Chollet e Kurti biseduan me telefon për dialogun dhe situatën në veri

Prishtinë, 18 maj 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën në mbrëje, ka biseduar në telefon me Këshilltarin e Lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Zyra e Kryeministrit njofton se Kurti e Chollet kanë biseduar për procesin e dialogut me Serbinë dhe për situatën në katër komunat veriore të Kosovës, pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit.

“Ata biseduan edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me theks te zbatimi i plotë dhe i pakushtëzuar i Marrëveshjes Bazike, dhe për takimin e së hënës në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve. Folën edhe për situatën në katër komunat në veri të Kosovës pas zgjedhjeve të 23 prillit dhe për finalizimin e procesit zgjedhor me rastin e mbajtjes së seancave konstitutive dhe betimit të kryetarëve të zgjedhur”,  thuhet në njoftim.

“Institucionet e Republikës së Kosovës mbesin të përkushtuara që të garantojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, dhe në të njëjtën kohë të sigurojnë mbarëvajtjen e shërbimeve ndaj qytetarëve”, thuhet më tutje në njoftim.

Në njoftim bëhet e ditur se kryeministri Kurti e Chollet kanë biseduar edhe për vizitën në Kosovë të Administratores së USAID, Samantha Power, dhe shpalljen e ankandit të parë për parkun e energjisë solare në Kosovë.

“Në lidhje me këtë, këshilltari Chollet tha se ajo (zonja Power) ishte ndarë me përshtypjet më të mira dhe e falënderoi kryeministrin për pritjen. Kryeministri u shpreh i nderuar dhe mirënjohës për vizitën e administratores Power dhe për mbështetjen e vazhdueshme të USAID-it dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeminstrit të Kosovës.

Chollet ka biseduar me telefon të mërkurën edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai është cituar të ketë kërkuar shmangien e provokimeve dhe akteve që mund të shtojnë tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.

Të enjten, Chollet dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të raportojnë në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit të SHBA-së lidhur me politikat amerikane kundrejt Ballkanit Perëndimor.

(r.m.)