DASH: Presim zbatimin e marrëveshjeve Kosovë – Serbi, përfshirë edhe atë për Asociacionin

Uashington, 18 prill 2023 – Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka thënë se pret që  Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura gjatë dialogut në Bruksel, përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në një deklaratë për “Zërin e Amerikës”, DASH ka thënë se në fokus është zbatimi i marrëveshjeve për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë. Aty theksohet se SHBA do të angazhohet në mënyrë aktive në mbështetjen e du vendeve për zbatimin e marrëveshjes që u pranua nga liderët e dy shteteve, në Ohër.

“Fokusi ynë është në zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, në mënyrë që t’i ndihmojmë ato të zhvillojnë marrëdhënie paqësore, të parashikueshme si fqinjë, të cilat do të mundësojnë stabilitet, siguri dhe prosperitet më të madh në rajon. SHBA-ja dhe BE-ja presin që të dy palët t’i zbatojnë marrëvshjet e mëparshme të arritura në dialog, përfshirë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Këtë e konfirmuan edhe dy liderët në takimin e 18 marsit në Ohër. SHBA mbetet e angazhuar në mënyrë aktive në mbështetjen e Serbisë dhe Kosovës në zbatim të marrëveshjes”, thuhet në përgjigjen e DASH-it.

Të martën Bashkimi Evropian njoftoi se është formuar Komiteti i përbashkët monitorues që do ta mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

“Komiteti i përbashkët monitorues do të kryesohet nga përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Beograd – Prishtinë, Miroslav Lajçak. Kosovën do të përfaqësojë ambasadori i saj në Bruksel, Agron Bajrami, ndërsa Serbinë do ta përfaqësojë kryenegociatori Petar Petkoviq”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Takimi i radhës i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të zhvillohet më 2 maj, në Bruksel.

Në këtë takim pritet edhe nënshkrimi i një deklarate të përbashkët lidhur me çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Palët kanë thënë se janë pajtuar për tekstin e deklaratës, ndonëse ato kanë dhënë intepretime  të ndryshme lidhur me termin “të zhdukur me dhunë”. Prishtina thotë se në deklaratë përdoret ky term, por Beogradi e mohon këtë.

(r.m.)