DASH e vlerëson kontributin e Institutit të Trashëgimisë së Shqiptarëve në Shkup

Shkup, 14 maj 2021 – Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi të mërkurën raportin e tij vjetor mbi gjendjen e lirisë së besimit në botë, që përfshinë të dhëna për gjendjen e lirisë së besimit në 200 shtetet e territore dhe dokumenton shkeljet e kryera nga qeveritë, grupet terroriste dhe individët.Aty analizohet në kapituj të veçantë edhe gjendje e lirisë së besimit edhe në Maqedoninë e Veriut.

Duke iu referuar Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, Raporti vë në dukje se ajo ndalon diskriminimin fetar dhe parashikon lirinë e fesë dhe shprehjen fetare. Kushtetuta u jep barazi para ligjit të gjithë individëve, pavarësisht nga besimi fetar dhe përmend pesë komunitete fetare: Kishën Ortodokse Maqedonase, Komunitetin Fetar Islam në Maqedoninë e Veriut (IRC), Kishën Katolike, Kishën Metodiste Ungjillore dhe Komunitetin Hebre, të cilat janë të liruar nga taksat, ndërkohë që grupet e tjera fetare duhet të regjistrohen për të marrë të njëjtat përfitime.

Në Raport nënvizohet edhe fryma e bashkëpunimit në mes Ambasadës amerikane dhe institucioneve të shtetit.

Raporti i Departamentit te Shtetit mbi Lirinë Fetare ne Bote për vitin 2020 ka në fokus të interesimit edhe problematikat që lidhen mbi mësimin dhe edukimin mbi Holokaustin, duke theksuar me këtë rast se më 10 mars, qeveria e miratoi përkufizimin e punës së IHRA 2013 mbi mohimin dhe shtrembërimin e Holokaustit dhe ngarkoi Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Byronë për Zhvillimin e Arsimit dhe Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) që brenda tre muajsh të përkthejjnë Rekomandimet e IHRA të dhjetorit të vitit 2019 për Mësimdhënien dhe Mësimin e Holokaustit në gjuhët maqedonase, shqipe, turke dhe serbe për t’u shpërndarë në shkollat në të gjithë vendin.

Ky rekomandim i Qeverisë u përfshi edhe në strategjinë e punës së Departamentit për mësimin dhe edukimin e Holokaustit pranë ITSHKSH-së, me ç’rast në një afat rekord u përgatitën Rekomandimet e IHRA të dhjetorit 2019 për Mësimdhënien dhe Mësimin e Holokaustit në gjuhët maqedonase, shqipe, turke dhe serbe.

Krahas trajnimeve për arsimtarë dhe edukatorë, në bashkëpunim me “Jad Vashem” nga Izraeli, Departamenti e përpilon edhe Strategjinë për edukimin mbi Holokaustin në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me kontributin e ekspertëve, të edukatorëve dhe të institucioneve botërore me renome që e trajtojnë këtë tematikë.

Raporti gjithashtu potencon se në muajin qershor, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve  filloi një kurs trajnimi katër-ditor në internet për edukimin dhe mësimin mbi Holokaustin për 45 mësues të shkollave fillore dhe të mesme nga gjithë vendi, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ministrinë e Punëve të Jashtme të Izraelit dhe me “Yad Vashem” – Qendra Botërore e Përkujtimit të Holokaustit në Jerusalem.

Në raport përmendet edhe ish ministri i  Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, i cili ka folur për rëndësinë e partneritetit për mësimin dhe edukimin mbi Holokaustin në Ballkan, sipas të cilit kjo ngjarje ishte pjesë e strategjisë për të përfshirë edukimin mbi Holokaustin brenda sistemit zyrtar arsimor shtetëror dhe sigurimin e mjeteve për ta zbatuar atë.

Drejtori i ITSHKSH, Prof.dr. Skender Asani, shprehet i kënaqur me vlerësimin që jepet në Raportin e Departamentit Amerikan te Shtetit mbi Lirinë Fetare në Botë për vitin 2020. Ai thotë se veprimntaria e ITSHKSH-së tashmë po afirmohet edhe ndërkombëtarisht dhe po konsiderohet një pikë referimi dhe orientimi për realizimin e projekteve që ndihmojnë bashkëjetesën e  bashkësive të nderyshme etnike, fetare, gjuhësore e kulturore në Maqedoninë e Veriut.

“Ndihem i nderuar dhe i respektuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për vlerësimin e kontributit të ITSHKSH-së në forcimin e lirisë së besimit në Maqedoninë e Veriut, sidomos të kontributit për ta bërë pjesë të strategjisë përfshirjen e mësimit dhe edukimit mbi Holokaustin brenda sistemit  arsimor të vendit ”, nënvizon Asani.  

No photo description available.

(e.a)

Comment

*