Dashuri, Mirënjohje dhe Respekt pa fund për ju mësues dhe nëna

Dëborën mund ta shihje nëpër rrugët e Filadelfias dhe i ftohti i dimrit vazhdonte të ndihej në ditët e para të Marsit. Por një gjallëri dhe një gëzim shpërndahej kudo nëpër komunitetin shqiptaro- amerikan. Kjo atmosphere festive dukej se donte të sfidonte kushtet atmosferike. Festat e 7- 8 marsit janë simbolet e para të pranverës që po afron.
Këshilli Drejtues i Shoqatës Atdhetare – Kulturore Shqiptaro-Amerikane të Filadelfias “Bijtë e Shqipes” kishte kohë që po angazhohej për të nderuar dhe respektuar denjësisht dy njerëzit më fisnikë dhe më të dashur për të gjithë: Mësuesin dhe Nënën. Gjithmonë në kërkim të së resë, këtë vit Këshilli angazhoi anëtarë të shoqatës, simpatizantë të saj, të ndihmonin për gjetjen e adresave të banimit të atyre njerëzve që kanë qenë mësues në Shqipëri, që e vazhdojnë ose jo profesionin e tyre në Amerikë. Rezultati i këtij angazhimi ishte data 7 mars 2019. Në 120 familje të ish-mësuesve në atdhe, mësuesve shqiptarë aktualë në Amerikë në mëngjesin e 7 Marsit u dërgua urimi i Shoqatës “ Bijtë e shqipes” në formën e një kartolinë urimi dhe mirënjohje për punën e tyre të pashpërblyer, por të vlerërësuar dhe të respektuar nga brezat e nxënësve në vite . Kartolinat e shoqatës sonë nuk u shpërndanë vetëm në Filadelfia, por në New York, New Jersey, Boston, Cikago, Kanada dhe Gjermani.
Angazhimi maksimal i grupit drejtues, Dritan Matraku, Haki Collaku, Bujar Cela dhe autores së këtij shkrimi, ndihmuar nga aktivistja Brisilda Mema ishte organizimi i festës së 7-8 Marsit në datën 10 Mars. Qëllimi nuk ishte thjesht të kalonim një mbasdite argëtuese, por një aktivitet që duhej të përcillte mesazhin madhor; 7-8 Marsi për ne shqiptarët janë dy data që lidhen me dy konceptet themelore të progresit tonë: edukim dhe familje.
Salla e aktivitetit rrezatonte dhe reflektonte harmoni, mirësi dhe dashuri në datën 10 Mars. Përkrah simboleve të njohura; flamuri shqiptar dhe amerikan, do të dallohej menjëherë stenda e madhe me një mesazh kuptimplotë; lule dhe dashuri për njerëzit që dinë të përcjellin çdo ditë dashuri dhe lumturi. Nëpër tavolinat të pranishmit do të gjenin dedikime kushtuar nënës dhe mësuesit dhe në monitor do të shfaqeshin urime dhe mesazhe të përzgjedhura për këto dy data.
Dy fëmijë me kostume popullore tradicionale shqiptare do të uronin mirëseardhjen me tabakanë me çokollata dhe karafila të kuq , të bardhë dhe rozë. Risia e këtij aktiviteti ishte jo vetëm prania e grave, por edhe prania e bashkëshortëve, fëmijëve, vëllezërve.
Në fjalën hyrëse Kryetari i Shoqatës “Bijtë e Shqipes” z. Bujar Gjoka theksoi rëndësinë e këtyre dy ditëve dhe qëllimin e këtij aktiviteti. Në emër të Këshillit Drejtues përshëndeti aurorja e këtij shkrimi, nënkryetare e shoqatës dhe njëkohësisht edhe mësuese e klasës së tretë të shkollës” Gjuha Jonë”. Në këtë përshëndetje u përmend rëndësinë e këtyre dy datave, por edhe kërkoi prindërve si një detyrim moral t’u tregojnë fëmijëve të tyre, nipërve dhe mbesave, brezave të rinj shqiptaro-amerikanë se sa mund përpjekje , sakrifica iu desh shqiptarëve të hapnin Shkollën e Parë Shqipe në 7 Mars 1887 e quajtur Mësonjtorja e Korçës dhe t’u tregonin me sa vetëmohim dhe vetësakrifikim u realizua ëndrra e misioni i Rilindjes Kombëtare “Mësimi në gjuhën e nënës”. Të njëjtin mision dhe qëllim ka pasur dhe vazhdon të ketë shkolla shqipe “Gjuha Jonë” e Filadelfias e hapur në 7 Mars 2004. Urime të ngrohta u përcollën për nënat, vlera e të cilave ashtu si pesha e qiellit nuk maten, por ndihen.
Vallet, këngët nga të gjitha trevat shqipare, të ndërthurura me vallëzim do të bashkonin të gjithë, duke humbur nocionin e kohës.
Po surprizat janë gjithmonë të bukura, Ajla Pone, nxënëse e klasës së tretë të shkollës sonë shqipe do të uronte mësueset e kësaj shkolle me një poezi te bukur, të cilën ajo e përcolli me shumë emocion. Më pas buqeta me lule të bukura do t’u dhuroheshin në emër të Këshillit Drejtues të Shoqatës mësuesve të shkollës “Gjuha Jonë” në Filadelfia, zonjave: Rajmonda Bardhi, Irini Zeneli, Elvana Pone, Rudina Bani, Irma Aliçkaj dhe Shpresa Rami
Balada e mrekullueshme e Teodor Kekos “Nëna dhe Djali” do të interpretohej nga Ina Ferko, Nicholas Hoxha dhe Armela Aliçkaj, nxënës të klasës së dytë, duke përcjellë te të gjithë mesazhin “ Vetëm shpirti i një nëne di të falë sinqerisht” Salla do të buçiste nga kënga e Anita Takes “Nënë, emër i dashur për mua/ njeriu më i shtrenjtë që dua ……..”
Atmosfera e ngrohtë e festës vazhdoi për më shumë se 5 orë. Këngëtarët Nila, Driselda, Bujari dhe Liza kënduan pa ndërprerje dhe me profesionalizëm duke bërë që pjesëmarrësit e shumtë të mos e braktisnin pistën e vallëzimit për asnjë moment
Të pranishmit u larguan me dritë në sy dhe duket sikur pyesnin: Cili do të jetë aktiviteti i radhës së Shoqatës “Bijtë e Shqipes?


Rudina Bani
Mësuese e shkollës shqipe “Gjuha Jonë”
Filadelfia, 12 Mars 201

Comment

*