Daçiq: Po na bëhet presion ta pranojmë në heshtje anëtarësimin e Kosovës në KE

Beograd, 29 tetor 2022 – Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, tha sot se ndaj Serbisë dhe vendeve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën po ushtrohet presion që të mos marrin pjesë në seancën e Këshillit të Evropës (KE) u do të vendoset për fillimin e procesit për pranimin e Kosovës në këtë institucion, në mënyrë që të pajtohen në heshtje me vendimin për pranim.

Daçiq, që u emërua shef i diplomacisë në qeverinë e re të Serbisë, tha se vendi i tij është në pozita shumë të vështirë, sepse numri më i madh i shteteve evropiane e kanë njohur tashmë Kosovën.

“Raporti i forcave në Këshillin e Evropës është i tillë që garanton se ndoshta ai vendim [për pranimin e Kosovës] do të kalojë. Pengesa kryesore e dëshirës së tyre është se deri më tani nuk ka ndodhur që një vend të pranohet pa konsensus dhe për këtë po na bëhet presion. Ata duan të tregojnë se tani, kur  Rusia është përjashtuar nga KE, janë të bashkuar dhe për këtë po bëjnë presion ndaj nesh dhe ndaj vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën që të mos marrin pjesë në seancë në mënyrë që faktikisht do të thotë se pajtohemi në heshtje për fillimin e procedurës”, tha Daçiq për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”.

Daçiq tha se Serbia do të kundërshtojë fuqishëm fillimin e procedurës  për pranimin e Kosovës në KE.

“Ne jemi absolutisht kundër nisjes së çdo procedure dhe do të luftojmë deri në fund kundër kësaj. Kjo është gjëja e parë e rëndësishme me të cilën po përballem unë si ministër i Punëve të Jashtme”, theksoi ai.

Daçiq foli edhe për propozimin franko-gjerman për arritjen e marrëveshjes përnormalizimin e marrëdhnieve mes Kosovës e Serbisë. Ai tha se propozimi ka për qëllim “anestezinë” e Serbisë për ta pranuar pavarësinë e Kosovës.

“Ata (Franca e Gjermania) mendojnë se nuk ka asgjë për të folur për zgjidhje politike, sepse ajo ka përfunduar me shpalljen e pavarësisë (së Kosovës) dhe se problemi kryesor është si të anestezohet Serbia për ta gëlltitur atë (pavarësinë e Kosovës), duke ofruar disa plane në të ardhmen”, theksoi Daçiq.

Por, ai shtoi se versioni përfundimtar i propozimit franko-gjerman nuk është përfunduar ende, sepse fjalën e fundit për këtë dokumdent do ta thotë Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

(r.m.)