme për Kosovën. Sipas Ramës, Ballkani i Hapur ofron mundësi të mëdha bashkëpunimi, qarkullimi dhe komunkimi midis njerëzve, ideve dhe mallrave. Por, ai nuk ka arritur ta sqarojë se si do të jetë e mundur të ndodhë kjo në kushtet kur Kosova nuk njihet si shtet nga Serbia dhe kjo e fundit paraprakisht vendos kushte e barriera për Kosovën.

Sipas Ramës, fermerët e Konispolit do të kenë përfitime të mëdha nga Ballkani i Hapur,  mirëpo nuk na tregoi se si një fermer i Rahovecit do të mund t’i shesë produktet e veta në Kragujevc, nëse atje nuk mund të shkojë me targat e Republikës së Kosovës.

Me çfarë dokumentesh do të udhëtojnë kosovarët nëpër territorin e Serbisë apo do t’u duhet atyre ta plotësojnë kushtin e Beogradit duke zëvendësuar pasaportat dhe letërnjoftimet e Republikës së Kosovës me dokumente të tjera ku nuk figuron shtetësia e Kosovës.

Nëse Ballkani i Hapur është paraparë si një korridor nëpër të cilin do të mund të kalojnë vetëm ata që i plotësojnë kushtet e Beogradit, atëherë i bie që ai korridor duhet të funksionojë me disa sensorë që ua mbyllin dyert atyre që nuk i plotësojnë kushtet e Beogradit.

Ndonëse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, thotë se me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin ka mosdakordësi konceptuale për Ballkanin e Hapur, ai pretendon se kjo nismë është interes strategjik i kombit shqiptar.

Sipas Ramës, Kosova është sovrane të jetë kundër Ballkanit të Hapur, por nuk duhet të ndikojë në politikën e jashtme të Shqipërisë. Me fjalë të tjera, Edi Rama e pranon hapur se Shqipëria dhe Kosova duhet të ndjekin rrugë të ndryshme në projektet rajonale. Mirëpo, ai nuk po arrin të sqarojë një dubiozë logjike. Në njërën anë thotë se Ballkani i Hapur është në funksion të strategjisë kombëtare të shqiptarëve, ndërsa në anën tjetër nuk diskuton me liderët e Kosovës për përparësitë dhe të metat e kësaj nisme rajonale. Nëse, siç thotë Rama, kjo qenka në funksion të strategjisë kombëtare, atëherë përse kjo strategji nuk përpunohet në Tiranë dhe në Prishtinë, por Rama parapëlqen të komunikojë me lidershipin e Kosovës vetëm përmes konferencave të shtypit, në krah të Vuçiqit dhe Zaevit (!).

Idetë e mëdha, sidomos ato që kanë të bëjnë me të ardhmen e një populli apo të një rajoni, nuk krijohen duke vendosur që në start barriera, siç po ndodh aktualisht me Ballkanin e Hapur, ku Vuçiqi ka arritur ta bindë Edi Ramën se Ballkani i Hapur mund të funksionojë edhe pa Kosovën. Kjo është e mundur vetëm nëse fermerët e Konispolit e anashkalojnë Rrugën e Kombit dhe Kosovën dhe e zgjedhin Maqedoninë si rrugë transitore për të depërtuar në tregun e Serbisë. Nëse Rama e pranon këtë variant, atëherë këtu s’kemi të bëjmë me kurrëfarë strategjie kombëtare, por kemi të bëjmë me një strategji për përjashtimin e Kosovës nga gjeopolitika rajonale, ku fjalën kryesore do ta ketë Serbia dhe jo Shqipëria.

Por, si duket, Ballkani i Hapur, si ide dhe si nismë, nuk do të mund të mbijetojë pa mbështetjen e shteteve evropiane. Kundërpërgjigje ndaj kësaj nisme është Procesi i Berlinit. Pikërisht kjo është arsyeja që Kancelarja gjermane Angela Merkel do të udhëtojë në Tiranë më 14 shtator. Qëllim i vizitës së saj është shtyrja përpara e Procesit të Berlinit, i inicuar në vitin 2014. Siç njoftojnë mediat, në Tiranë, Merkel do të ulet në të njëjtën tryezë me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor që e kanë pranuar këtë proces, i cili synon të lehtësojë bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor. Në këtë tryezë nuk do të jetë i pranishëm presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, sepse, , siç bëhet e ditur, aty janë ftuar vetëm kryetarët e qeverive.

Në njoftimin për shtyp të zyrës së Kancelares Merkel, ndër të tjera, thuhet se vizioni i Procesit të Berlinit bazohet në ndihmën dhe përmbushjen e kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Siç dihet, një prej komponenteve më të rëndësishëm të Procesit të Berlinit është e ashtuquajtura “Axhenda për lidhje”, e cila fillimisht synon lidhjen e gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në fushën e transportit dhe energjetikës.

Disa samite që janë mbajtur deri më tani kanë ndihmuar në vendosjen e urave të komunikimit midis udhëheqësve të Ballkanit, si dhe në hartimin e disa projekteve infrastrukturore. Projektet e miratuara për secilin nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor financohen pjesërisht nga mekanizmat e BE-së e pjesërisht nga vetë vendet.

Kosova, sipas qëndrimeve të deritanishme të udhëheqësve të saj, ndodhet në linjë me politikat evropiane të integrimit. Nëse qeveria aktuale e saj arrin t’i amortizojë efektet e keqmenaxhimit me institucionet e kaluara dhe të largojë nga radhët e veta llaskucat e pushtetit, atëherë mund ta përmirësojë imazhin e saj në arenën ndërkombëtare dhe të bëhet një partner serioz dhe i besueshëm. Pikërisht kjo i duhet Kosovës tash, sepse një vend gëzon reputacion ndërkombëtar vetëm atëherë kur arrin të konsolidohet së brendshmi.

Por, gjithsesi, Kosova ka nevojë edhe për mbështetjen e Shqipërisë dhe për koordinim me katër shtetet kryesore evropiane, sidomos tani, kur SHBA po përballet me efektet e kritikave pas tërheqjes nga Afganistani. Diplomacia shqiptare duhet ta përfshijë edhe Kosovën në agjendën e saj të çdoditshme dhe ta afirmojë gjithkund ku ajo ka qasje dhe miq. Vetëm kështu mund të thuhet se shqiptarët janë një komb serioz që kanë shtete të ndryshme, por kanë një strategji të përbashkët për çështjet ende të hapura. Me fjalë të tjera, çdokush që pretendon ta mbyllë çështjen shqiptare pa Kosovën gabohet rëndë.

Çështja shqiptare është e paplotë pa Kosovën.

Prishtinë, 3 shtator 2021