DASH këshillon amerikanët të mos udhëtojnë në Gjermani, Danimarkë, Belgjikë, Kroaci, Hungari, Austri dhe Holandë

Uashington, 23 nëntor 2021 – Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) i ka udhëzuar amerikanët të mos udhëtojnë në Gjermani, për shkak të përmasave të përhapjes së koronavirusit.

“Shmangni udhëtimin në Gjermani! Nëse duhet të udhëtoni në Gjermani, sigurohuni që jeni të vaksinuar plotësisht para udhëtimit!”, kanë thënë Qendrat për Paradalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara.

“Për shkak të situatës aktuale në Gjermani, edhe udhëtarët e vaksinuar plotësisht mund të rrezikohen nga variantet e koronavirusit”, kanë thënë këto Qendra.

Ekspertët shëndetësorë dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, kanë paralajmëruar se spitalet në Gjermani po përballen me vështirësi në disa rajone, pasi numri i pacientëve është duke u rritur.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, ka paralajmëruar se “deri në fund të dimrit, siç është thënë ndonjëherë edhe në mënyrë cinike, secili në Gjermani do të jetë i vaksinuar, i shëruar apo i vdekur”.

Në paralajmërimin e SHBA-së që shtetasit amerikanë të mos udhëtojnë përfshihen edhe shtetet si: Danimarka, Belgjika, Kroacia, Hungaria, Austria dhe Holanda.

Të gjitha këto vende janë përfshirë në nivelin e katërt të rrezikut.

Sipas këtij niveli, udhëtarëve potencialë u kërkohet të rishikojnë planet e tyre për udhëtim.

Para se të shpërthente pandemia, niveli i katërt i rrezikut ka qenë kryesisht i rezervuar për vendet si Afganistani dhe Iraku, në të cilat ka konflikte dhe kriza tjera.

(r.m.)

Comment

*