COVID-19 i merr jetën fizioterapistit të Kombëtares prej 27 vjetësh, Ylli Mihali

Lajmin e dha Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka

Knid Ndrenika

Ylli Mihali ndërroi jetë pa mundur ta kalojë COVID-19 duke lënë pas kujtimet e mrekullueshme si fizioterapisti i Kombëtares së Shqiptarëve në futboll prej 27 vjetësh radhazi.

Në moshën 55-vjeçare Ylli MIhali humbi betejën me Koronavirusin pas një kohe të gjatë.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka tha se lajmi që po jepte për ndarjen nga jeta të mjekut Mihali, ishte i kobshëm, raportoi korrespondenti i RTK-së Knid Denion Ndrenika.

“Pak minuta më parë u njoha me lajmin e kobshëm se Ylli Mihali, njeriu i mirë, fjalëpak, u nda nga jeta pas një betejë të gjatë e stërmunduese me COVID-19”-komunikoi Duka.

Ai tha se ky ishte një çast i vështirë për të gjithë futbollin shqiptar, që “njohu dhe e dashuroi aq shumë Yllin, që emrin e reflektonte në ҫdo hap dhe moment të jetës së tij”.

Duka e quan Mihalin “fizioterapist dhe një njeri i jashtëzakonshëm që shërbeu për 27 vite pranë ekipit tonë Kombëtar, pranë klubit të tij Tiranës, pranë sportistëve në vështirësi, duke qënë pranë tyre në ҫdo situatë”.