Çfarë të ardhmeje kanë kërkimet bërthamore në Gjermani?

Nga Deutsche Welle

 

Gjermania do t’i japë fund shfytëzimit të energjisë bërthamore. Deri tani ajo kryeson në botë në hulumtimet shkencore. A do të vazhdojë ajo ta ruajë këtë kompetencë edhe pas mbylljes së reaktorëve?

Kërkimet gjermane paraprijnë në teknologjinë bërthamore botërore. Shkencëtarët trajtojnë në mënyrë intensive dy çështje: Asgjësimin e mbeturinave bërthamore dhe operimin e sigurt të reaktorëve, thotë Ernst Arndt Reinecke, drejtor i Kërkimeve për sigurinë e reaktorëve në qendrën studimore në Jülich.

Por si do të jetë, pas ndërprerjes së shfrytëzimit të energjisë bërthamore në Gjermani? Dirk Bosbach, që drejton Institutin për kërkime për asgjësimin e mbeturinave bërthamore në Jülich, beson se kërkimet do të përqëndrohet më shumë në fusha të caktuara:

Asgjesimi i mbeturinave bërthamore mbetet temë studimesh

Nga njëra anë kërkimet për asgjesimin e mbeturinave do të mbeten. Kjo çështje duhet zgjidhur. Heqja, shkatërrimi i centraleve bërthamore do të vijë më fort në fokus. Dhe në anën tjetër është operimi i sigurt i centraleve bërthamore. Deri ditën e fundit duhet të kryejmë studime mbi çështjet e sigurisë.”
Pas kësaj, thotë Bosbach, Gjermania mund të humbasë kompetencën në teknikën bërthamore. Sepse koncernet ndërkombëtare, që prodhojnë reaktorë, do ta spostojnë hulumtimin dhe prodhimin gjithnjë e më shumë, atje ku punojnë reaktorët. Nga këndvështrimi i sipërmarrjeve nuk ka kuptim që të ngrejnë sisteme, atje ku autoritetet nuk japin leje për të operuar.
“Të mbash kompetencën, nuk do të thotë të lexosh botimet mbi një temë, ajo bëhet vetëm në mënyrë aktive. Pra duhet punuar në mënyrë aktive në një fushë kërkimi, vetëm atëherë je kompetent.”

Që tani ndjehet një rënie e fondeve kërkimore nga industria

“Nëse unë financoj tani një punim doktorature, që zgjat tre deri në katër vjet, dhe derisa unë për atë që ka dalë në ky punim, të marr një licencë për instalimin në një central bërthamor, ka kaluar viti 2020 dhe 2021. ”

Dhe paskëtaj energjia bërthamore në Gjermani do t’i përkasë së kaluarës. Megjithëse Gjermania në kuadrin e marrëveshjeve ndërkombëtare edhe në të ardhmen është e detyruar të vërë në dispozicion kompetencën teknike bërthamore, kjo mund të jetë e vështirë, nëse mungojnë studiuesit e rinj.

Përse na duhet komvetenca në këtë fushë kërkimesh, nëse ne do të largohemi prej saj? Sepse jemi të rrethuar nga centralet bërthamore. Ne duam që edhe në të ardhmen të jemi në gjendje të gjykojmë se çfarë bëjnë fqinjët tanë. Në nivel evropian bëhen përpjekje për të harmonizuar standardet e sigurisë dhe ne duam të kemi rolin tonë aty! Pra, ne na duhen njerëz kompetentë në këtë fushë. ”

Nga sektori publik megjithatë nuk mund të pritet, që të japin para për boshllëkun financiar të krijuar në punën kërkimore. Sepse askush nuk mund të kuptojë, se përse pikërisht në kohët e kthesës energjitike duhet të shpenzohen më shumë para nga taksat për kërkimet bërthamore.

Kjo gjë vihet re qartë edhe në interesimin e studentëve. Kështu tani nuk ka asnjë problem, që të sigurosh një vend studimi në fushën e teknologjisë bërthamore. Çdo semestër mbushet vetëm një e katërta, apo gjysma e vendeve. Shumica e studentëve shkojnë në degën e teknologjisë së depozitimit të mbeturinave bërthamore.

Studimi i kësaj dege hap shumë perspektiva

Në fakt dega e studimeve të sigurisë së reaktorëve nuk është një udhë pa krye për karrierën. Shumë pikërëndesa të studimeve të teknologjisë bërthamore janë relevante edhe për energjitë e rinovueshme: për shembull, kur është fjala për kontaktin e sigurt me hidrogjenin. Ai mund të dalë nga reaktorët bërthamorë, kur elementët ndezës nxehen shumë. Atëherë ekziston rreziku i shpërthimeve të oksihidrogjenit, si në Fukushima. Atje ata kanë shkatërruar mbështjelljen e sigurisë së reaktorit. Por një shpërthim oksihidrogjenit mund të ndodhë, edhe kur rrjedh hidrogjeni, i cili depozitohet apo transportohet si një bartës i energjisë, paralajmëron fizikani Reinecke:

“Probleme sigurie ka në përdorimin e hidrogjenit. Sidomos në qoftë se ai nuk shfrytëzohet vetëm për përdorimet industriale, por në të përditshmen në stacionet e mbushjes së karburantit, ose në shtëpi. Këtyre çështjeve të sigurisë u duhet dhënë përgjigje dhe kjo bëhet me ekspertë të hulumtimeve të sigurisë së reaktorëve.”

Edhe fushat e veçanta kërkimore si ftohja e metalit të lëngshëm dhe dinamika e gazit – të dy pjesë të hulumtimit të sigurisë së reaktorëve, kanë çfarë të ofrojnë për energjitë e rinovueshme:
„Ne kemi tani rastin e një punonjëseje, e cila ka kaluar në sektorin e energjisë diellore, dhe njohuritë që ajo ka fituar për temperaturën e lartë në teknologjinë e reaktorit, mund t’i shfrytëzojë tani për të punuar në një kullë diellore.”

Kulla prodhon temperatura prej rreth 1000 gradë celsius, duke përqëndruar dritën e diellit me pasqyra të gjigande në një sipërfaqe të vogël. Aty mbizotërojnë kushte të tilla si në një reaktor bërthamor.

Studjuesit e energjisë bërthamore në Jülich janë megjithatë të bindur se teknologjia nukleare, me apo pa largimin nga energjia bërthamore do të vazhdojë të jetë një fushë interesante për studjuesit:
“Nuk duhet të harrojmë se kjo është një temë ndërkombëtare, ne jemi të rrethuar nga reaktorët bërthamorë në vendet fqinje. Zhvillimi do të vazhdojë dhe në qoftë se Gjermania do të jetë një nga partnerët më të mëdhenj në qarqet hulumtuese ndërkombëtare, atëherë know-how do të na mbetet.”

Tema interesante doktorature

Dhe pavarësisht nga numri i vogël i studentëve në vitet e para, në semestrat më të lartë gjendja është ndryshe, thotë gjeologu Bosbach.
“Studentët nuk vijnë këtu në institut për të bërë një doktoraturë, sepse janë të frymëzuar nga teknologjia bërthamore, por sepse kërkojnë tema kërkimore interesante dhe këtu ka mjaft pa dyshim: Ne kemi 25 doktorantë këtu në institut, më shumë se kurrë më parë.”