DASH i bashkohet deklaratës së QUINT-it për referendumin e Serbisë në Kosovë

Uashington, 14 janar 2022 – Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) e përkrahu deklaratën e vendeve të QUINT-it dhe BE-së në lidhje me organizimin e referendumit për ndryshimet kushtetuese të Serbisë në Kosovë.

Vendet e QUINT-it (SHBA-së,Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Italisë) dhe BE-ja, përmes njëdeklarate të përbashkët,  kërkuan nga Qeveria e Kosovës që të lejojë OSBE-në të organizojë në territorin e Kosovës referendumin e Serbisë, siç ishte praktikuar më herët për zgjedhjet në Serbi.

“Vërejmë me keqardhje se Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar. Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Megjithkëtë, institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, në një takim të përbashkët me Ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe me përfaqësuesin e BE-së, u shprehën kundër organizimit të referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës.

Sipas deklaratës së përbashkët të Presidentes Vjosa Osmani, Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe Kryeministrit Albin Kurti, thuhet se në takim me përfaësuesit e QUINT-it dhe BE-së kanë përsëritur qëndrimin enjohur tashmë.

Ata kanë thënë se “hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare”.

Krerët e shtetit të Kosovës kanë përsëritur qëndrimin  se “qytetarët serbë të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë”.

(r.m.)

Comment

*