Çuçi: Nuk do të ketë kampe refugjatësh për interesa të vendeve të tjera në Shqipëri

Madje, sipas ministrit të Brendshëm, në lidhje me përcaktimin për emigrantët tranzit, “është e kundërta”!

Knid Ndrenika

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi deklaroi se është shumë e qartë se në Shqipëri nuk do të ketë kampe emigrantësh të huaj.

“Besoj se është bërë shumë e qartë, e thënë qartazi, që nuk do të ketë kampe refugjatësh për interesa të vendeve të tjera në Shqipëri!”-tha zoti Çuçi pas mbledhjes së qeverisë në Tiranë.

Ministri iu referua publikimeve në median britanike se me Shqipërinë është arritur marrëveshje për strehimin në kampe të emigrantëve që kalojnë tranzit.

“Kjo është thënë qartë nga Kryeministri, është thënë qartë nga Ministrja e Jashtme, është thënë qartë nga Ministri i Drejtësisë, është thënë qartë edhe nga Ministri i Brendshëm”-tha ai.

Madje, sipas ministrit të Brendshëm, në lidhje me përcaktimin për emigrantët tranzit, “është e kundërta”!

Ai përcaktim, vërejti zoti Çuçi, është që edhe kur kalojnë tranzit, “nuk do qëndrojnë në Shqipëri, por janë të detyruar vendet e origjinës, që të përgjigjen për ata emigrantë apo azilkërkues”.

Pra, siç siguroi ministri i Brendshëm, “është e kundërta e asaj që thuhet në media”.