Çuçi i kërkon ndjesë gazetares së dhunuar nga policia, Anila Hoxha

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi:

Lidhur me incidentin e ndodhur një ditë më parë me gazetaren Anila Hoxha, dua t’ju informoj se efektivi i policisë është larguar nga detyra.

Drejtori i Policisë së Shtetit dhe drejtori i SHÇBA kanë komunikuar menjëherë me gazetaren, si dhe në bazë të kallëzimit të saj efektivi do të ndiqet penalisht.

I kërkoj ndjesë dhe e falënderoj znj. Hoxha, si dhe iu bëj thirrje gjithë qytetarëve që ndeshen me efektivë të tillë policie të mos heshtin, por t’i denoncojnë.

I garantoj se toleranca për këto shfaqje të shëmtuara si ajo e një dite më parë do të jetë zero.

Gjej gjithashtu rastin t’u bëj thirrje efektivëve të Policisë së Shtetit të mos ia lejojnë vetes të bien në këtë nivel, që i përjashton ata automatikisht nga radhët e uniformave blu.