Çështje të Emigracionit: Nënshtetësia (Natyralizimi)

Nga Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Pyetje nga lexuesi:

Në të kaluarën, kam patur disa probleme me ligjin. A do të më krijojnë pengesa kur të bëj kërkesë për nënshtetësi amerikane? 

Anonim

Bronks, NY

Një nga kriteret për të marrë nënshtetësinë amerikane nëpërmjet natyralizimit është që personi që paraqet kërkesën të  ketë karakter të mirë moral. Karakteri i mirë moral nuk nënkupton përsosmëri nga ana morale. Por pavarësisht nga kjo, nëse keni apo keni patur ndonjë problem apo probleme nga ato që do të listojmë më poshtë, egziston mundësia që të mos e përmbushni kriterin e karakterit të mirë moral dhe në disa raste problemi në fjalë mund të bëjë që t’ju hapet proçes dëbimi/deportimi nga SHBA-ja. Nganjëherë një aplikim për natyralizim (formulari N-400) mund ta nxisë Shërbimin e Emigracionit dhe të Nënshtetësisë së SHBA-së që të rishikojë dosjen tuaj për të parë nëse në të ka mospërputhje. Do të bëhet gjithashtu një tjetër kontroll i të kaluarës suaj penale për të parë nëse keni patur ndonjë incident me ligjin që nga koha kur aplikuat për të marrë green card

Përpara se të paraqisni kërkesën për nënshtetësi, është mirë të takoni një avokat emigracioni nëse një nga incidentet e paraqitura më poshtë përbën rastin tuaj:

  • Ju kanë arrestuar, akuzuar, thirrur për të dalë në gjyq. Nëse jeni dënuar për krime serioze të caktuara, mund t’ju ndalohet të natyralizoheni. Gjoba parkimi dhe shkelje të tjera të vogla zakonisht nuk bëhen pengesë në përpjekjen për të demonstruar karakter të mirë moral, por një dënim për sjellje të çrregullt, gjithnjë duke marrë parasysh rrethanat kur është kryer krimi në fjalë, mund ta bëjë USCIS-in t’ju shohë si një person pa karakter të mirë moral.   
  • Keni gënjyer zyrtarin e emigracionit, zyrtarin konsullor, apo zyrtarin e qeverisë. Nëse keni bërë deklarata të rreme apo i keni paraqitur dokumenta të rremë një zyrtari të qeverisë amerikane, mund t’ju hapet çështje deportimi. Disa deklarata apo dokumenta të rreme mund t’ju pengojnë të tregoni që keni karakter të mirë moral dhe mund t’ju pengojnë përkohësisht që të natyralizoheni. 
  • U martuat thjesht për të marrë statusin e rezidentit të ligjshëm. Martesa e bërë për qëllimin e vetëm për të marrë green card,  përbën krim që çon në deportim. Kur aplikoni për natyralizim, USCIS-i e rishikon komplet historikun tuaj të emigracionit për të parë se si e keni marrë green card-ën. Nëse USCIS-i konkludon që green card-ën e keni marrë nëpërmjet një martese jo bona fide, pra të rreme, atëherë kërkesa për nënshtetësi do t’ju hidhet poshtë dhe do të nisë proçesi për deportim. 
  • Nuk keni qenë për një periudhë të gjatë në SHBA, veçanërisht bëhet fjalë për më shumë se një vit, që nga koha kur u bëtë rezident i ligjshëm i përhershëm.  
  • Nëse keni ndërmarrë udhëtime jashtë SHBA-së për periudha prej 6 ose më shumë muajsh, do t’ju nevojitet të paraqisni prova që dëshmojnë që gjatë mungesës suaj nuk e keni braktisur rezidencën dhe vazdoni të jetoni, punoni dhe/ose të mbani lidhje me SHBA-në. Si prova të tilla mund të shërbejnë fakti që në SHBA keni anëtarë të ngushtë të familjes, shtëpi apo apartament, punë, llogari bankare apo llogari për fatura shërbimesh të ndryshme.  
  • Nuk keni paraqitur dokumentat e tatimeve mbi të ardhurat për cilindo nga vitet që nga koha kur u bëtë banor i ligjshëm i përhershëm ose aktualisht i keni borxh qeverisë për taksa që nuk i keni paguar në kohë.  Nevojitet të paraqisni të gjithë letërkëmbimin me IRS-in lidhur me mosdërgimin e dokumentave të taksave; ose një marrëveshje të firmosur nga IRS-i apo një zyrë lokale apo shtetërore që tregon që i keni paraqitur dokumentat për taksat dhe e keni gjetur mënyrën se si të paguani taksat që keni në ngarkim.  Kërkohet gjithashtu dhe dokumenti i lëshuar nga USCIS-i apo zyra lokale ose shtetërore, që tregon statusin aktual të programit për shlyerjen e taksave.  
  • Jeni regjistruar për të votuar ose keni votuar në mënyrë të paligjshme. Vetëm nënshtetasit amerikanë kanë të drejtë të regjistrohen për të votuar dhe të votojnë në zgjedhje të nivelit lokal, shtetëror apo federal. Të regjistrohesh për të votuar duke u hequr si nënshtetas amerikan, mund të çojë në deportim, sikurse mund t’ju çojë në deportim dhe mbushja e kartës së regjistrimit të votuesit. Votimi i paligjshëm në zgjedhje gjithashtu çon në deportim. 
  • Nuk u keni dhënë mbështetje ekonomike personave që keni në varësi. Mospagesa apo refuzimi me dashje për t’u ofruar mbështetje ekonomike personave që keni nën varësi, përbën arsye që të mos ju jepet nënshtetësia. Nëse keni fëmijë që nuk jetojnë me ju ose një bashkëshort/e që nuk jeton me ju, bëhuni gati që t’i përgjigjeni pyetjeve lidhur me faktin nëse ju është kërkuar t’i mbështesni ekonomikisht dhe nëse po a po e kryeni diçka të tillë. 
  • Jeni mashkull që ka jetuar në SHBA në cilëndo periudhë kohe nga mosha 18 deri në moshën 26 vjeçare dhe nuk jeni regjistruar pranë agjencisë përkatëse të qeverisë amerikane për t’u ofruar për shërbim ushtarak.  Nëse nuk jeni regjistruar pranë kësaj agjencie dhe nuk e keni kaluar moshën 26 vjeç, përpara se të paraqisni aplikimin duhet të regjistroheni. Formularin për regjistrim mund ta merrni pranë një zyre lokale postare ose mund të regjistroheni nëpërmjet internetit në faqen www.sss.gov.  
  • Njëri prej prindërve është bërë nënshtetas amerikan përpara se ju vetë të mbushnit moshën 18 vjeç. Mund të jeni ndërkohë nënshtetas, pa e ditur. Mund ta keni marrë nënshtetësinë kur u natyralizua(n) prindi/ërit, përpara se të bëheshit 18 vjeç. Kjo në varësi të ligjeve dhe kritereve që kanë qenë në fuqi në atë kohë.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]