Çfarë përmbanin dosjet që ishin dërguar në zyrat e OVL të UÇK-së?

Hagë, 1 shtator 2021 – Pas afër një viti nga arrestimi, të mërkurën në Hagë nisën seancat përgatitore për fillimin e procesit gjyqësor ndaj kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, dhe ndaj nënkryetarit të kësaj organzate, Nasim Haradinaj.

Ish-kryetari dhe ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së do të përballen me akuzat për pengim të drejtësisë, për shkak të zbulimit të një sërë dosjesh që lidhen me Dhomat e Specializuara. Dosjet ishin dërguar në zyrat e OVL  të UÇK-së dhe u ishin shpërndarë gazetarëve gjatë muajit shtator të vitit 2020.

Në seancën e së mërkurës, Prokurori i Specializuar ka zbuluar se çfarë përmbanin materialet që ishin dërguar në selinë e OVL të UÇK-së në Prishtinë, nga persona ende të paidentifikuar.

“Sikur që ka bërë të ditur hetuesi i dosjes, pakoja e parë përmbante dosje prej 891 faqesh dhe përfshinte kërkesa konfidenciale për ndihmë në hetime penale drejtuar autpriteteve serbe nga SITF, shumica nga të cilat përmbajnë shtesa krejt sekrete me informacione mbi dëshmitarët e mundshëm si dhe dokumentet serbe me përgjigjet ndaj kërkesave”, thuhet në parashtresat e dorëzuara nga Jack Smith, kryeprokuror i specializuar.

Kërkesat e Task Forcës për Hetime Speciale kanë të bëjnë kryesisht me intervistat dhe audio-incizimet që i duan nga serbët.

Me më pak peshë janë materialet e pakos së dytë.

“Pakoja e dytë përmban dosje prej 937 faqesh në total. Sikurse është thënë, 931 faqet e kësaj pakoje përmbajnë incizime të procedurave të mëparshme të gjykimeve të mbajtura në Kosovë dhe ato në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish Jugosllavi, të cilat i janë dhënë edhe mbrojtjes, më 29 janar 2021. Në pakon e dytë janë diku 6 faqe me emrat dhe kontaktet e dëshmitarëve të mbrojtur, të cilat nuk i janë dhënë mbrojtjes”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeprokurorit të Specializuar.

Në parashtresat që i ka dorëzuar gjatë kësaj jave kryeprokurori Jack Smith ka treguar se të akuzuarve dhe mbrojtjes mund t’u jepen vetëm disa pjesë të dosjeve të cilët ishin bërë publike edhe në media.

Por, krejtësisht e mbyllur, duhet të mbetet meodemos pakoja e tretë.

“Sipas deklaratës së hetuesit, pakoja e tretë është e tëra me nga dy kopje jo të plota, njëra me 244 e tjetra me 245 faqe, e cila përmban prova që lidhen me 5 të dyshuar të Prokurorisë së Specializuar. Këto dokumente janë cilësuar tërësisht konfidenciale, sepse në to gjenden emrat e dëshmitarëve të Prokurorisë së Specializuar dhe të dëshmitarëve të mundshëm. Pakoja e tretë përmbante edhe informacione që Prokurorisë i janë dorëzuar nga organizatat ndërkombëtare dhe nga subjektet tjera që funksionojnë nën masa të rrepta e sekrete”, thuhet mëtutje në njoftim.

Kryeprokurori Jack Smith ka konfirmuar se të gjitha materialet e publikuara në medie e kanë dëmtuar punën e tyre, sepse atomateriale janë origjinale.

(r.m.)