Çfarë synoi Serbia me organizimin e samitit të të Painkuadruarve në Beograd?

Beograd, 14 tetor 2021 – Të martën në Beograd i përfundoi punimet Konferenca e vendeve anëtare të Lëvizjes së të Painkuadruarve, e cila u organizua në 60 vjetorin e themelimit të kësaj organizate.

Tani shtrohet pyetja çka synoi dhe çka arriti Serbia me organizimin e kësaj konference.

Analistët në Serbi mendojnë se lobimi kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës nga disa vende të vogla ishte një prej objektivave kryesore të diplomacisë serbe. Por, ata mendojnë se Serbia u përpoq ta shfrytëzonte konferencëne të painkuadruarve edhe për të përmirësuar imazhin e saj, për të promovuar armatimin e saj dhe për të forcuar marrëdhëniet me Rusinë, Bellorusinë dhe Azerbejxhanin.

Por, sipas analistëve, Serbia nuk përfitoi shumë nga organizimi i konferencës.

Vuk Vuksanoviq, hulumtues në Qendrën për Politika të Sigurisë në Beograd, ka thënë se Serbia mund të presë një efekt të vogël vetëm përsa i përket qëndrimit të disa vendeve anëtare të Lëvizjes ndaj pavarësisë së Kosovës.

“Serbia nuk mund të presë nga ky tubim ndonjë efekt strategjik afatgjatë. Mund të presë vetëm ndonjë efekt të vogël taktik siç është vazhdimi i mbështetjes së vendeve të painkuadruara rreth mosnjohjes së Kosovës”, ka thënë Vuksanoviq për gazetën e pavarur beogradase “Danas”.

Por, Vuksanoviq ka theksuar se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të përpiqet ta shfrytëzojë konferencën e të painkuadruarce për poena politikë në planin e brendshëm.

“Në prag të zgjedhjeve në Serbi, Partia Përparimtare Serbe në pushtet dhe Aleksandar Vuçiqi do të paraqiten si meritorë për kthimin e autoritetit të Serbisë”, ka thënë ai.

Analistët mendojnë se samiti i vendeve të painkuadruara nuk mund të sjellë kurrfarë ndryshimesh në politikën globale.

(r.m.)