Copëza të së shtunës, pranë shkollës shqipe “Alba Life” (Ambasador i Kombit)

Sonilda Kadria

Shprehja “E shtuna flet shqip! ” , në postimet e shkrimtares dhe mësueses Kozeta Zylos, më frymëzoi sot të ndaj me ju copëza të së shtunës pranë shkollës shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit. 

Pas pandemisë,shkolla jonë këtë vit shkollor  ka filluar të zhvillojë mësimet e gjuhës shqipe  me pjesëmarrje në klasë në Bronx, Brooklyn, Queens dhe State Island. Kjo nuk do të thotë që ajo ka ndaluar mësimdhënien në online. Shkolla shqipe “Alba Life”në NY vazhdon të operojë edhe në online në platformën “Google meet” duke iu dhënë kështu mundësinë edhe atyre që janë larg nga Nju Jorku, në shtete të tjera  të Amerikës të mësojnë gjuhën shqipe, të mos e harrojnë atë. 

Çdo të shtunë në orën 10, mblidhemi para ekranit   dhe mësojmë të shkruajmë e lexojmë shqipen tonë të bukur, mësojmë vjershat shqipe, mësojmë çdo herë e më shumë për Shqipërinë, zakonet , traditat dhe kulturën tonë. Çfarë kënaqësie kur dëgjon këta fëmijë të vegjël me sa zell e dëshirë e  mësojnë gjuhën  shqipe, sa bukur ata shqiptojnë tingujt shqip, si cicërrimat e zogjve do thoshte Kozeta! 

Të shtunën që kaloi ne mësuam ngjyrat në gjuhën shqipe. Ne gjatë orës mësimore edhe argëtohemi. Sa u kënaqëm kur nxënësit vraponin në shtëpi për të gjetur objekte me ngjyrën e kërkuar nga mësuesja. Gjithashtu, këtë të shtunë madje dhe festuam. Një nxënës i klasës, i quajtur Brandon kishte ditëlindjen. Ne i kënduam atij këngën e ditëlindjes në shqip “ Shumë urime për ty”. Nuk munguan as urimet në gjuhën shqipe.

Çdokush vendit mund t’i shërbejë në mënyra të ndryshme. Sfida jonë në diasporë është ruajtja e gjuhës shqipe. Shkolla shqipe “Alba Life“ na ka krijuar këtë mundësi, që ta ruajmë dhe ta trashëgojmë gjuhën tonë te brezat e ardhshëm. Sigurisht që s’mund të rri pa falenderuar themeluesit e shkollës Kozeta Zylo dhe Qemal Zylo , që me anë të kësaj shkolle kanë bashkuar komunitetin tonë këtu në Amerikë. Gjuha është pra, ajo që na bashkon! Përgëzime pa fund për stafin e shkollës, për mësueset, për nxënësit, për prindërit. Këta të fundit i falenderoj pa fund që nxisin te fëmijët e tyre dashurinë për atdheun , ruajtjen e origjinës.Gjithashtu dua të falenderoj  dhe përgëzoj profesoreshat e mia të universitetit Aljula Jubani Rozana Rushiti Linda Mëniku, Maklena Cabej , të cilat na kanë ardhur në ndihmë me tekstet  e tyre për të mësuar shqipen  si gjuhë të dytë.

Ejani në shkollën tonë, ejani të takoni copëza të Shqipërisë , ejani të mësojmë së bashku gjuhën tonë të bukur, ejani të çmallemi së bashku për Shqipërinë e munguar!Gjuha shqipe na bashkon!