Çështje të Emigracionit: Procedurat e kalimit të kufirit dhe neni 42

Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

(Pyetjet mund t’i bëni edhe në shqip, në adresën [email protected] – Avokati ju përgjigjet)

Lexuesit kanë kërkuar t’u shpjegojmë lajmet që lidhen me nenin numër 42 dhe pse është i rëndësishëm. Neni 42 përbën një urdhër administrativ që kishte për qëllim ngadalësimin e përhapjes së COVID-19-ës. Ky urdhër doli në periudhën kur Shtetet e Bashkuara po përjetonin numrin më të madh të infektimeve dhe vdekjeve nga virusi në fjalë. Neni 42 preku dhe procedurat që ndiqen zakonisht kur dikush hyn pa leje në SHBA. Shumë persona që duan strehim politik futen fshehurazi në kufirin që ndan SHBA-në me Meksikën, pasi nuk kanë ose nuk mund të marrin viza.

Sipas ligjeve që egzistojnë prej kohësh në Shtetet e Bashkuara, kujtdo që gjendet fizikisht në SHBA apo “mbërrin” në kufi duhet t’i jepet mundësia të kërkojë strehim politik. 

Më 20 mars, 2020 qendra për kontrollin e sëmundjeve infektive (CDC) lëshoi një urdhëresë sipas së cilës, në kufirin jugor, për shkak të pandemisë së COVID 19-ës do të bëheshin disa përjashtime. Kjo urdhëresë e njohur si neni 42, lëshuar nga CDC-ja si autoritet i çështjeve të shëndetit publik, i lejon Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS) të nxjerrë jashtë këdo – pa masat e zakonshme mbrojtëse [ofruar atyre që po i ikin persekutimit në vendet përkatëse] – që “rrezikon seriozisht t’i sjellë SHBA-së një sëmundje (ngjitëse)”. Bënin përjashtim grupe të mëdha njerëzish si nënshtetasit amerikanë, personat me green card si dhe ata që ishin të pajisur me dokumenta të rregullta udhëtimi, por jo personat që kërkonin strehim politik në SHBA. Neni 42 i lëshuar nga CDC-ja dhe që u vu në zbatim gjatë periudhës së pandemisë, nuk është ligj i administratës kufitare. Administrata kufitare i lejon personave të huaj mundësinë për të paraqitur kërkesë për strehim politik si dhe ka mundësi veprimi për të vënë përpara përgjegjësisë persona që hyjnë ilegalisht në SHBA.

Më 1 prill, 2022, CDC-ja lëshoi një urdhër sipas të cilit duke filluar nga data 23 maj, 2022, i jep fund nenit 42. Kjo nënkupton që patrullat në pikat kufitare (të përbëra nga agjentë federalë) do të përballen me një rritje të numrit të personave që kërkojnë të hyjnë në SHBA, numër ky që i kalon nivelet më të larta aktuale. Me t’u ndaluar, shumicës së personave që kalojnë kufirin pa autorizim të ligjshëm do t’u hapet menjëherë proces gjyqësor për deportim, por nuk do të dëbohen aty për aty. Shumë ekspertë në fushën e emigracionit e prisnin një shpërthim të numrit të personave të cilët nuk patën mundësi gjatë dy vjetëve të fundit të kërkonin strehim politik, pasi nuk kishin mundësi të hynin në sistemin e krijuar për këtë qëllim i cili do të vendoste nëse ishte koha për të ardhur.

Vendimi i administratës së presidentit Biden për t’i dhënë fund nenit 42 ndeshi në kundërshtimin e politikanëve që nuk shohin me sy të mirë të drejtat e emigrantëve. Si përgjigje ndaj kësaj, disa anëtarë të Kongresit po kërkojnë me ngulm të votohet për të nxjerrë një ligj që e mban në fuqi nenin 42. Ka një përpjekje të vazhdueshme mes disa anëtarëve të Kongresit që neni 42 të vazhdojë të jetë në fuqi derisa qeveria të hartojë një plan konkret. Njëzet e një shtete, të kryesuara nga Luiziana, Arizona dhe Misuri kanë hedhur në gjyq administratën e presidentit Biden që të heqë dorë nga anullimi i nenit 42, kjo për arsye proceduriale.

Më 20 maj, 2022, disa ditë përpara se neni të dilte nga fuqija, gjykatësi i çështjes “Arizona kundër CDC-së”, miratoi një urdhëresë mbarëkombëtare që pezullonte ndalimin e nenit 42. Gjykatësi e pa me vend argumentin e shtruar nga shteti sipas të cilit emigracioni ka ndikimin e tij në sistemet shtetërore të kujdesit shëndetësor. Gjykatësi vendosi që DHS-ja duhet të paraqesë raporte mujore ku tregohet: numri i personave të rritur që janë procesuar sipas nenit 42 dhe atij numër 8; numrin e personave që kanë kaluar kufirin në mënyrë të përsëritur, për të cilët DHS-ja ka hapur procedura të përshpejtuara deportimi; numrin e emigrantëve që nuk preken nga neni 42 pasi mbrohen nga procedurat përjashtuese që kanë për bazë arsyet humanitare, të mbështetura nga organizata jo-qeveritare (NGO); dhe cilindo lloj ndryshimi të politikave që lidhen me vënien në zbatim nga DHS-ja të procesit siç parashikohet nga neni 42. 

Administrata e presidentit Biden nuk është dakort me vendimin e gjykatës. Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së shpalli që do ta apelojë këtë vendim duke përdorur si argument arsyen që autoritetin për të vendosur lidhur me çështjet kombëtare të shëndetit publik e ka CDC-ja dhe jo një gjykatë e vetme qarku. Gjithsesi, sa kohë që çështja pret vendim nga gjykata e apelit, administrata e presidentit Biden do të vazhdojë të zbatojë nenin 42. Kjo do të thotë që emigrantët që tentojnë të hyjnë ilegalisht në SHBA, do të nxirren jashtë. 

DHS-ja thotë që neni 42 nuk është në autoritetin e emigracionit, por është çështje e shëndetit publik e vënë në zbatim nga CDC-ja si mbrojtje kundër përhapjes së sëmundjeve ngjitëse, në rastin konkret COVID-19-ës. Më 20 maj, 2022, DHS-ja deklaroi që do të veprojë në përputhje me vendimin e gjykatës dhe do të vazhdojë të zbatojë nenin 42 të CDC-së për sa kohë që ky nen mbetet në fuqi. DHS-ja do të vazhdojë vënien në zbatim të planit për të administruar rritjet e mundshme të numrit të migrantëve në kufi dhe ka krijuar për këtë qëllim një qendër të posaçme koordinimi në kufirin jugperëndimor. DHS-ja do të shtojë gjithashtu sipas nevojave, numrin e personelit dhe burimeve në dispozicion dhe ka vënë më shumë se 600 zyrtarë të forcave të rendit në kufi. 

Gjatë viteve të fundit, mundësia për të kërkuar mbrojtje në kufirin jugor të SHBA-së ka njohur kufizime të forta. Këto kufizime kanë qenë fryt i një kombinimi politikash, praktikash dhe rregulloresh të ndryshme. Së bashku ato i kanë vënë një barrierë procesit të rregullt të aplikimit për azil nga ana e emigrantëve, që është diçka e padrejtë, çnjerëzore dhe në kundërshtim me normat ndërkombëtare dhe amerikane të vendosura prej kohësh për refugjatët. Jemi bërë dëshmitarë të një numri të paparë migrantësh nëpër të gjithë globin si dhe një numri të paparë vdekjesh mes migrantësh rrugës apo në kufijtë tanë, në një kohë kur përpjekjet për të vënë migrimin nën kontroll janë bërë shkak që migrantët të gjejnë rrugëkalime akoma më të rrezikshme.  

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]