Çuçi zotohet për vazhdimin e riatdhesimit të shqiptarëve nga kampet e ISIS-it

Shqipëria do të vazhdojë riathesimin e shqiptarëve nga kampet e ISIS-it në Siri

Knid Ndrenika

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi tha se do të vijojnë operacionet për riatdhesimin e shqiptarëve nga kampet e ish-të vetëquajturit “Shteti i Irakut dhe Sirisë apo Levantit” (ISIS).

Zoti Çuçi nuk ka zbuluar më shumë detaje nga takimi këtë mbrëmje në Tiranë me drejtorin e Përgjithshëm të Sigurisë së Libanit, Gjeneral-Majorin Abaz Ibrahim (Abbas Ibrahim) dhe Konsullin e Përgjithshëm të Shqipërisë në Liban, Mark Gojareb (Marc Ghorayeb).

“Me Gjeneralin dhe Konsullin, si dhe struktura tona të Policisë së Shtetit po vijojmë punën për riatdhesime të tjera nga ata që kanë mbetur ende pas. Janë operacione të vështira që marrin kohë, por tashmë kemi një përvojë të mirë dhe vendosmërinë e duhur për t’i shkuar deri në fund gjërave”, -tha ministri Çuçi.

Të dy vizitorët nga Libani janë personat kyç për operacionet e riatdhesimit të shqiptarëve nga kampet e ISIS-it në Siri.

Ministri theksoi ishte nder i veçantë që të ritakoheja me Gjeneral Majorin Ibrahim dhe me Konsullin Ghorayeb, të cilët ndodhen në Tiranë për vizitë dy ditore.

“I falenderova sërish për kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë për riatdhesimin e shqiptarëve nga kampet e ferrit në Siri. Mirënjohja jonë ndaj tyre do të mbetet e përjetshme”-tha ministri i Brendshëm.