Çfarë ndodh me punëtorët rusë pas largimit të kompanive perëndimore nga Rusia?

Uashington, 21 mars 2022 – Shumë kompani perëndimore i kanë mbyllur përkohësisht objektet e tyre në Rusi ose kanë ndaluar shitjen e produkteve të tyre atje. Drejtuesit e kompanive perëndimore thonë se do të vazhdojnë të mbështesin financiarisht punonjësit e tyre atje.

Që nga hapja e McDonald-it të parë në Rusi e deri tek publikimi i numrit të parë të revistës Vogue, për tre dekada me radhë kompanitë perëndimore kanë investuar në mënyrë aktive për zhvillimin e tregut vendas.

Por, gjithçka ndryshoi kur Rusia sulmoi Ukrainën. Tani, bizneset janë mbyllur dhe mijëra punonjës janë pa punë. Ndërsa mbyllja e bizneseve synon të dëmtojë qeverinë ruse, ekspertët thonë se edhe punonjësit rusë po dëmtohen gjithashtu.

Zëri i Amerikës bisedoi përmes rrjetit Zoom me Bruce Dean të Shkollës Juridike në Universitetin Shtetëror të Miçiganit.

“Janë 62,000 punonjës të McDonald-it dhe 2,000 punonjës të Starbucks-it, pa llogaritur punonjësit e zinxhirit të furnizimit. McDonald krijoi zinxhirin e prodhimit lokal, që nga sallata, domatet e gjithçka tjetër. Kështu ka vazhduar puna për 30 vjet atje. Por, çfarë do të ndodhë tani me këta punonjës? Asgjë e mirë”, tha ai,

Tregu rus përbën rreth 9% të të ardhurave të komapnisë McDonald, por më 14 mars kompania mbylli përkohësisht të 850 restorantet e saj në Rusi.

Për momentin, kompania premton të vazhdojë t’i paguajë mijëra punonjësit e saj në Rusi.

Kompanitë si Starbucks, KFC dhe PepsiCo kanë premtuar të bëjnë të njëjtën gjë. Por, çfarë do të ndodhë nëse lufta vazhdon për një kohë të gjatë?

“Për sa kohë mund ta përballojë McDonald-i të paguajë 62,000 njerëz që nuk punojnë? Nuk e di. Ndoshta për një kohë të gjatë, por a do ta bëjnë këtë?”, tha për Zërin e Amerikës Bruce Bean me Universitetin Shtetëror të Miçiganit.

Edhe kompani të tjera po pezullojnë veprimtaritë e tyre në Rusi. Firmat si PepsiCo, Coca-Cola dhe Procter & Gamble po i pezullojnë investimet e tyre në reklama. Por, nuk është e qartë se çfarë ndikimi do të ketë kjo tek mediat ruse, thotë për Zërin e Amerikës Bruce Bean nga Universiteti Shtetëror i Miçiganit.

“Reklamimi është i kushtueshëm për këto kompani. Por nuk është e rëndësishme për mediat shtetërore ruse, që kontrollohen gjithnjë e më shumë nga shteti… Ne kemi parë mbylljen e stacioneve dhe burimeve të pavarura”, tha ai.

Ndërkohë, Kremlini ka njoftuar se po shqyrton një plan për të shtetëzuar bizneset me pronësi të huaj që janë larguar nga vendi.

(Zëri i Amerikës)