Daily Mail: Gati gjysma e emigrantëve që hyjnë në Britani përmes La Manche janë nga Shqipëria

Londër, 7 gusht 2022 – Dyzet për qind e emigrantëve të kanalit “La Manche” janë nga Shqipëria paqësore – jo nga një vend i shkatërruar nga lufta, thotë një raport sekret i inteligjencës ushtarake britanike.

Gjithsej 1075 shqiptarë kaluan “kanalin” me varka të vogla, të organizuar nga bandat e kontrabandës së njerëzve, gjatë një periudhe gjashtë-javore këtë verë.

Sipas shifrave të qeverisë, më se 757 shqiptarë e kaluan “kanalin” vitin e kaluar, shkruan Daily Mail.

Bandat shqiptare thuhet se po blejnë varka të mëdha nga fabrikat kineze dhe po i përshtatin ato, duke u kërkuar firmave kineze t’i bëjnë më të mëdha për të zënë më shumë emigrantë në bord.

Ekspertët besojnë se kalimet ilegale po reklamohen në mediat sociale. Kontrabandistët i reklamojnë shërbimet e tyre në ‘TikTok’. Klientë paguajnë deri në 5.500 £ për hyrje në Britani.

Një oficer ndërlidhës i policisë shqiptare do të vendoset në Dover, për të ndihmuar në trajtimin e problemit në rritje, por raportohet se ka mungesë të përkthyesve shqiptarë për të ndihmuar.

288 persona të tjerë kaluan kanalin La Manche të premten, më 5 gusht, duke e çuar numrin e përgjithshëm të emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar në 1,372 këtë javë.

Pesë barka të vogla e kaluan kanalin gjatë periudhës së fundit 24-orëshe, tregojnë shifrat e qeverisë.

Këtu përfshihet një emigrant, i cili u shpëtua dje në mëngjes, pasi u përpoq të udhëtonte me kajak. Ai u kap nga oficerët e Forcave Kufitare Britanike rreth orës 9 të mëngjesit, pesë milje nga bregu anglez.

Hulumtimet e reja tregojnë se gati gjysmë miliardë paundë janë shpenzuar nga qeveria britanike në shtatë vitet e fundit, në përpjekje për të parandaluar hyrjen e emigrantëve.

(Sipas sot.com)