Dalip Greca vjen prej qiellit me dy libra: “Editorët e ‘Diellit’” dhe “Editorial”

Librat janë përgatitur dhe botuar nën kujdesin e “Diellit” dhe Federatës Vatra

Nga Keze Kozeta Zylo

Në Qendrën “Illyria” në Bronx Federata Panshqiptare “Vatra” mblodhi Vatranët, atdhetarët, veprimtarë, miq dhe gjithë familjen Greca për të promovuar dy librat e Dalip Grecës Editorit të Diellit, lënë në dorëshkrim.  Librat: “Editorët e “Diellit” në 110 vite histori përgatitur për botim nga z.Idriza Lamaj dhe “Editorial” nga z. Sokol Paja nën kujdesin e Vatrës janë dy libra sa të domosdoshëm aq dhe historik.

Në hyrje të Qendrës “Illyria” të mirëprisnin bashkëshortja fisnike e z. Greca si dhe gjithë familja e tij. 

Aktiviteti u moderua plot kulturë, profesionalizëm dhe seriozitet nga Editori i Diellit, z. Sokol Paja i cili tha se Librat përmbledhin tërësisht veprat dhe kryeveprat e patriotëve shqiptarë në mërgatën e Amerikës që shkrinë talentin dhe kontributin e tyre në “Vatër” e në “Diell”.

Përshëndetën plot nderime dhe respekt si Kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha, Dr. Paulin Marku që ishte studjuesi kryesor për këo dy botime, Z. Agim Rexhaj, Presidenti i Nderit të Vatrës, Studiuesi Idriz Lamaj, Sekretarja e “Vatrës” znj. Nazo Veliu, Dr. Preno Imeraj, Znj. Mimoza Belliu, znj. Keze Kozeta Zylo, znj. Marjana Bulku dhe z. Mark Mrnaçaj.

Me mjaft emocion dhe duartrokitje u mirëprit fjala përshëndetëse e të birit të Dalipit, Dorjan Greca, i cili falënderoi Vatrën dhe gjithë të pranishmit për nderimin që iu bë Atit te tij. Në aspektin familjar ai tha se babai ynë ishte i jashtëzakonshëm dhe shembullor dhe për këtë ne ndihemi shumë krenar.

Për të pranishmit u shfaq dokumentari në nderim për Dalip Grecën përgatitur nga Adem Belliu për TV “Kultura Shqiptare” ndërsa fotot u realizuan nga z. Bujar Verzivolli.

Në këtë promovim dhe përkujtim, organizuar nga Federata Panshqiptare “Vatra” ndërsa dëgjoja me vemendje kumtesat, më vinte ndërmend thënia e shkrimtarit të famshëm Artur Miller se: “Një gazetë e mirë është Kombi që pasqyron veten e tij”, ashtu dhe pena e ndritur e Dalipit e kreu më së miri këtë detyrë të shenjtë, ndaj le ta ruajmë përjetësisht këtë gazetë si një gur të çmuar në thesarin e Kombit shqiptar.

Sa herë vija pranë selisë qendrore të Vatrës në Bronx, fotografitë e shumta varur ne mur që janë historia jonë kombëtare dhe shumë prej korifejve janë në botën tjetër, Dalipi si një ciceron i Vatrës i shpjegonte plot sqimë dhe sillte para vizitorëve krahëhapur, yje me copëza qiejsh me zërat e tyre që dukej sikur nisnin e kuvendonin, ata shpirtbardhët e Kombit.

Me penën e tij vuri shpirtin që të shkonte dhe të futej në rrembat e gjakut të lexuesve, ndërsa dhimbjen, vuajtjen, atë stropacitësen, të mundimshmen që ndodh shpeshherë për gazetarin e la të flinte, e la brenda vehtes së tij, e burgosi në “qeli”…  Me punën e tij të kujton gazetarin e famshëm, Henry R. Luce, manjat i revistave amerikane si “Time”, “Life”, “Fortune” dhe “Sports Illustrated” si dhe Editorin e revistës “Time” i cili ka thënë: “Unë u bëra gazetar për t’iu afruar sa më shumë zemrës së botës”.

Dalip Greca nëpërmjet kodit të tij gazetaresk e perceptoi mjaft bukur gazetën “Dielli” dhe me një etje diturie donte t’i sillte publikut minierën e floririt të Vatrës që ishte në Amerikë, në vendin më demokratik të botës.  Sa e pasur ndihem me këtë minierë floriri! 

30 Prill, 2023

Qendra “Illyria” Bronx, New York