Çipa: Ligji për Kufirin, kyç për kontrollin e krimit dhe terrorizmit (zë)

Intervistë e zëvendësministrit të Brendshëm, Stefan Çipa dhënë gazetës “Illyria” të komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara

Ministria e Brendshme në Shqipëri po harton një ligj të ri për “Për kontrollin kufitar”. Zëvendësministri i Brendshëm, Stefan Çipa tregon se çfarë synon ligji i ri, përfshi për Shqipërinë dhe Kosovën, luftën kundër terrorizmit dhe krimit dhe kalimin pa vulë në pasaportë. Projektligji që ka ndikim gjithashtu për lehtësitë në ekonomi, ishte i domosdoshëm pas miratimit të “Kodit të Kufijve të “Shengenit” në mars 2016.

Bisedoi: Denion Ndrenika

Projektligji në hartim “Për kontrollin kufitar”, ndihmon lëvizjen e qytetarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës, hapjen e pikave të përbashkëta të përkohshme kufitare dhe mosvendosjen e vulave në pasaporta. Por, zëvendësministri i Brendshëm, Stefan Çipa në bisedë me gazetën “Illyria” theksoi se projektligji forcon shumë luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

-Zoti zëvendëministër, ju thoni që do të hiqen vulat në pasaporta në pikat kufitare. Përse duhet ky projektligj për kufirin?

-Stefan Çipa: “Ka kaluar në parim në Komisionin e Sigurisë dhe në Komisonin e Integrimit projektligji “për “Kontrollin Kufitar”.
Një ndër avantazhet që ka ligji i ri është edhe mosvendosja e vulave në pasaporta për të gjithë shtetasit shqiptarë dhe shtetasit e vendeve të Bashkimit Europian dhe për shtetasit e Zonës Ekonomike të Bashkimit Europian, pra që janë katër shtete: Zvicra, San Marino dhe dy shtete të tjera.
Për shtetasit shqiptarë kur ka një regjistrim elektronik dhe kur ka një data base të rregullt të mbajtur për të gjitha daljet që ndodhin jashtë Shqipërisë, t’i bëjmë këto që të mos mbushet pasaporta me vula në dogana. Pra, vendoset kjo. Pra, edhe siç thashë që janë edhe të gjithë shtetasit e Bashkimit Europian dhe për ata të Zonës Ekonomike të Bashkimit Europian”.

-Pra, ju zoti Çipa mendoni se kjo krijon lehtësi lëvizjeje?

-Stefan Çipa: “Kjo krijon lehtësi ose heq vonesat në Pikat e Kalimit Kufitar. Pra, nuk do të ketë vonesa në Pikat e Kalimit Kufitar. Do të ketë më shumë shpejtësi dhe nuk do të mbushet pasaporta me vula, që të mos ketë nevojë, apo që të mos detyrohen qytetarët që të bëjnë pasaporta të tjera apo të ketë vonesa të tjera.
Edhe për ta verifikuar. Këtu ka ndodhur kalimi i një shtetasi edhe në dalje, edhe në hyrje, po të mos jesh i regjistruar në sistemin TIMS, mund ta verifikosh edhe që andej”.

-Kjo është e vlefshme për ata shtetas që kanë nënshtetësi të tjera, por që janë njëkohësisht edhe me nënshtetësi të Shqipërisë? Bëj fjalë për shqiptarët nga Kosova, Mali i Zi, shqiptarët e shtetit maqedonas. Pra, edhe për këtë kategori shtetasish?

-Stefan Çipa: “Po, për të gjithë shtetaisit që kanë nënshtetësi shqiptare”.

-Qartë. Zoti Çipa sa ndihmon ky ndryshim ligjor për forcimin e kontrollit për shtetas shqiptarë ose jo, të dyshuar për veprimtari kriminale dhe veçanërisht për veprimtari terroriste?

-Stefan Çipa: “Komplet projektligji që është duke u diskutuar tani në Kuvend, bëhet dhe përshtat për këtë.
Ne, arsyet sepse kemi bërë ndryshimin e këtij ligji, është se nga vlerësimi që ka bërë Drejtoria e Përgjithshme e Kufirit dhe Emigracionit dhe ekspertët e “PAMECA”-s në grupin e posaçëm që po harton projektligjin, ligji i mëparshëm, apo ligji aktual që ne kemi, ka pasur disa mangësi.
Ja, në muajin mars të këtij viti, e dimë që është miratuar Kodi i Kufijve Shengen. Dhe, ne për të bërë përshatjen e ligjit tonë me Kodin e Kufijve Shengen dhe u dukën të gjitha mangësitë dhe shqetësimëet në këtë përshtatje, u pa e arsyeshme, doli e e domosdoshme që ne të bënim një ligj të veçantë që është vetëm për kontrollin kufitar”.

-Kjo shmang punën që kanë pasur policitë e Shqipërisë dhe të Kosovës si dhe ato në rajon, për dyshime për vula të falsifikuara?Është kjo një mundësi e mirë me regjistrimin elektronik?

-Stefan Çipa: “Absolutisht që po! Në bazë të marrëveshjes që po hartojnë të dy qeveritë, qeveria shqiptare dhe qeveria e Kosovës, mendojmë që në tri Pikat e Kalimit Kufitar me Kosovën, të jenë Pika të Përbashkëta të Kalimit Kufitar e të mos jenë të ndara.
E dyta, ky projektligj krijon edhe hapësirën e caktimit të Pikave të Përkohshme Kufitare që janë në kompetencë të autoriteteve vendore.
Ka qytetarë, një grup turistik ose një grup artistik, për të kaluar nga njera anë në anën tjetër të kufirit, që të presin vendime të Këshillit të Ministrave, që do të ishin të gjata në kohë. Pra, ky ligj i parashikon të gjitha këto që mund të bëhen më shpesh dhe më shpejt”.

-Ju faleminderit për kohën tuaj zëvendësministër!

-Stefan Çipa: “Ju faleminderit dhe diçka edhe për merakun që kishit në lidhje me faktin që ka procedura të veçanta në hyrje dhe në dalje”.

-Po, urdhëroni.

-Stefan Çipa: “Procedurat në dalje të shtetasve shqiptarë ky ligj i parashikon. Ka edhe procedurat e ndalimit për njerëz që kanë elementë kriminalë apo që dyshohen për krimin e organizuar, akte terroriste, kuptohet që ka edhe pengesa të tjera për të dalë”.

-Qartë. Ju faleminderit dhe gjithë të mirat!

-Stefan Çipa: “Ju përshëndes! Respekte dhe faleminderit”!