Çfarë mund të bëj nëse gjendem në SHBA dhe kam frikë që do të më skadojë viza e vizitorit?

Çështje të Emigracionit: Nga Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Nëse keni ardhur nga Shqipëria për të vizituar Shtetet e Bashkuara me vizë joemigruese dhe për shkak të krizës së pandemisë Covid-19 mund të mos jeni në gjendje të riktheheni në Shqipëri përpara se t’i mbarojë afati lejes së qëndrimit: duhet t’i bëni kërkesë direkt Shërbimit të Emigracionit dhe Nënshtetësisë së SHBA-së (USCIS) për shtyrjen e qëndrimit nëpërmjet formularit I-539 https://www.uscis.gov/i-539.  

Nëse dëshironi të shtyni qëndrimin në Shtetet e Bashkuara, USCIS-i rekomandon që të aplikoni të paktën 45 ditë përpara datës së skadimit të lejes së qëndrimit, ose menjëherë sapo të keni vendosur që ju nevojitet të shtyni apo të ndryshoni statusin. Nëse nuk arrini të aplikoni përpara mbarimit të afatit të qëndrimit, mund t’ju falet vonesa në rast se kur të aplikoni mund të dëshmoni që:

  • Vonesa u shkaktua për arsye rrethanash të jashtëzakonshme që nuk vareshin nga ju;  
  • Kohëzgjatja e vonesës ishte e arsyeshme;  
  • Vonesa ka qenë e vetmja shkelje e statusit;  
  • Jeni ende një joemigrant që nuk keni ndërmend të mashtroni; dhe  
  • Nuk jeni në proçes gjyqësor për largim nga vendi.  

Nëse vazhdoni të qëndroni në SHBA edhe pas periudhës kur lejes suaj të qëndrimit i ka mbaruar afati, rrezikoni që t’ju pengojnë të riktheheni aty dhe/ose mund të dëboheni (deportoheni) nga Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu mund t’ju kërkohet të bëni kërkesë për vizë të re në vendin tuaj (të nënshtetësisë). Edhe nëse ju aprovohet një status tjetër në të ardhmen, do t’ju kërkohet të paraqisni një formular I-539 që do të shërbejë si “urë” që mbulon hapësirën kohore që egziston mes kohës së skadimit të statusit aktual dhe asaj të vlefshmërisë së statusit të ardhshëm.

Në përgjithësi, mund të kualifikoheni që të aplikoni për shtyrje të periudhës së lejuar të qëndrimit nëse:

  • Gjendeni aktualisht në Shtetet e Bashkuara me vizë joemigruese;
  • Viza juaj joemigruese mbetet e vlefshme;
  • Nuk keni kryer krime që do t’ju kthenin në person të pakualifikueshëm për të marrë vizë;
  • Nuk i keni shkelur kushtet e pranimit [në SHBA]; dhe 
  • Keni pasaportë të vlefshme e cila vazhdon të mbetet e tillë gjatë gjithë kohëzgjatjes së qëndrimit tuaj.  

Vizë B-1 biznesi, ose vizë B-2 për kënaqësi

Nëse bëni kërkesë për shtyrje/ndryshim duhet të paraqisni një deklaratë me shkrim ose të shtypur ku shpjegohen me hollësi:  

  • Arsyet e kërkesës suaj;  
  • Arsyet pse qëndrimi i shtyrë do të jetë i përkohshëm, përfshirë këtu dhe përgatitjet që keni bërë për t’u larguar nga Shtetet e Bashkuara; dhe  
  • Efektin që qëndrimi i shtyrë do të ketë në punën apo banimin në vendin e huaj.

Datën kur ju mbaron afati i qëndrimit në SHBA mund ta gjeni në cepin e poshtëm djathtas të formularit I-94 Arrival/Departure Record. Që prej 30 prillit, 2013, shumica e të dhënave që kanë të bëjnë me mbërritjen dhe/ose largimin nga SHBA-ja krijohen dhe ruhen në formë elektronike që në momentin e mbërritjes. Mund të vizitoni faqen në internet të Customs and Border Patrol’s I-94, Travel Records ku ruhen të dhënat e sipërpërmendura për të gjithë vizitorët e huaj në SHBA, në adresën https://i94.cbp.dhs.gov/I94/#/home#section për të:  

  • Aplikuar për një formular të ri I-94 (vetëm për udhëtarët që hynë nga kufiri tokësor); 
  • Të marrë formularin I-94 më të fundit; 
  • Për të parë historikun e udhëtimeve; ose
  • Për të parë se sa kohë ju ka mbetur për të qëndruar në SHBA bazuar në kushtet që ju janë vënë kur u lejuat të hyni aty.

Formularin I-539 mund ta mbushni dhe ta dërgoni qoftë në mënyrë elektronike qoftë në letër.

Aplikimi në mënyrë elektronike.

Jo të gjithë joemigrantët e kanë mundësinë në këtë kohë të dërgojnë formularin I-539 në mënyrë elektronike. Nëse kualifikoheni, mund të krijoni llogarinë tuaj në internet tek USCIS-i për të dërguar formularin në rrugë elektronike si dhe:  

  • Të paraqisni prova si dhe të paguani në mënyrë elektronike tarifat përkatëse, 
  • Të merrni informacion të përditësuar lidhur me ecurinë e çështjes suaj si dhe të shihni historikun e plotë të çështjes;  
  • Të komunikoni me USCIS-in në mënyrë të sigurtë dhe të drejtpërdrejtë; si dhe
  • T’i përgjigjeni kërkesave për dokumentacion shtesë.  

Nëse keni një llogari në internet tek USCIS-i, thjesht futuni aty për të nisur punën.

Aplikimi në letër

Nëse aplikoni në këtë formë, duhet:  

  • Të lexoni udhëzimet që lidhen me formularin I-539 për shtyrje ose ndryshim të statusit të joemigrantit, Application To Extend/Change Nonimmigrant Status;  
  • Të mbushni dhe të firmosni formularin I-539;  
  • Të paguani tarifën për aplikimin si dhe atë të shërbimit biometrik, në rast se kërkohet t’i paguani; dhe  
  • Të paraqisni të gjithë dëshmitë që kërkohen si dhe dokumentacionin në mbështetje të tyre.

Tarifa e aplikimit është $370 plus tarifën e shërbimit biometrik prej $85.  

Secili aplikim duhet të jetë firmosur dhe paraqitur siç duhet. USCIS-i nuk do të pranojë që në vend të firmës të shtypni ose të stamponi emrin tuaj. Nëse nuk e keni mbushur ende moshën 14 vjeç, prindi apo kujdestari juaj ligjor mund të firmosë aplikimin për ju. Kujdestari ligjor mund të firmosë gjithashtu në vend të personit me aftësi mendore të kufizuara. USCIS-i do ta konsiderojë të vlefshme për qëllim aplikimi fotokopjimin, dërgimin me faks apo kopjen e skanuar të firmës origjinale të shkruar me dorë. Fotokopja, faksi apo kopja e skanuar duhet të jenë të dokumentit origjinal që përmban nënshkrimin e bërë me dorë dhe bojë shkrimi.

Kur USCIS-i të marrë formularin I-539, do të merrni:

  • Njoftimin që konfirmon marrjen e aplikimit tuaj (Receipt Notice);  
  • Njoftimin për shërbimin biometrik, nëse nevojitet në rastin tuaj;  
  • Njoftimin për t’u paraqitur për intervistë, në rast se kërkohet; dhe 
  • Njoftimin e vendimit.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]