Danimarka planifikon t’i marrë me qira 300 qeli të burgjeve në Kosovë

Kopenhagë, 16 dhjetor 2021 – Danimarka planifikon t’i marrë me qira 300 qeli të burgjeve në Kosovë.

Sipas medies daneze BT.dk, kjo është bërë e ditur nga ministri i Drejtësisë, Nick Hækkerup, të mërkurën, pas arritjes së marrëveshjes me Partinë Popullore Daneze, SF dhe Konservatorët.

Hækkerup ka thënë se kapacitetet e burgjeve në Danimarkë duhet të zgjerohen për disa qindra vende, për të bërë të mundur akomodimin e 1.000 të burgosurve më shumë.

“Ndër të tjera, jemi dakord që duhet të punohet për t’u marrë me qira burgjet në Kosovë për të dënuarit për dëbim nga vendet e treta. Dhe ne jemi duke u zgjeruar me më shumë vende në burgjet daneze, si në planin afatshkurtër ashtu edhe në atë afatgjatë”, citohet të ketë thënë Nick Hækkerup.

Peter Skaarup, zyrtar i Partisë Popullore Daneze, ka thënë se kjo do ta zgjidhte problemin e hapësirës në burgjet e Danimakës.

“Kriminelët e deportuar tashmë mund ta kryejnë dënimin jashtë vendit dhe nuk është sekret se në burgjet daneze ka probleme hapësinore”, ka thënë Skaarup.

Por, e Majta Radikale e ka kundërshtuar një marrëveshje të tillë në kushtet e dhëna dhe i ka braktisur negociatat. Samira Nawa, përfaqësuese e kësaj partie, ka thënë se sistemi i burgjeve në Kosovë është kritikuar për korrupsion, dhunë ndërmjet të burgosurve dhe staf të trajnuar dobët.

“Norvegjia ka pasur më parë një marrëveshje shumë të keqe për të marrë me qira burgje në Holandë. Ne jemi shumë të shqetësuar që ne në Danimarkë nuk duam të marrim përgjegjësinë për të burgosurit tanë vetë. Sistemi i burgjeve të Kosovës është kritikuar për korrupsion, dhunë ndërmjet të burgosurve dhe stafit të trajnuar dobët”, ka tërhequr vërejtjen Nawa.

Telegrafi merr vesh se ka pasur diskutime mes ministrive të Drejtësisë të Kosovës dhe të Danimarkës në lidhje me këtë çështje.

Ministria e Drejtësisë pritet të japë më shumë detaje në lidhje me këtë temë, gjatë ditës së sotme.

(r.m.)